E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java XVI Ndalet Dinamo, Shkumbini fundos nëndetësen 4-0

Autori i Lajmit: RedaksiaDebutim të tillë as kish të menduar për trajnerin e Shkumbinit, Përparim Daiu. Në Peqin ekipi vendas ka shkatërruar Dinamon, 4-0. Për blutë kjo ishte humbja e parë në 16 javë kampionat. Një tjetër takim i rëndësishm ishte dhe ai i Vlorës. Në qytetin bregdetar, ekipi i Flamuratarit arriti të merrte një fitore me mjaft vlera përballë Gramozit. Tashmë kuqezinjtë kanë bërë një hap përpara në luftën për mbijetesë si dhe kanë shpëtuar (për momentin) trajnerin e tyre Gugash Magani. Tre pikë me vlerë gjeti edhe ekipi i Laçit. Ekipi nga Kurbini ka mundur minimalisht (1-0) skuadrën e Kastriotit. Sot Kategoria Superiore mbyllet me tre takimet e fundit: Skënderbeu-Besa, Tirana-Apolonia dhe Vllaznia-Teuta.

Shkumbini-Dinamo

Terreni i stadiumit të Peqinit ishte tepër i rënduar dhe ky fakt mund të përdoret mjaft mirë nga “blutë” e Muçës si shkak për këtë humbje 4-0, por rezultati i thellë nuk lë shumë vend për diskutime. Blutë pësuan humbjen e parë në 16 javët e para të Kategorisë Superiore. Sekseri, Çaushaj (p), Bakiu e maqedonasi Gjoreski janë heronjtë e Shkumbinit, ndërkohë që Dinamo luajti nga minuta e 31-të me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Bekim Kulit. Shkumbini me fitoren e arritur i ka dhënë një “dhuratë” të bukur fundviti kampionatit tonë, kur dukej se titulli kampion ishte punë e kryer tashmë, e kishte fituar Dinamo. Frenimi i bluve i ka dhënë shansin Besës, ndjekëses më të afërt, që të tentojë patjetër sot fitoren në Korçë, për ta zvogluar diferencën me kreun, në 11 pikë. Po kështu, stimul moral do të jetë humbja e Dinamos edhe për Apoloninë dhe Tiranën, që mbajnë aktualisht vendin e tretë dhe të katërt, dhe që do të ndeshen sot mes tyre në “Qemal Stafa”.

Flamurtari-Gramozi

Te fitorja shumë e çmuar dhe që jep shpresë për vazhdimësinë e garës, është kthyer Flamurtari. Në ndeshjen e luajtur në Vlorë, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ka fituar 2-0 ndaj Gramozit të trajnerit Canaj. Në njëfarë mënyre, Flamurtari është hakmarrë për eliminimin që i bëri Gramozi nga Kupa e Shqipërisë, qysh në 1/16 finale. Dy golat e kuqezinjve, i pari me penallti nga Junior, i dyti me kokë nga Xhukiç, i kanë siguruar 3 pikët e arta skuadrës kuqezi, e cila tashmë nuk është e vetme në fundin e renditjes, pasi i bën shoqëri edhe skuadra kolonjare. Frenohet kësisoji Gramozi, i cili kishte disa javë që nuk humbte, madje i kishte marrë barazim edhe Tiranës kampione në kryeqytet.

Laçi-Kastrioti

Në takimin Laçi - Kastrioti ka vendosur kapiteni vendas, Julian Brahja, që ka kthyer në gol një goditje dënimi. Gol i shënuar qysh në pjesën e parë, por që ka mbetur në fuqi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Peza, i cili ka drejtuar një sfidë të luftuar fort nga të dyja palët. Tri pikë me shumë vlera për Laçin, që në shtëpi nuk lëshon pe ndaj askujt, por ka ditur të marrë pikë edhe në transfertë, ndërsa Kastrioti kthehet me këmbët në tokë, pas një fitoreje të bujshme javën e shkuar, në shtëpi, 4-1 ndaj Shkumbinit.

Sot

Këto ishin tri ndeshjet e para të javës së 16-të të superligës, ndërkohë që tri të tjerat do të luhen sot, ku spikat ajo mes skuadrave “fqinje“ në renditje, Apolonisë së vendit të tretë dhe Tiranës së vendit të katërt. Të dyja këto skuadra i ndan një pikë, ndaj ballafaqimi i tyre në “Qemal Stafa“ ka shumë për të sqaruar. Aq më tepër që Dinamo kryesuese u ndal në Peqin, duke hapur një “dritare“ jo të vogël, sa i takon luftës për titull. Në Shkodër, Vllaznia do të presë Teutën e Durrësit, në përpjekjet e saj të dëshpëruara për të dalë nga tuneli ku e ka parë veten gjatë tërë këtij kampionati. Ballafaqimet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithnjë të paparashikueshme, për vetë faktin se “djemtë e detit“ kanë ditur të fitojnë edhe në “Loro Boriçi“, jo vetëm në Durrës, ku janë triumfatorë të rregullt. Në skajin tjetër, atë juglindor, do të luhet sfida Skënderbeu-Besa. Në stadiumin e Korçës, kuqebardhët kanë një rrugë, të marrin 3 pikët, pasi javët e fundit kanë qenë jo pak debitorë, situatë të cilën nuk duhet ta lënë të agravohet, pasi fundi i renditjes është fare afër. Në anën tjetër, Besa e pretendimeve të mëdha, nisur edhe nga humbja e skuadrës kryesuese para saj, Dinamos në Peqin, do të jetë e detyruar të përballojë vendasit, me një alternativë, fitoren, ndoshta përmes një taktike të zgjedhur nga trajneri Duro, kundërsulmi, për ta goditur skuadrën vendase në momentet e hedhjes së saj në sulm. Terreni i mirë i stadiumit "Skënderbeu“ është një plus i madh për kavajasit, të cilët zhvillojnë një lojë tekniko-taktike, jo shumë të mbështetur në aspektin fizik.

Bylisi mund Elbasanin

Bylisi me fitoren minimale 1-0 në supersfidën me Elbasanin (një ndeshje me shumë tension) u shpall kampioni i “dimrit”, duke krijuar një distancë +5 pikë nga Elbasani i vendit të dytë. Polizoi Arbëri shënoi golin e vetëm në minutën e 40-të. Ndërkohë një tjetër pretendente për titull, Lushnja, fitoi 3-1 me Besëlidhjen në Lezhë, duke u barazuar me pikë me Elbasanin (tani nga 32 pikë). Kamza mposhti 2-1 në transfertë Turbinën (dy gola të Klevis Dalipit, Kafazi realizoi për cërrikasit). Ndërsa Partizani e festoi me një fitore të bukur krijimin e shoqërisë së re aksionare, duke fituar 4-1 në Skrapar; Pashaj 2, Sheta e Karapici shënuan për të kuqtë). Luftëtari fitoi 1-0 me Gramshin falë golit të të zakonshmit Pustina. Ndërsa Ada mundi Pogradecin me golin e Doçit, duke kapur vendin e katërt në përfundim të fazës së parë. Memaliaj fitoi 1-0 në Librazhd dhe Bilisht Sport 2-1 me Burrelin. Kjo javë ishte dhe fundit e fazës së parë për Kategorinë e Parë.

Ky lajm është publikuar: 20/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›