E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bime në prokurori për tragjedinë

 

GJIROKASTER

Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, u shpreh dje se do të bashkëpunonte me prokurorinë dhe se do të ishte i hapur për të lehtësuar hetimet lidhur me ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë. Këto deklarime Bime i ka bërë të ditura për mediat fill pas daljes së tij nga organi i akuzës, ku ishte për të deponuar rreth çështjeve të ndryshme të cilat kanë pasur interes për zbardhjen e përgjegjësive për tragjedinë në lagjen "11 Janari" të Gjirokastër. Kryetari i Bashkisë, Flamur Bime dhe nënkryetari i saj, Vangjel Muço, në cilësinë e drejtuesit dhe anëtarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit u pyetën në prokurori në cilësinë e dëshmitarit lidhur me ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë, ku humbën jetën tre persona. Burime nga Prokuroria e Gjirokastrës thanë për gazetën "Panorama" se Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, është pyetur nga oficerët e prokurorisë për 120 minuta. Sipas të njëjtit burim, në seancat e djeshme janë marrë në pyetje pjesa më e madhe e anëtarëve të KRRT të Bashkisë së Gjirokastrës, ndërkohë që nuk janë pyetur pesë anëtarë të tjerë të këtij organi për arsye të mosprezencës momentale në qytet. Mënyrat e zbatimit të procedurave gjatë mbledhjes kur është miratuar sheshi dhe leja e ndërtimit për llogari të firmës "Arti Ndërtim" shpk, si dhe zbatimi i tyre konform projekt-studimeve të paraqitura nga specialistët, kanë qenë në fokusin e interesimit të prokurorëve të kësaj çështjeje gjatë mesditës së djeshme. Ndërkohë që anëtarët e tjerë që nuk kanë dhënë deklarimet e tyre do ta kenë këtë mundësi ditët e mëpasshme. Pallati pesë-katësh në lagjen "11 Janari" të qytetit jugor të Gjirokastrës u shemb mesditën e së dielës duke shkaktuar tre viktima. Nga hetimet e deritanishme rezulton se pallati i ngritur në një kodër u shemb si pasojë e ndërtimit të një godine të re, pranë tij. Deri tani për këtë ngjarje janë arrestuar 9 persona, punonjës të Bashkisë së Gjirokastrës dhe të firmës që po ndërtonte pallatin e ri. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, pas daljes nga Prokuroria e Gjirokastrës, ku u thirr nën cilësinë e dëshmitarit, kryetari i bashkisë, deklaroi se Bashkia po harton një plan akomodimi për 14 familjet e prekura nga tragjedia dhe se së bashku me pushtetin qendror, po punohet për sistemimin sa më të shpejtë të tyre.

LSI: "Bime të dorëhiqet"
Dega lokale e LSI-së në Gjirokastër kërkoi për të dytën ditë radhazi, dorëheqjen e kryebashkiakut Flamur Bime. "Kemi ngritur zërin disa herë për monopolizimin e ndërtimeve dhe ndërtimin pa kriter, duke zaptuar çdo pëllëmbë tokë të lirë. E kemi kritikuar mënyrën e menaxhimit të kësaj pasurie nga pushteti lokal, por babëzia dhe etja e këtyre njerëzve për pushtet, la në mëshirë të fatit 15 familje, si dhe shkaktuan vdekjen e tre njerëzve të pafajshëm", deklaroi dje kreu i kësaj dege, Genci Sinoimeri. Ai u shpreh se në emër të ndërgjegjes dhe moralit, dorëheqja e Flamur Bimes do t'i hapte udhë hetimeve.

PS: "PD politikë me fatkeqësinë"
Lideri lokal i PS-së së Gjirokastrës, Florian Hysi u shprehu dje keqardhjen familjeve të prekura nga tragjedia e 9 nëntorit, ndërsa theksoi se këtë fatkeqësi po e përdorin për të bërë politikë. "Është e turpshme që për një situatë kaq të rëndë, politikanë lokalë dhe qeveritarë, shpejtuan të pushtonin ekranet për të thënë se nuk e përdorin fatkeqësinë për të bërë politikë. Por ata në mënyrën më cinike morën rolin e prokurorit dhe gjykatësit", tha Hysi. Sipas tij, e vërteta mund të ndriçohet vetëm nga organet e drejtësisë dhe jo nga megafonët politikë. "Nuk mund të blihen votat me jetë njerëzish", theksoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›