“Kodi, me besimin e të gjithëve”
ADI SHKEMBI
Komisioni i Posaçëm për Kodin Zgjedhor duhet të nxjerrë një produkt i cili të ketë besimin e të gjitha forcave politike. Ky është qëndrimi i deputetit të Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, i cili komentoi dje grevën e 10 deputetëve gjatë një aktiviteti në Universitetin Evropian të Tiranës. Ish-Ministri i Jashtëm tha se miratimi i një ligji në mënyrë të njëanshme do të sillte paragjykime nga aktorët politikë në vend. "Projekti i Kodit të ri Elektoral është ende në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, të ngritur për hartimin e tij. Unë i bëj thirrje këtij komisioni të veprojë me gjithë përgjegjësinë për të na dhënë një ligj që të gëzojë besimin e të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet e ardhshme. Një ligj i paragjykuar do të sjellë pashmangërisht votime të paragjykuara. Dhe ne kemi boll eksperiencë të hidhur nga votimet e paragjykuara. Kjo histori duhet të marrë fund", u shpreh Mustafaj. Kandidati i vetëshpallur për kryetar të Partisë Demokratike të Tiranës tha dje se kishte folur në telefon me deputetët grevistë dhe ishte interesuar për shëndetin e tyre. Mustafaj theksoi se ende nuk është njohur me draftin e Kodit të ri Zgjedhor, i cili do të miratohet javën e ardhshme në Kuvend. "Por, unë gjykoj se demokracia jonë duhet të provojë në këtë rast se ka fituar tashmë një pjekuri të mjaftueshme, për të fshirë nga realiteti ynë politik dhe institucional arsyet thelbësore për një protestë të tillë radikale. Protestat radikale e tensionojnë doemos klimën politike të vendit, duke krijuar kështu një atmosferë që nuk favorizon kryerjen e reformave të mëdha që kemi përpara deri në përfundim të mandatit", theksoi Mustafaj. Megjithatë, sipas deputetit të PD-së, procesi i administrimit të votave mund të çojë deri në skena të dëmshme politike dhe kontestim të zgjedhjeve. "Administrimi i votave është një procedurë teknike në procesin elektoral. Por, kjo procedurë teknike mund të prodhojë efekte shumë të dëmshme politike, pasi rrezikon të çojë në kontestimin e rezultatit nga njëri apo tjetri prej konkurruesve në votime e, rrjedhimisht, ul legjitimitetin e fituesit, duke cënuar kështu plotësimin e njërit nga standardet themelore të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian", u shpreh më tej Mustafaj. Duke iu referuar përvojës së keqe, nga e cila e ka pësuar PD-ja në zgjedhjet e kaluara, ish-ministri i kabinetit qeveritar "Berisha" thekson se ky fakt duhet të shërbejë për përfaqësuesit demokratë në komisionin e reformës zgjedhore që të jenë ndjeshëm për të prodhuar një ligj të drejtë dhe të besueshëm për të gjithë. Ndërsa duke iu referuar PS-së, Mustafaj tha se "PS ka në historinë e saj shumë njolla të errëta si manipuluese e rezultatit të zgjedhjeve gjatë viteve që ishte në pushtet”.