Liverpuli mposhtet edhe një herë, bie dhe Mancesteri
Autori i Lajmit: RedaksiaAngli - I gjendur me dhjetë lojtarë në fushë, Liverpuli ka pësuar edhe një goditje të radhës, kësaj here duke u mposhtur nga Portsmouth me rezultatin 2-0. Pas eliminimit nga Liga e Kampioneve dhe disfatës në derbin ndaj Arsenalit, Liverpuli arriti të fitonte gjatë mesjavës ndaj Viganit, që u mendua si pika e kthesës për të kuqtë, por nuk rezultoi kështu. Ekipi i trajnerit Rafa Benitez është mposhtur ndaj ekipit të fundit në tabelë, Portsmouthit, në ndeshjen e zhvilluar dje në Fratton Park. Vendasit kaluan në epërsi falë golit të Nadir Belhadi në minutën e 33-të të ndeshjes, ndërsa shkuan në pushim edhe më të qetë, pas kartonit të kuq të mesfushorit të Liverpulit, Javier Maskerano, në fund të pjesës së parë. Me një lojtar më pak në fushë në gjithë pjesën e dytë, redsat nuk arritën të kërcënojnë portën kundërshtare, madje pësuan edhe një gol të dytë tetë minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, kësaj here me anë të Frederic Piquionne. Kampioni në fuqi i Premierligës, Manchester United, është mundur me rezultatin 3-0 nga Fulham.
Golat nga Danny Murphy, i shkëlqyeri Bobby Zamora dhe Damien Duff, u dhanë fitoren djelmoshave të trajnerit Roy Hodgson, për ti shkaktuar humbjen e pestë të sezonit dhe të dytën në tre ndeshjet e fundit ekipit të Sir Alex Fergusonit. Pavarësisht humbjes, Mançester United do të vazhdojë të mbajë vendin e dytë të tabelës. Por çelsi mund të shtojë në gjashtë pikë epërsinë në krye të tabelës nëse mposht Uest Hamin në takimin e sotëm.
Ky lajm është publikuar: 20/12/2009