Qipro, “lulja mos e prek” e Mesdheut
Autori i Lajmit: The EconomistNuk është sekrete se negociatat për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian po përparojnë shumë ngadalë. Vetëm një nga 35 “kapitujt” e detyrimeve është përmbushur. Pesë janë bllokuar nga vetoja franceze, e cila vepron ndaj gjithçkaje që nënkupton pranimin përfundimtar të Turqisë. Tetë të tjera janë ngrirë që prej dhjetorit të 2006 për të ndëshkuar turqit për moshapjen e porteve dhe aeroporteve me Qipron (Republikën greko-qipriote). Në 8 dhjetor Bashkimi Evropian ra dakord që të hapte vetëm një kapitull, atë që lidhej me mjedisin. Raporti i javës së fundit në lidhje me progresin e Turqisë ishte i zymtë. Opinioni publik është lëkundur gjithashtu: Mbështetja turke për hyrjen në BE ra nga 70 për qind në vitin 2004 në 42% në 2008. Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, dikur ka thënë se Turqia nuk do të jetë kurrë pjesë e Evropës, një mendim i ndarë dhe nga presidenti francez, Nikolas Sarkozi. Megjithatë, diplomatët perëndimorë u thonë turqve se koha është në anën e tyre dhe se presidentët vijnë dhe ikin. Sidoqoftë ekziston një problem më urgjent: Qiproja u nda që prej grushtit të shtetit të mbështetur nga Greqia dhe pushtimit të Turqisë në vitin 1974. Turqia nuk mund ti bashkohet BE-së pa një marrëveshje për Qipron, sepse republika greko-qipriote, një anëtare e BE-së që prej vitit 2004, po përdor veton. Këtë javë qeveria qipriote tregoi dhëmbët, kur premtoi se do të bllokonte hapjen e pesë kapitujve të rinj të negociatave me Turqinë vitin e ardhshëm. Një zgjidhje e problemit të Qipros është thelbësore nëse Turqia do të ketë ndonjë shpresë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por ajo ka rëndësi për arsye të tjera gjithashtu. Qiproja është një nga shkaqet kryesore të marrëdhënieve të sotme të ashpërsuara mes BE-së (anëtare e së cilës është Qipro, por jo Turqia) dhe NATO-s (anëtare e së cilës është Turqia, por jo Qiproja). Nëse problemi i Qipros do të zgjidhej, zgjidhja duhet të ishte e qartë për një bashkëpunim mes 2 organizatave, të cilat shumë shpesh duket se pushtojnë planete të ndryshme, edhe pse të dyja selitë e tyre i kanë në Bruksel. Do të ishte e guximshme që të shprehje çdo lloj shprese për një marrëveshje qipriote. Dejvid Hanej, një ish- i dërguar special britanik në Qipro, njofton në një kumtesë të fundit për Qendrën për Reformën Evropiane se “askush nuk ka humbur ende duke vënë bast kundër... një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse”. Edhe kështu, ky duhet të jetë një moment i volitshëm duke qenë se për herë të parë liderët e të dyja vendeve dëshirojnë një marrëveshje. Për 30 vjet pas 1974-ës, turko-qipriotët të drejtuar nga kokëforti Rauf Denktash, preferuan ndarjen përkundrejt federatës “bizonale dhe bikomunale”, për të cilën të dyja palët ranë dakord që të kishin si synim në fundin e viteve 70. Në kohën kur ai u mënjanua, presidenca greko-qipriote i kishte shkuar një politikëbërësi të fortë, Tasos Papadhopullosit. Zoti Papadhopullos u përpoq të refuzonte një bashkim greko-qipriot sipas planit të bashkimit të sekretarit të OKB-së, Kofi Anan, për bashkim në prill të vitit 2004. Qiproja iu bashkua BE-së një javë pasi greko-qipriotët i thanë “jo” (me legjislacionin e unionit të pezulluar për veriun turko-qipriot). Nga kjo epërsi e re, qeveria qipriote përdori veton ndaj një premtimi të BE-së për të shpërblyer turko-qipriotët që votuan pro dhënies fund të izolimit tregtar dhe lëvizjes së tyre. Ishte pikërisht si përgjigje ndaj kësaj që Turqia refuzoi të hapte portet dhe aeroportet e saj për greko-qipriotët, edhe pse ajo u bë një detyrim ligjor sapo Qiproja u fut në Bashkimin Evropian. Shumë diplomatë murmuritën (ashtu siç ata bëjnë ende sot) se ishte një gabim tu siguroje greko-qipriotëve anëtarësimin në BE pa një zgjidhje të konfliktit. Shqetësimi ekzistonte se Greqia mund të përdorte veton ndaj anëtarësimit të shteteve të reja nga Evropa Lindore nëse Qiproja do të lihej jashtë. Por supozohej gjithashtu, gabimisht, se pengesat kryesore për të negociuar ishin zoti Denktash dhe turko-qipriotët. Në shkurt të 2008-ës gjërat u përmirësuan kur Demetris Hristofias i mori karrigen e presidentit zotit Papadhopullos. Zoti Hristofias vjen nga “Akel” (partia komuniste). Ai jo vetëm që është pro një zgjidhjeje të problemit, por është gjithashtu dhe një mik i vjetër i Mehmet Ali Talatit, liderit turko-qipriot. Zoti Hristofias thotë se ai shkoi drejt presidencës me qëllimin e vetëm për të zgjidhur problemin e Qipros. Koincidenca e dy presidentëve hap atë që Uilliam Çislet, një analist në Institutin Mbretëror Spanjoll “Elcano” e quan, dritarja e vetme e mundësisë për të flakur tutje njëherë e përgjithmonë problemin e Qipros, por ajo nuk do të mbetet hapur përgjithmonë.
Një komunist për të zgjidhur konfliktin
Zoti Hristofias dhe zoti Talat vendosën në momentin e duhur çeljen e bisedimeve të reja zyrtare në shtator 2008. Ata hapën një pikë të veçantë kalimi mbi “vijën jeshile” në rrugën Ledra, rrugën kryesore tregtare të Nikozisë. OKB-ja tashmë e lodhur ra dakord që të ndërhynte sërish me të dërguarin e saj special, Aleksandër Douner, një ish-ministër i Jashtëm australian. Megjithatë, ende pa filluar bisedimet, ato nisën të zvarriteshin. Zoti Hristofias ishte i vendosur që të mos i rikthehej planit të Ananit, ndërsa zoti Talat dëshironte që ai të ishte baza e diskutimit. Nën secilën nga gjashtë temat e bisedimeve, ekonomia, BE-ja, qeverisja, territori, siguria dhe prona, - pozicionet e qeverive të vendosura nga dy kryenegociatorët (Jorgos Jakovu për Qipron greke dhe Ozdil Nami për atë turke) dukeshin shumë larg. Edhe në këto kushte, njëfarë progresi u arrit, pjesërisht sepse numri i takimeve mes zotit Hristofias dhe zotit Talat ishte shpeshtuar deri në dy takime në javë (dhe mund të shkojë në 3 në javë në janar). Çështjet e ekonomisë dhe BE-së kryesisht janë zgjidhur. Pas muajsh diskutime për rolet dhe marrëveshjet e votimit për një president të përbashkët rotacional (greko-qipriot) dhe një zëvendëspresident (turko-qipriot), dallimet për qeverisjen duken gjithashtu të tejkalueshme. Ndarja territoriale mes dy komuniteteve do të jetë më e vështirë. Megjithatë në parim turko-qipriotët janë gati ashtu si në planin e Ananit, të dorëzojnë 9% të 38% që ata kanë pushtuar, përfshirë dhe Varoshan, një qytet turistik fantazmë në jug të Famagustës. Një ofertë e re britanike për të hequr dorë nga një pjesë territori nga dy bazat e saj ushtarake do të ndihmonte gjithashtu. Sidoqoftë, mund të ketë një grindje për Morfun, i cili në planin e Ananit do tu shkonte greko-qipriotëve, por që prej atëherë ka pasur një dyndje të madhe të turqve nga atdheu i tyre. Në të vërtetë, disa greko-qipriotë thonë se turqit e ardhur nga Turqia janë një problem më i madh se sa territori. Është e zakonshme të dëgjosh se “ne nuk kemi probleme me turko-qipriotët, vetëm me ushtrinë turke”. E megjithatë, shifrat mund të ekzagjerohen. Mete Hatai, i cili punon me çështjet demografike për “PRIO”, një organizatë kërkimi në Nikozia, thotë se ka rreth 50 mijë “qytetarë” turq të ardhur në veri (plus 35 mijë trupa dhe 100 mijë qytetarë). Ai supozon se kanë mbetur 140 mijë turko-qipriotë, të cilët përbëjnë 17.5% të popullsisë, nga 18.6% që ishin në 1960. Dy pikat më të mëdha të bllokimit në negociata janë siguria dhe prona. Zoti Hristofias këmbëngul se ai nuk mund ta pranojë një marrëveshje që ruan rolin e Turqisë si një fuqi garantuese dhe mban shumë trupa turke në ishull, pasi kjo mund të ishte një “shpatë Demokleu që varet sipër kokave tona”. Si të gjithë greko-qipriotët, ai nuk i beson ushtrisë turke. Ai paralajmëron se një marrëveshje për Qipron mund të jetë viktimë e një lufte fuqie mes kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan dhe gjeneralëve të tij. Nga ana e tij, zoti Talat, është i vendosur se pas eksperiencës së tyre në vitet 60, turko-qipriotët nuk mund të heqin dorë nga një pjesë ndihme e Turqisë.
Prona
Prona mund të rezultojë ende një problem serioz. Kur ushtria turke pushtoi veriun, pothuajse 80% e tokës atje u përkiste greko-qipriotëve, të cilët ose ishin arratisur ose kishin humbur jetën. Në shumë raste ata apo trashëgimtarët e tyre zotërojnë ende aktet e pronësisë, edhe pse prona është konfiskuar, punuar dhe në disa raste edhe shitur tek të huajt. Zoti Talat thotë se problemet me pronën duhet të zgjidhen nga një komision i pavarur, ku më pas ish-pronarët do të dëmshpërblehen (edhe pse është ende e paqartë se nga do dalin këto para). I pyetur për pikëpamjen e tij, zoti Hristofias thotë përzemërsisht se si komunist, atij nuk i pëlqen prona private. Sidoqoftë, greko-qipriotët kanë një politikë të qartë: Janë pronarët e vërtetë ata që vendosin. Shumë pak mund të rikthehen, të tjerët mund ta shesin, ndërsa të tjerë mund të pranojnë dëmshpërblimin. Një faktor i ri ndërlikues është rasti i Oramëve. Oramët janë një çift britanik, i cili ka blerë tokë në veri nga një turko-qipriot dhe kanë ndërtuar një shtëpi pushimi. Pronari i vërtetë (greko-qipriot) e ka hedhur çështjen në gjyq dhe e ka fituar në Qipro. Ai e çoi çështjen në Britani dhe më herët këtë vit Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi që, edhe nëse një gjykim greko-qipriot kundër pronarëve britanikë të ishte i zbatueshëm në Qipron Veriore, ai mund të mos ishte i zbatueshëm në Britani. Kështu që vendimi për Oramët ka sjellë ngrirjen e investimeve të tjera të huaja. Zgjidhja e dallimeve lidhur me sigurinë dhe pronën do të jetë qartazi shumë e vështirë. Por me kohën e mjaftueshme, vullnetin e mirë dhe presionin e mjaftueshëm nga të dyja anët, ajo mund të vijë. Fatkeqësisht, të tria këto cilësi mungojnë. I ulur në pallatin e tij presidencial, nga dritarja e cila Makariosi u arratis në 1974-ën, me pamjen e flamurit turko-qipriot të pikturuar në mënyrë provokative në malet Pentadaktilos, zoti Hristofias është këmbëngulës. Përmbajtja duhet të mbizotërojë ndaj shpejtësisë. Nuk mund të ketë afate kohore as vendime gjyqësore. Ai fajëson për dështimin e planit të Ananit nxitimin e tepruar. Problemi është se koha është edhe një herë tjetër kundërshtari i tyre. Zoti Talat do të përballet me zgjedhjet presidenciale në fillim të muajit prill 2010, zgjedhje të cilat shumë mirë mund ti humbasë. Partia e tij u mund nga nacionalistët në zgjedhjet e përgjithshme të prillit të kaluar. Kryeministri tani është Dervish Eroglu, një burrë me të njëjtën prerje si zoti Denktash. Zoti Eroglu, i cili flet shumë pak anglisht, dhe e njeh shumë pak zotin Hristofias, kryeson tashmë në sondazhet e zgjedhjeve presidenciale. Zoti Talat ka investuar shumë politikisht në bisedimet e tij për arritjen e zgjidhjes dhe nëse nuk do të sigurojë asnjë marrëveshje, shumë votues të tjerë mund ti kthehen kundër. Presioni ndaj zotit Talat mund të jetë më i menjëhershëm, por dhoma e zotit Hristofias për të manovruar është gjithashtu e kufizuar. Të dyja partitë e koalicionit në qeverinë e tij janë të një linje më të fortë politike se partia e këtij të fundit. Ministri i tij i Jashtëm, Markos Qiprianu, dëshironte sanksione të reja mbi turqit, sepse refuzuan të hapnin portet dhe aeroportet e tyre ndaj greko-qipriotëve, diçka që zoti Hristofias kërkonte i shqetësuar ta shmangte. Mediet qipriote janë gjithashtu shumë skeptike për zgjidhjen që mund të sjellin bisedimet. Pikëpyetja e madhe është se sa me të vërtetë të dyja palët kërkojnë të arrijnë një marrëveshje. Turko-qipriotët duan qartazi që ta arrijnë. Pa një zgjidhje, ata do të mbeten të panjohur dhe të izoluar, të varur nga ushtria turke dhe një ndihme vjetore prej 600 milionë dollarësh nga Turqia. Por ata ndiejnë njëkohësisht dhe presionin e zgjidhjes më pak se sa në të shkuarën. Deri në momentin e goditjes së recesionit botëror, ekonomia e tyre ishte përmirësuar me ritme shumë të ngadalta. Ata tashmë mund të kalojnë vijën jeshile dhe të marrin pasaporta qipriote dhe në rastin më të keq mund të udhëtojnë në Britani apo kudo tjetër në BE. Në fund, megjithatë, turko-qipriotët do të thoshin me siguri “po”. Akoma më shumë shqetësuese është mungesa e presionit për një marrëveshje mes greko-qipriotëve. Që prej kohës kur këta të fundit refuzuan planin e Ananit në 2004, ata kanë përfituar nga të mirat e anëtarësimit në BE (tani përdorin edhe euron). Ekonomia është zhvilluar, edhe pse tani vendi është në recesion. Një farë frike nga bashkimi do tu kushtonte shtrenjtë: PBB-ja për njeri tek turko-qipriotët është sa gjysma e greko-qipriotëve dhe taksapaguesve u duhet të mbartin barrën e kompensimit të pronarëve. Greko-qipriotëve nuk u bëjnë përshtypje studimet që tregojnë se arritja e një zgjidhjeje do të rriste PBB-në për familje nga 5.500 euro që është aktualisht në 8.150$ apo më tepër. Mënyra më e mirë për të ecur përpara është presioni nga jashtë. Por kjo kërkon kujdes. Zoti Hristofias nuk është i vetëm kur qahet se “tragjedia jonë i ka rrënjët nga ndërhyrja e të huajve”. Refuzimi i planit të Ananit në 2004 pjesërisht erdhi si një përgjigje ndaj presionit të OKB-së dhe BE-së. Dhe të dyja palët janë mjeshtre të shkuara të lojës së fajit – kur dështojnë të arrijnë një marrëveshje, ia hedhin fajin njëra-tjetrës më përpara se ajo të ndodhë. Zoti Douner, i cili thotë se është “optimist me shumë rezerva” po tregohet shumë i kujdesshëm për të vepruar si një asistent dhe jo negociator. BE-ja është një pengesë shumë e madhe, sepse turko-qipriotët e shohin atë si të njollosur nga anëtarësimi i Greqisë dhe Qipros. Britania, ende një fuqi garantuese, ka mosbesimin e të dyja palëve, ashtu si edhe Amerika. Kështu që presioni i jashtëm duhet të vijë nga dy përkrahësit kryesorë: Greqia dhe Turqia. Në këtë linjë ka vend për shpresë. Kryeministri i ri grek, Jorgos Papandreu, i zgjedhur në tetor, mund të ketë parësor problemin e ekonomisë së vendit të tij, por ai ka shumë herë më shumë vullnet për ta zgjidhur problemin e Qipros se sa paraardhësi i tij dhe për këtë i vjen në ndihmë dhe posti i tij si ministër i Jashtëm. Që tani ai ka vizituar Nikozinë dhe Ankaranë dhe ka përparuar në negociatat me Erdoganin. Ministri i Jashtëm i zotit Erdogan, Ahmet Davutoglu, ka një politikë “zero konflikte” me fqinjët. Nëse çështja e Qipros do të mbetej e pazgjidhur, ajo do të ishte një përjashtim. Një studim i Grupit Ndërkombëtar të Krizave sugjeron se do të ishte shumë dobiprurëse nëse greko-qipriotët do ti flisnin direkt Turqisë – zoti Hristofias u takua me zoti Erdogan në Nju-Jork këtë shtator. Por turqit ngurrojnë. Burimi më i mirë i presionit është të kuptojnë se nuk mund të ketë më një shans më të mirë se tani. Zyrtarët e OKB-së pëshpëritin planet për paketimin e valixheve të tyre dhe largimin, ndoshta duke marrë dhe paqeruajtësit me vete nëse bisedimet dështojnë. Pasardhësit e dy liderëve aktualë do të jenë më pak pro zgjidhjes. Siç përfundon studimi i GNK-së, dështimi do të thoshte më shumë bisedime për ndarje zyrtare. Të dyja palët frikësohen se qipriotët e rinj, që nuk u kujtohet ishulli i bashkuar, janë më pak të prirur se prindërit e tyre për të arritur një kompromis dhe i kushtojnë më pak rëndësi pronës së humbur. Një marrëveshje duket ende e paarritshme dhe koha është e shkurtër. Ajo duhet të arrihet nga fundi i shkurtit, nëse votuesit nga të dyja palët do të ishin dakord përpara se zoti Talat të përballet me elektoratin e tij në fillim të prillit. Bisedimet për të arritur një marrëveshje kuadër që është mjaftueshëm e fortë sa për të fituar sërish votën e turko qipriotëve për zotin Talat është e rrezikshme dhe mund të mos funksionojë. Nëse këto bisedime dështojnë, një tjetër shans tjetër ka shumë mundësi që të mos vijë për vite. Shpresat e Turqisë në BE do të merrnin një goditje. Dhe aspiratat e Evropës për një rol më të madh në botë do të goditeshin. Nëse ajo nuk mund të zgjidhë një problem në oborrin e saj, si mund ta bëjë atë diku tjetër? Piketat në Qipro në javët e ardhshme vështirë se mund të jenë më të larta.
(The Economist)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 20/12/2009