E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mësosh nga sovjetikët

Autori i Lajmit: Nga Owen Matthews dhe Anna NemtsovaFol me veteranët rusë të Afganistanit dhe do të jetë e vështirë të mos mendosh se ata shpresojnë që amerikanët të humbasin. Për këta burra krenarë, të shohin NATO-n që ia del në një mision ku ata dështuan, do të thellonte poshtërimin e humbjes së tyre. Më kollaj akoma, për ta konfirmuar këtë, është besimi se, nëse sovjetikët nuk arritën dot të fitonin atje, askush nuk mundet. “Ne nuk ia dolëm dhe as ju nuk do tia dilni gjithashtu”, - thotë gjenerali Viktor Jermakov, i cili ka komanduar forcat sovjetike në Afganistan nga viti 1982-1983. “Ata nuk na besonin, dhe nuk do tiu besojnë as juve”. Ambasadori Zamir Kabulov, i cili ka shërbyer në Afganistan në kohën e pushtimit, sapo ka përfunduar një mandat 4-vjeçar si ambasador i Rusisë në këtë vend, nuk është më optimist. “Ne u përpoqëm të vendosnim regjimin komunist, ndërsa ju po përpiqeni të vendosni demokracinë”, - thotë ai. “Nuk ka asnjë gabim të bërë nga Bashkimi Sovjetik, që nuk është përsëritur nga komuniteti ndërkombëtar”. Një pesimizëm i paepur nuk është inkurajues dhe ka shumë përsëritje të pamohueshme të eksperiencës sovjetike në sundimin e ri të Afganistanit nga presidenti Barak Obama. Presidenti amerikan po i mëshon me të njëjtën forcë përpjekjes së tij për të bërë atë që asnjë forcë e huaj nuk e ka bërë ndonjëherë: Të mundë rebelimin afgan dhe të lërë mbrapa një regjim lokal të qëndrueshëm dhe legjitim. Fatkeqësitë sovjetike në Afganistan, nisën 30 vjet më parë, në këtë prag Krishtlindje, kishin përballë shumë sfida të ngjashme: Menaxhimin e politikës tribale, ndaljen e mbështetjes së rebelëve nga i gjithë kufiri në Pakistan, krijimi i një qeverie të besueshme në Kabul, ngritjen e forcave lokale të sigurisë dhe shmangien e viktimave civile. Sidoqoftë, dallimet janë ende të thella dhe ato sugjerojnë se Amerika thjesht mund tia dalë me sukses atje kur Rusia dështoi – pjesërisht duke mësuar nga gabimet e saj dhe të sovjetikëve. Shqetësimet e Moskës në Afganistan nisën pothuajse në momentin që nisi lufta, me një numër të madh kundërshtimesh, shumë më tepër sa edhe vetë liderët sovjetikë e prisnin. Amerikanët vendosën sanksione tregtare dhe bojkotuan Lojërat Olimpike të Moskës (1980). Sot Obama e gjen veten në një pozicion krejt të ndryshëm. Fushata e NATO-s gëzon mbështetje të gjerë ndërkombëtare, përfshirë dhe nga Rusia, në mendim të paktën. Por dallimi më i rëndësishëm mes atëherë dhe tani është se talebanët nuk mbështeten nga një superfuqi, që e furnizon me para dhe armë vdekjeprurëse. Kjo e bën atë një armik shumë më pak të frikshëm se muhaxhidinët në vitet 80, të cilët mbështeteshin me entuziazëm dhe armatoseshin nga SHBA-ja dhe Pakistani. Uashingtoni dyshon, dhe me të drejtë, se shumë nga rebelët e vjetër që sot luftojnë ende, - sidomos komandanti i talebanëve, Jalaluddin Haqqani, - po marrin mbështetje të fshehtë nga elementët e agjencisë së shërbimit të brendshëm sekret pakistanez. Por edhe nëse kjo është e vërtetë, përfshirja e shërbimit sekret nuk është si ajo e ditëve të shkuara, themi kështu të paktën, sepse qeveria civile pakistaneze zyrtarisht e kundërshton talebanin dhe ka bërë edhe përpjekje sporadike për ta luftuar atë. Një gjeneratë më parë, raketat “Stinger”, të cilat u jepeshin rebelëve në sasira të mëdha, pas vitit 1986, falë një fushate të kongresmenit amerikan, Çarli Uillson, ndikoi dukshëm në supermacinë e sovjetikëve në luftën ajrore. Talebanët e sotëm nuk e ka një avantazh të tillë teknologjik dhe ka pak miq. Si rezultat, “amerikanët janë në një pozicion shumë më të mirë se sa më parë”, - thotë Juri Krupnov, drejtor i Institutit të Zhvillimit Rajonal të Rusisë, i cili promovon lidhjet ruso-afgane. “Ky nuk do të jetë një Vietnam i dytë”. Një tjetër arsye përse ai ka të drejtë është se NATO-ja po tregon se ka mësuar më mirë nga gabimet e Moskës sesa vetë sovjetikët. Merrni shembullin e vrasjeve të civilëve. Fillimisht, fitorja ushtarake erdhi pothuajse pa mundim si për sovjetikët ashtu edhe për NATO-n. Por të dyja fuqitë shumë shpejt shkelën në të njëjtën greminë, duke humbur guximin dhe ftohtësinë, pasi goditën aksidentalisht objektivat civilë. Jermakovi kujton kur kishte urdhëruar trupat e tij që të minonin kanalet e vaditjes përreth qytetit të Gardezit në vitin 1953. Shumë “dushmanë”, (një term përçmues i zonës, i cili u referohet muhaxhidinëve) u hodhën në erë, por u shkatërruan dhe kanalet që ishin të domosdoshëm për fermerët lokalë. “Në një pikë aviacioni ynë shkatërroi gjysmën e Kandaharit, sepse dikush nuk kishte marrë udhëzimet e duhura”, - thotë Aleksandër Shkirando, një folës i shkëlqyer i “pashtos” dhe “farsit”, i cili kishte kaluar 10 vjet në Afganistan në vitet 80 si një këshilltar politik dhe ushtarak. NATO-ja ka bërë gafa të tilla – sidomos dy bombardimet e dy festave martesore në Kunduz dhe Uruzgan- por asgjë e një niveli të tillë. Numri i saktë i të vrarëve civilë afganë gjatë fushatës ushtarake ruse është i vështirë për tu llogaritur, por mendohet të arrijë nga 700 mijë deri në më shumë se 1 milion. Sipas Kombeve të Bashkuara, numri i vdekjeve të civilëve të shkaktuar sot direkt ose indirekt nga lufta e fundit, varion nga 12.000-13.000 trupa. Amerikanët janë treguar të kujdesshëm të evitojnë brutalitetin e paarsyeshëm të sovjetikëve, jo vetëm në fushëbetejë, por edhe në trajtimin e të burgosurve gjithashtu. Edhe më parë, gjenerali Stenli Mekristal kishte autorizuar një inspektim më herët këtë vit për skandalin e Abu Graibit (2004), i cili çoi në përmirësimin e trajtimit të të burgosurve në kampin amerikan të marrjes së pyetjes në Bagram. Dhe sado të tmerrshme të kenë qenë kushtet në Bagram, ato nuk kanë qenë asgjë në krahasim me abuzimet e kryera nga forcat e autorizuara sovjetike të policisë sekrete afgane, të cilat vranë të paktën 27.000 të burgosur politikë në qendrën e tyre të njohur të vuajtjes së dënimit në Pul-e-Charkhi. Rusëve u pëlqen të krahasojnë pushtimet sovjetike dhe amerikane. “Cilët janë më shumë imperialistë, sovjetikët apo amerikanët”, - pyet Krupnovi? Sidoqoftë, në të vërtetë, ka një pafundësi me ndryshime në sjelljen e dy ushtrive. Sovjetikët u përpoqën të rrisnin edhe ata numrin e trupave në vitet 1984-1985, duke e çuar atë në 118 mijë për të pastruar zonat rebele si lugina Panjshir dhe rruga strategjike që të çon në Khost. Por kjo nuk funksionoi. Muhaxhedinët do të “shpërbëheshin si mjegull”, - kujton Paulius Purickis, një rekrut nga minoriteti lituanez, i cili ka shërbyer si rreshter. “Ne nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje ti tërheqim ata në krye të betejës”, - thotë ai. Gjenerali Mekristal shpreson ta shmangë atë problem me trupa të tjera që i janë vënë në dispozicion, dhe që do ti lejojnë atij të “pastrojë dhe mbajë” të gjitha provincat, me pika të vogla ruajtjeje të përdorura për të ndihmuar dhe mbledhur informacione nga qytetarët lokalë. Sigurisht, sovjetikët u përpoqën të fitonin gjithashtu edhe zemrat dhe mendjet e tyre. Por ata ia lanë këtë detyrë KGB-së, e cila arriti rezultate të dobëta. Sot, më mirë se sa të mbash një rrjet qendrash torturuese siç bënë sovjetikët, ashtu siç bëri i autorizuari, Mohammad Naxhibullah, presidenti Hamid Karzai e ka shpallur veten si një mbrojtës të të drejtave të afganëve të arrestuar në burgjet e drejtuara nga amerikanët, diçka që mbështetet nga popullsia vendase. Sovjetikët e dreqosën gjithashtu procesin e ndërtimit të marrëdhënieve me liderët e fiseve. Vasili Kravtsov kaloi 12 vjet në Afganistan, duke u përpjekur të bëhej oficer i gradës së lartë në Kandahar dhe përgjegjës për krijimin e shërbimit sekret afgan të sigurisë në këtë zonë. Politikat e fisit Pashtun ishin specialiteti i Kravatsovit, por njëkohësisht dhe fatkeqësia e jetës së tij. Problemi ishte pjesërisht një axhendë komuniste për të ndriçuar afganët, duke zëvendësuar shkollat fetare me ato laike dhe minimin e autoritetit të mullahëve lokalë. “Ne bëmë gabime foshnjarake ideologjike”, - thotë gjenerali Ruslan Aushev, një nga komandantët më shumë të dekoruar të luftës afgane. “Ne i thamë popullit mysliman se feja ishte opiumi i popullit!” Zyrtarët amerikanë janë përpjekur të jenë më shumë të ndjeshëm për sa i përket kulturës: Mekristali kishte përfshirë në raportin e fundit që u zbulua se ushtria amerikane po lëkundej nga “një sjellje tmerrësisht defensive për tu mundësuar trupave të bashkëpunonin me popullin afgan”. Ndoshta paralelja më e afërt – dhe zona me më shumë leksione sot për Afganistanin- është në mënyrën se si ta mbështesë qeverinë lokale. Dhe këtu përsëri ka një shkak për optimizëm. Kukulla e Moskës, Naxhibullahu, ishte i dobët, jopopullor dhe përfundoi i varur në një shtyllë ndriçimi shumë shpejt pasi përkrahësit e tij u larguan. Karzai është gjithashtu shumë pak i pëlqyer. Por me gjithë këto shqetësime, ai është në një pozicion shumë herë më komod se paraardhësi i tij, sepse pavarësisht manipulimit të zgjedhjeve dhe deklaratave për korrupsion, Karzai është ende shumë më tepër popullor sesa çdo politikan tjetër në vend. Ky është një sukses i madh, pasi të rregullosh qeverinë lokale është ndoshta çelësi i fundit për sukses ose dështim. Për ta bërë këtë, Uashingtoni duhet të sigurohet që të injorojë këshillën ruse. Sot veteranët rusë këmbëngulin se shkaku kryesor për dështimin e tyre ishte përpjekja për të vendosur një mentalitet të huaj në një sistem shumëvjeçar aleancash fisnore: “Harrojini idetë tuaja për të sjellë demokracinë atje”, - thotë Jermakovi. Por komunizmi nuk ishte problemi i vërtetë dhe as demokracia. Në të vërtetë, demokracia mund të jetë zgjidhja. Qeveria e Naxhibullahut nuk ra se ishte laike apo socialiste, por sepse ajo u shpërbë nga dy të këqijat: Tribalizmi dhe korrupsioni. Moska transplantoi një lustër komunizmi në klikën e ngushtë, shtypëse dhe shumë të urryer të fisit pashtun sa nuk kishte lidhje me muxhahedinët. Kjo sugjeron se çelësi sot është mbështetja e qeverisë, e cila është sa më përfshirëse, demokratike, dhe përgjegjëse që të jetë e mundur. Kjo do të thotë të bësh gjithçka në fuqitë e Uashingtonit për ta bërë Karzain që të fshijë veprimin e tij. Shtetet e Bashkuara, me përshtatjen e tyre të shpejtë, tashmë kanë treguar se janë në një pozitë më komode se çdo pushtues që është përpjekur më parë për të fituar luftën e Afganistanit në terren. Sfida tani është edhe të shmangësh përsëritjen e gabimeve ruse gjatë tërheqjes dhe shndërrimin në forcën e parë të huaj që lë Afganistanin në një formë më të mirë se sa e gjeti. (jofituese)
(Newsweek)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 20/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›