Bill Klinton siç nuk e keni dëgjuar kurrë
Autori i Lajmit: Foreign PolicyNëse doni të dinit se si mendonte Bill Klintoni kur ishte president, ju nuk duhet të merrni parasysh fjalimet formale, por ta dëgjoni atë të flasë pa doreza gjatë një mbrëmjeje bamirësie. Gjatë natës ai do të reflektonte i papërgatitur për garat, fenë, shkencën dhe natyrën e shpirtit njerëzor. Mendja e tij do të endej kudo dhe përsëri do të ndërthurte bashkë problemet në një rrëfim të kohës si askush politikan tjetër i brezit të tij. Sot, vendi ku ai dëgjohet të rrëfehet është konferenca e përvitshme “Clinton Global Initiative” në Nju-Jork, ku ai mbledh qindra krerë shtetesh, manjatë, drejtorë organizatash jofitimprurëse, akademikë, madje edhe yje Hollivudi, jo thjeshtë për të folur për problemet e botës, por për të bërë diçka për to. Piter Bejker, korrespondenti i Shtëpisë së Bardhë për “The New York Times” dhe Suzan Gleser, kryeredaktorja e “Foreign Policy” arritën të kryenin një bisedë të zgjeruar me Klintonin për identitetin, ndershmërinë dhe Xhenxhis Khanin.
Vitin e shkuar ne nuk prisnim që ekonomia të rrënohej në mënyrën që ndodhi. Këtë vit ne nuk mendojmë se populli i Iranit do të dilte në rrugë pas zgjedhjeve. Duke parë nga viti 2010, cilat janë surprizat strategjike që ne duhet të presim?
Ne duhet të shohim përreth botës dhe të vërejmë nëse ka ndonjë vend ku një analogji politike e krizës ekonomike të mund të ndodhë. Kjo do të thotë se ajo çka ne dimë për ndërtimin e sistemeve e deri tek një kombinim i stresit dhe dinamizmit është se ka fraktura dhe dobësi, të cilat nuk janë menjëherë të dukshme, sepse njerëzit presin që e nesërmja të jetë një kopje e së djeshmes dhe të sotmes. Unë e them gjithmonë, në një mjedis shumë dinamik, është e qartë se ti duhet të punosh për më të mirën dhe presësh më të keqen. Kjo është e lehtë për tu thënë, por si bëhet kjo? Dhe cilat janë shenjat paralajmëruese? Për shembull, a mund të shkojë diçka keq në Nigeri si rezultat i bashkëveprimit ekonomik dhe politik të një konflikti?
I parë nga ky këndvështrim, cilat vende të tjera në botë mund ende të na surprizojnë duke bërë diçka të zgjuar dhe të mirë?
Unë mendoj ende se ka shanse që izraelitët dhe qeveria e Hamasit e ajo palestineze të arrijnë një marrëveshje. Sepse unë mendoj që linjat afatgjata të negociatave janë jofrytdhënëse për të dyja palët, të cilat i kanë mundësitë për të arritur një marrëveshje. Në këto momente, Hamasi është disi i hutuar pas operacionit në Gaza, por ende (autoriteti palestinez) është qartazi duke i shtuar kapacitetet (e tij). Sot ata janë në një gjendje të mirë, por nëse nuk janë të aftë të arrijnë progres të vazhdueshëm ekonomik dhe politik, kjo nuk është një gjë e mirë. Linjat afatgjata të negociatave janë edhe më të zymta për izraelitët, sepse shumë shpejt ata nuk do të jenë më një shumicë atje. Më pas, atyre do tu duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë të jenë një demokraci pa qenë më një shtet hebre, apo do të vazhdojnë të jenë një shtet hebre, i cili nuk është vlerësuar mjaftueshëm për të qenë një demokraci. Kjo është një sfidë e madhe. Gjëja tjetër që nuk është vlerësuar mjaftueshëm është kurba e paevitueshme e kapacitetit teknologjik që vlen për armatimet ushtarake, siç vlen dhe për kompjuterët dhe lojërat elektronike e gjithçka tjetër. Unë e di që ato raketa kanë nervozuar izraelitët, por unë nuk u vë faj atyre se janë të zemëruar dhe shqetësuar – kjo ishte për tu shqetësuar. Por le të jemi të sinqertë: Ata nuk ishin shumë korrektë. Kështu që mbetet vetëm çështje kohe derisa ata de fakto të pajisen me sistemet e pozicionimit GPS.
Dhe kur kjo të ndodhë dhe numri i të vrarëve të nisë e të rritet, a do ta bëjë kjo më të vështirë për palestinezët të bëjnë paqe apo jo? Sepse ata do të kenë më shumë presion nga grupet radikale që thonë: “Jo, jo shikoni, shikoni, ne po arrijmë të asgjësojmë 8 objektiva në 10 goditje. Le të mbajmë këtë ritëm”
Unë mendoj se një nga gjërat surprizë që mund të ndodhë këtë vit të ri është mundësia për të arritur një marrëveshje të vërtetë. Askush nuk beson se kjo mund të ndodhë dhe me shumë mundësi ajo sdo të arrihet për shkak të kompleksitetit politik të qeverisë së Izraelit. Nëse do të kishte ndonjë vend ku mund të studioje mundësitë që do të çonin në përfundimin se më herët është më mirë se më vonë për të arritur një marrëveshje, do të ishte Shtëpia e Bardhë dhe unë kam kaluar shumë kohë duke e bërë këtë.
Cili mendoni se është njeriu më i zgjuar që ju njihni (ndoshta dikush përveç familjes tuaj)? A ka njerëz të tjerë që duhet të jenë në listën tonë?
Pol Krugman. Unë nuk jam gjithnjë dakord me të, por ai është me të vërtetë i zgjuar. Dejvid Bruks gjithashtu. Tom Fridman, është gazetari me aftësinë më të madhe në vlerësimin e vërtetë të asaj çka po ndodh sot në botë dhe kupton shumë mirë lidhjen e saj me të nesërmen dhe gjen mënyrën e duhur për ta ngulitur këtë në mendje, duke thënë thjesht: “Burrat e vërtetë ngrenë taksën e gazit”. Më kupton çdua të them? Malkom Gleduell është bërë shumë i rëndësishëm. “The Tipping Point” është një libër shumë i mirë vëzhgimor për ndryshimin që ka ndodhur dhe si ka ardhur. Por unë mendoj se libri i tij i fundit, “Outliers” është edhe më i rëndësishëm për të kuptuar se si ne zhvillohemi dhe shpjegon se edhe njerëzit që ne i shohim si gjeni, jeta është më tepër një garë stafete se sa një performancë skenike disaorëshe e një artisti. Unë mendoj se ai ishte me të vërtetë një libër i jashtëzakonshëm. Robert Rajt, ai që shkroi “The Evolution of God”, “The Moral Animal” dhe librin që shkroi mes këtyre, i cili pati një efekt të jashtëzakonshëm tek unë si president, “Nonzero”. Ky libër për zotin është thjesht në parim një zhvillim i mëtejshëm i argumentit në “Nonzero”, i cili në thelb thotë se bota po rritet së bashku, jo e veçuar. Dhe ndërsa ti ke gjithnjë e më tepër sfera lidhjeje, që do të thotë shtrirje gjeografike më të madhe, numër më të madh njerëzish dhe komunikim më të madh, duke pasur shumë zona nën varësi, ti nis një konflikt dhe përfundon me ndonjë zgjidhje, një zgjidhje të përbashkët. Kështu që ai thotë që nuk ka një konflikt të qenësishëm mes shkencës dhe zotit dhe shpjegon përsenë. Rajt thotë: “Jo, jo, jo, feja dhe shkenca mund të bashkëjetojnë së bashku. Në “Nonzero” ai argumenton se qëkur njerëzit dolën nga shpellat dhe formuan klane, ata janë përplasur me njëri-tjetrin, nga kanë kërkuar zgjerimin e identitetit real dhe të subkoshiencës. Ti lëviz nga konflikti në bashkëpunim në një lloj forme ose mënyre. Dhe deri tani lufta mes konfliktit dhe bashkëpunimit është shfaqur përpara se njerëzimi të zhvillonte aftësinë e tij vetëshkatërruese. Kështu që e gjithë ideja e “Nonzero”-s tashmë është përkthyer në argumentin e tij për zotin, dhe unë mendoj se ai është një njeri shumë i rëndësishëm. Një tjetër person, që unë mendoj se ka shkruar disa libra shumë interesantë në lidhje me bashkëpunimin final të domosdoshëm është, Met Ridli. Ai është një njeri që ka një ndikim shumë të madh tek unë me librin “The Origins of Virtue”. Dhe me virtytin ai nuk do të thotë, që unë nuk pi kurrë, edhe të shtunave në darkë. Me virtyt ai kërkon të thotë ndershmërinë qytetare. Si ta trajtojmë njëri-tjetrin në rrugë konstruktive dhe si të punojmë së bashku? Unë mendoj se kështu janë një pjesë e njerëzve. Ata mendojnë se si funksionon bota dhe si mund të jetë ajo në të njëjtën kohë. Në këtë moment në histori, neve na duhen njerëz, të cilët i kuptojnë edhe si funksionon bota, por edhe se si ajo mund të ishte më e mirë dhe më harmonike.
Lufta e Ftohtë zgjati rreth 40 vjet. A e shikoni këtë luftë të tanishme që ne po zhvillojmë me ekstremizmin, apo siç doni ta quani ju atë, lufta kundër terrorizmit, do të zgjasë kaq gjatë, apo mendoni se fundi i saj do të vijë dekadën e ardhshme?
Se sa do të zgjasë, ajo varet nëse në shtete shumë të mëdha, ku grupet terroriste veprojnë, do të vazhdojnë të mbeten në thelb pa shtet. Territoret në Pakistan dhe zonat kufitare me Afganistanin nuk janë pjesë e një shteti të centralizuar. Robert Kapllan ka shkruar shumë libra për atë çka po ngjet në këtë botë moderne dhe, nëse ti lexon “Fundin e Botës” dhe librat e tij të tjerë, ata thonë se ne po shndërrohemi de fakto, - ska rëndësi se çthotë ligji, - vende me megaqytete të mbushura me njerëz me të vërtetë të varfër, të zemëruar, të pashkolluar dhe shumë të dobët dhe në të gjithë botën ne do të kishim shumë milionerë të rinj. Nëse kjo është e drejtë, atëherë terrorizmi – që do të thotë vrasjet, plaçkitjet dhe shtypja e njerëzve, të cilët nuk kanë autoritet shtetëror do të shkonte përtej kufijve kombëtarë – mund të ishte e pranishme për një kohë shumë të gjatë. Nga ana tjetër, terrorizmi ka nevojë si për frikën, ashtu edhe për shanse që të lulëzojë. Kështu që, një nga gjërat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të bëjnë është të përpiqen të ndihmojnë të vendosin rendin në shtetet kombëtare në përputhje me realitetet e shekullit XXI dhe më pas tia dalin mbanë. Zgjidhja e çështjes së energjisë, ironikisht mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në uljen e apelit për terror, sepse nëse ne ndryshojmë mënyrën se si e prodhojmë dhe shpenzojmë energjinë në të gjithë botën, ajo do të krijonte mundësi për arsimim, investime, punë, përfshirjen e grave dhe vajzave në takimet pozitive ekonomike në çdo nivel të të ardhurave kombëtare nga shtetet më të pasura deri tek ato më të varfrat. Prandaj, unë mendoj se të gjithë ata që posedojnë këtë energji duhet ta shfaqin atë, sepse ndërsa bota integrohet, ajo duhet të ketë një burim të ri aktiviteti ekonomik. Në vendet më të varfra, thjesht të zhvillosh bujqësinë dhe të dërgosh të gjithë fëmijët në shkollë do të duhen vite punë. Por kjo gjëja e energjisë mund të na japë një dekadë zbulimesh të mëdha. Njerëz me të vërtetë shumë të zgjuar mund ta bëjnë këtë, Amori Lovins, Pol Houken, njerëz të cilët e kanë bërë këtë për 30 vjet me radhë, - Ne duhet të shohim nga këta mendimtarë të mëdhenj për çështjet e identitetit. Samuel Hantingtoni ka shkruar librin e famshëm “Përplasja e civilizimeve”. Por neve na duhet një përpjekje për ta shpjeguar dhe nëse është e mundur të bashkojmë teoritë e identitetit, të cilat janë biologjike, psikologjike, sociale dhe politike, sepse është e qartë se në një epokë ndërvarësie, ti kërkon tezën e Rajtit, ti kërkon që të ketë më shumë nënzgjidhje të llojit “nonzero”. Ti do që kjo gjë të ndodhë: Ti shpreson që ai ka të drejtë se ti mund të pajtosh fenë dhe shkencën: Ti shpreson që fjalimi i presidentit amerikan në Kajro të jetë i drejtë, një fjalim që si për objektiv të tij kishte paqësimin e dallimeve fetare. Unë kam mbajtur një numër të madh fjalimesh për këtë pas sulmeve të 11 Shtatorit, duke thënë se dallimet tona fetare dhe politike mund të paqësoheshin. Unë mendoj se fjala e presidentit Obama ishte se ne duhet të respektojmë pasigurinë. Ajo çka ne duhet të bëjmë është të pranojmë brishtësinë e njeriut. Ti smund tu thuash njerëzve që besojnë të jenë relativë në besimin e tyre. Ata besojnë se ka një të vërtetë. Por pyetja nëse ata e dinë këtë të vërtetë dhe e kthejnë atë në një program politik është krejtësisht një tjetër gjë. Ky është një veprim arrogance. Unë jam ndikuar nga libri i Ken Vilberit, “Teoria e gjithçkaje”, sepse ai përpiqet që të konstatojë se gjatë gjithë historisë ne lidhemi me njerëz, të cilët janë të ndryshëm nga ne përpara se ta kuptojmë këtë, dhe pasi arrijmë ta kuptojmë kemi një nivel paralel ndërlidhjeje, nga e cila duhet të rrëshqasim. Të gjithë intelektualët publikë në botë, duhet të mendojnë pak rreth këtij problemi të identitetit dhe u nevojitet të dallojnë se në pikëpamje të zbulimeve të gjenit njerëzor për ngjashmëritë e të gjithëve ne, edhe burri dhe gruaja, janë të paktën 99.5% njëlloj. Është me të vërtetë drithëruese apo jo?
Cilët janë tre librat që kini lexuar këto kohët e fundit
Po lexoj librin e H. Brendit, për Frenklin Ruzvelt. Por lexoj biografinë e re të Gabriel Garsia Markezit dhe sapo kam përfunduar një libër të Joshua Kuper Ramos, për të cilin mendoj se ishte shumë i arrirë, por unë mendoj se ai duhet të shkruajë një tjetër dhe të mendojë për zbatimet praktike të depërtimeve strategjike dhe teorike.
Tre liderët, të cilët njerëzit duhet tu kushtojnë vëmendje përveç Obamës.
Kryeministrit të Australisë, Kevin M. Rud, është shumë i zgjuar. Ai ka një dëshirë të madhe për të ditur dhe kuptuar gjërat. Unë mendoj se njerëzit duhet të studiojnë atë që Pol Kagame bëri në Ruanda. Ai është i vetmi vend në botë që ka më shumë gra se burra në parlament (qartazi për shkak të demografisë, e cila ka ardhur si rezultat i gjenocidit). Ajo mund të mos jetë perfekte, por Ruanda ka kapacitetin më të madh se çdo vend në zhvillim që unë kam parë ta pranoj ndihmën nga jashtë dhe ta përdorë atë. Është e vështirë të pranosh ndihmë. Por ata e kanë bërë këtë. Dhe si ia arrin ky president që çdo të rritur në vend ta nxjerrë një të shtunë të çdo muaji për të pastruar rrugët? Dhe cili ka qenë ndikimi psikologjik i kësaj? Ndikimi i identitetit? Presidenti thotë se nuk është e sikletshme, nuk është një punë shërbëtori, por është një mënyrë e të shprehurit të besnikërisë dhe krenarisë sate për vendin. Si mund ti ndryshosh sjelljet e tua për diçka që ti mendon se e di çdo të thotë? Si e bën këtë? Ka shumë liderë tërheqës në Amerikën Latine. Por unë mendoj se ai i Kolumbisë ia vlen të studiohet. Si u është dorëzuar Dedellini popullit kolumbian? Ne të gjithë e dimë se presidenti Urive është përballur me kritikat në SHBA, por si arriti Medellin ta shndërrojë Kolumbinë nga kryeqytetin botëror të drogës dhe një nga vendet më të rrezikshme në tokë, në qytetin mikpritës të përvjetorit të 50 të Bankës Ndëramerikane për Zhvillim? Unë do ta shikoja me interes këtë. Po unë do të shikoja gjithashtu edhe një tjetër udhëheqës, Hose Ramos Horta, presidentin e shtetit të parë në shekullin XXI, Timorin Lindor. Është shumë i vogël për të qenë një shtet? A mund lufta jote e guximshme për pavarësi dhe liri të çojë drejt unitetit ekonomik kur nuk ke një popullsi apo sipërfaqe të madhe sa për tu kujdesur për popullin tënd? Si do ta evitojnë kosovarët këtë?
A ka ndonjë vend, ku nuk kini shkuar ndonjëherë dhe do të donit ta vizitonit?
Dua të shkoj në Mongoli dhe të kalëroj me vrull sikur të isha Xhenxhis Khani, por pa i bërë dëm askujt. Dua të shkoj në Antarktidë gjithashtu. Ka vende ku unë kam qenë vetëm për të punuar. Do të doja ta merrja Hilarin dhe të ngjisnim Kilimanxharon, për sa kohë ka ende borë.
(Foreign Policy)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 20/12/2009