E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri Kombëtar Roza Anagnosti dhe Luiza Xhuvani, zbulohen si nënë e bijë

Autori i Lajmit: RedaksiaU duk sikur hoqën dorë nga aktrimi, por që tashmë do të rikthehen fuqishëm që të dyja. Roza Anagnosti dhe Luiza Xhuvani pritet që të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar si personazhet kryesore të tragjedisë së famshmë të Sofokliut “Elektra”. Lajmi është pohuar shkarazi nga drejtori i TK-së, Kristaq Skrami teksa bënte publik kalendarin artistik të këtij institucioni për vitin që vjen. Dhe, në listën e tij për sezonin e ardshëm nuk mund të mos binin në sy emrat e dy aktoreve të mëdha shqiptare. Roza Anagnosti pritet që të luajë në rolin e Klitemnestrës, nënës së Elektrës, ndërsa Luiza Xhuvani vetë Elektrën, personazhin kryesor të gjithë tragjedisë. Regjisori i shfaqjes “Elektra” do të jetë Adonis Filipi. Në role të tjera, (ende në proces përzgjedhjeje nga regjisori) mendohet të jetë aktori Laert Vasili, për zbërthimin e personazhit të Orestit dhe shumë aktore të reja të Teatrit Kombëtar, që do të interpretojnë vajtojcat e korit të Sofokliut.
Subjekti “Elektra”
Subjekti i tragjedisë "Elektra" është marrë nga cikli mitologjik mbi Atridët. Ngjarjet e tragjedisë shtjellohen në situata të ngjashme të "Koeforeve" të Esikilit: Në të dyja veprat Oresti rritet e bëhet burrë në dhè të huaj. Ai është vazhdimisht i shoqëruar nga miku i tij besnik, Piladi. Tek të dy tragjeditë Oresti vë në provë të motrën duke iu shfaqur në fillim si i huaj, pastaj ndodh çasti i rinjohjes. Por secili nga këta dy poetë të mëdhenj ka vënë në vepër vulën e personalitetit të tij si artist. Ndërsa te Eskili rolin kryesor e ka Oresti, Sofokliu vë motrën e tij, Elektrën, në qendër të vëmendjes. Oresti nuk është veç krahu, shpirti është e motra. Të dy janë të vendosur dhe skanë asnjë luhatje në çastin kur ngren dorën dhe vrasin nënën e tyre, Klitemnestrën. Elektra është shumë e afërt me Antigonën për nga foca e vullnetit, nga vendosmëria për të kryer atë detyre që ajo e quan të shenjtë.
Ka akoma...
I kritikuar për një kalendar të varfër, për premierat e pakta dhe për “fatin e mbrapshtë”, që ka ndjekur projektin më të shumëpritur të sezonit, drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, duket se ka surpriza për këtë vit. Përveç “Elektra-s”, pritet që të ngjitet në skenë edhe “Gjashtë personazhe pa autor” të Pirandelos, madje edhe “Hamleti” i Shekspirit. Sigurisht që të kesh që në dhjetor, gati kalendarin edhe për dhjetorin tjetër është një fakt për tu përgëzuar, por duke pasur parasysh sezonin që lamë pas, nuk mund të mos dyshosh në mbarëvajtjen sipas parashikimit. Gjatë periudhës shtator-dhjetor, nuk mund të thuash se TK ka zierë nga aktiviteti. Ose, edhe nëse ka pasur ngjarje, gjysma e tyre nuk kanë qenë produkte të TK-së. Kështu, teksa pritej që në skenë të ngjitej “Kush ka frikë nga Virginia Ëoolf”, e lajmëruar që prej sezonit të kaluar, në skenën e Kombëtarit u ngjit një dramë e Mihallaq Luarasit, “Antigona kërkon të atin”, premiera e së cilës ishte në qershor në teatrin e Fierit, një vepër e frymëzuar nga ekspozita për nder të viktimave të diktaturës, që u hap në Muzeun Historik Kombëtar. Më tej vijoi me repertor, me veprat “Forca e zakonit” me regji të Kristian Papke, “Këngëtarja tullace” e Spiro Dunit dhe “Menaxheria e qelqtë”, të dyja iniciativa private. E parashikuar për në fillim të muajit nëntor, për shkak të një aksidenti që një prej aktoreve pësoi në prova, e vetmja premierë e sezonit, “Virginia”, u shty sërish, ndërsa vetëm tani ka filluar të shfaqet.

Kalendari 2010

Dhjetor 2009 -shkurt 2010
Premierë: “Elektra” e Sofokliut, regjisor Adonis Filipi

Janar – mars 2010
Premierë: “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, Luigi Pirandello, regjisor Mehmet Xhelili

Mars-prill 2010
Dramë shqipe (përzgjedhur nga prurjet e dramaturgëve shqiptarë me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar)

Prill-maj 2010
Premierë: “Hamleti”, Shekspir, regjia Jorgo Qimulis

Maj 2010
Festimi i 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar

Shtator-dhjetor 2010
Premierë në bashkëpunim me ETC, me staf artistik gjerman

Shkurt 2010
Shpallja e fituesit të konkursit të dramës shqipe, bashkëpunim i TK, MTKRS dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë

Ky lajm është publikuar: 20/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›