Bllokohet kompjuteri i Kristos
Trazhgim Sokolaj
Antiterrori dërgoi dje në Prokurorinë e Tiranës kompjuterin e Artan Kristos, i arrestuar dy ditë më parë për mbështetje e propagandë për veprime terroriste. Bashkë me kompjuterin nga i cili janë shpërndarë mesazhet e dyshuara, hetuesit e Antiterrorit kanë bllokuar edhe një sërë dokumentesh, të cilat po shqyrtohen nga Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit nuk dha dje asnjë detaj mbi hetimet që po zhvillohen ndaj 33-vjeçarit të dyshuar për mbështetje ndaj veprimeve terroriste, megjithatë hetuesit konfirmojnë se i arrestuari po hetohet për lidhje me segmente të dyshimta edhe jashtë Shqipërisë. Në dosjen hetimore të regjistruar për akuzën për “nxitje, thirrje dhe propagandë për kryerjen e veprimeve terroriste”, janë administruar të dhënat e marra nga sistemi TIMS, për të gjitha hyrje-daljet e Artan Kristos nga Shqipëria. Hetuesit po verifikojnë udhëtimet drejt vendeve ku janë të pranishme organizata të dyshuara për terrorizëm. I dyshuari ndaj të cilit hetimet filluan që më 28 gusht, mësohet se është mbajtur në përgjim për mëse një muaj me urdhër të Prokurorisë. Përmbajtja e komunikimeve të tij është verifikuar deri në detaje, ndërsa agjentët e Antiterrorit kanë verifikuar edhe personat me të cilët ka kontaktuar personi i njohur edhe me emrin Muhamed Abdullahi. Me këtë pseudonim, Artan Kristo akuzohet se ka publikuar në forumin “Albselefët”, thirrje publike në mbështetje të veprimeve terroriste dhe vetëvrasëse.
Lidhjet me ekstremistët
Artan Kristo ishte njohur në radhët e institucioneve fetare si një dijetar i shkolluar jashtë vendit, në moshë të re, që i përkiste rrymave ekstreme. Kjo dhe të qenit përfaqësues i fondacionit “Al Haramain”, i cili u përfshi në vitin 2004 në listën e financuesve të terrorizmit, duke u përzënë nga Shqipëria, u bënë shkak që Artan Kristo të listohej në tabelën e “elementëve të dyshimtë”, qoftë nga Shërbimi Informativ apo edhe nga Aniterrori i policisë. Pas thirrjeve publike të bëra prej tij, në mbështetje të veprimeve terroriste, në periudhën gusht-shtator 2009, policia vendosi të mos hezitojë. Pa shumë vështirësi, hetuesit mësuan se personi që fshihej pas emrit Muhamed Abdullai, ishte në fakt Artan Kristo. Një gjë e tillë thuhej nga anëtarët e forumit në diskutimet mes tyre. Pas arrestimit, hetuesit kanë bllokuar kompjuterin nga i cili janë bërë postimet e materialeve që përmbajnë thirrje publike për terrorizëm. Sipas burimeve zyrtare, në kompjuterin e Kristos janë gjetur materiale që ndihmojnë hetimin, dhe veçanërisht adresa kontaktesh dhe informacione mbi persona e organizma brenda e jashtë vendit me të cilat ai komunikonte rregullisht.
Heshtin institucionet fetare
TIRANE – Komuniteti Musliman i Shqipërisë, përveçse ka mohuar në rrugë jozyrtare që Artan Kristo të ketë qenë pjesë apo punonjës i këtij institucioni, nuk ka dhënë asnjë deklaratë apo reagim në lidhje me arrestimin. Po kështu edhe Forumi Musliman i Shqipërisë nuk ka bërë asnjë deklaratë në lidhje me arrestimin e Artan Kristos. Vitet e fundit ai nuk bënte pjesë në organizmat fetarë, edhe pse njihej në komunitetin e besimtarëve si teolog i shkolluar në Egjipt. Në vitin 2006, ai u ndalua nga policia për 48 orë me dyshimet për vrasjen e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman Salih Tivari, por nuk u provua implikimi i tij në këtë ngjarje.
Anëtarët e “albselefët”mbrojnë Kriston online
TIRANE – Faqja elektronike “albselefet.net”, pronë e të arrestuarit Artan Kristo, është pushtuar ditën e djeshme nga komentet që përdoruesit kanë postuar në mbrojtje të mendimit, se i prangosuri nuk ka lidhje me terrorizmin, për të cilin akuzohet. Gjatë gjithë ditës së djeshme, tema që është komentuar në këtë faqe interneti ka qenë: “Albselefet.net, kundër çdo forme të terrorizmit”. Ndërkohë, njëri prej përdoruesve ka publikuar të dhëna rreth kësaj faqeje, si dhe personave të regjistruar që klikonin shpesh në të. Sipas tij, “albselefet” është një grup besimtarësh në të cilën respektohen vlerat morale islame, është një shoqëri që e karakterizon paqja, falja, dashuria dhe mbështetja reciproke. “Islami dhe terrorizmi janë dy koncepte tërësisht të kundërta me baza dhe ideologji krejtësisht të ndryshme. Islami është feja e paqes dhe si e tillë është dënon terrorin. Lufta ndaj sjelljeve terroriste shprehet si përmes vargjeve Kur’anore, ashtu edhe përmes thënieve të profetit Muhammed, paqja dhe mëshira e zotit qofshin mbi të”, thuhet në faqe. f.m.
Loshaj dëshmi me shkrim nga Holanda
TIRANE – Avdyl Loshaj, dëshmitari kryesor në shqyrtimin e dosjes “Remzi Hoxha”, në Gjykatën për Krimet e Rënda do të pyetet me anën e letërporosive. Togat e zeza të kësaj gjykate nuk do të munden të dëgjojnë zërin dhe t’i drejtojnë pyetje të drejtpërdrejta personit, për rrëmbimin dhe keqtrajtimin e të cilit akuzohen të pandehurit e procesit. Gjykata rrëzoi dje kërkesën e prokurorit të çështjes për marrjen e dëshmisë së Loshajt me anë të video-konferencës, pasi realizimi i saj ka rezultuar teknikisht i pamundur për gjykatën. Në të njëjtën mënyrë gjykata rrëzoi dhe kërkesën për pyetjen e Loshajt nga palët në Holandë, për shkak të kostos së madhe financiare që do t’i kushtonte gjykatës. Pasi lexoi vendimin e ndërmjetëm, kryesuesi i seancës, gjyqtari Xhelal Elezi, kërkoi nga palët që në seancën e ardhshme të depozitojnë me shkrim pyetjet që do t’i drejtojnë dëshmitarit Loshaj. Përveç tyre, gjykata kërkoi edhe depozitimin e pyetjeve që do të dërgohen me letër-porosi për tre dëshmitarë, të cilët ndodhen në Itali.
Në seancën e djeshme gjykata u njoh me dëshminë e një dëshmitareje okulare të rrëmbimit të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në vitin 1995. Ruzhdo Kërçini, ishte një nga punonjëset e firmës “Albatros”, në pronësi të Remzi Hoxhës në afërsi të “Frigoriferit” në kryeqytet. Para gjykatës, dëshmitarja u shpreh se ishte trembur për vdekje kur kishte parë persona të merrnin punëdhënësin e saj. Ndërkohë që, ajo ka qenë një ndër dy personat që shkuan dhe denoncuan në polici rrëmbimin e biznesmenit. “Ishte kohë dreke dhe punëtorët lëviznin për të pirë një kafe. Unë shkova te pjesa fundore e magazinës. Do të ndihmoja shoqen time pasi kishim për të sistemuar diçka.
Pashë një makinë që erdhi. Nuk i dhashë rëndësi. Vazhdova punën. Nuk zgjati shumë dhe dëgjova një zhurmë të vogël. Ktheva kokën dhe pashë Remziun që e kishin kapur dy vetë dhe po e nxirrnin nga dhoma kryesore. I thërrita shoqes tim duke i thënë “e morën, e morën”. U trembëm shumë. Njëri nga ata personat na tha: mos u shqetësoni, futuni brenda. Ata e futën në makinë dhe ikën. Shoqja ime, Violeta Radi, arriti të merrte targën e makinës. Punëtorët e tjerë na thanë që ne të dyja të shkonin të tregonim në polici për atë çka kishte ngjarë, sepse ata do të qëndronin aty. Remziun e morën tre persona, të cilëve nuk ua mbaj mend fytyrat”, tha dje dëshmitarja para gjykatës. ar.ba