KE: Kodi i ri të jetë gjithëpërfshirës
Komisioni Evropian reagoi dje në lidhje me grevën e urisë së 10 deputetëve të kuvendit, duke kërkuar që Kodi i ri Zgjedhor të miratohet me konsensus dhe në mënyrë transparente për realizimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm vitin e ardhshëm. Gjatë një konference për shtyp zëdhënësja e Komisionit Evropian, Christiane Hohmann tha se "ju e mbani mend se Komisioni Evropian ka mirëpritur klimën e dialogut mes partive kryesore politike që çoi në miratimin e një sistemi të ri zgjedhor në Shqipëri. Dhe ne presim miratimin e këtij Kodi Zgjedhor gjithëpërfshirës dhe transparent që do të mundësojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është këndvështrimi ynë që ky kod të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që të mundësojë që procesi i zgjedhjeve të zhvillohet nën kushtet e besimit në mes të gjitha partive politike, në mënyrë që zgjedhjet por edhe rezultati i zgjedhjeve të mos kontestohet". Lidhur me grevën e deputetëve, Hohmann tha se KE nuk synon të ndërhyjë në bisedimet e brendshme teknike që po zhvillohen aktualisht në parlament. "Përbërjet duhet të jenë subjekt të një debati të hapur në Parlament në mes të gjitha partive politike. Dhe Parlamenti është vendi i duhur për debatin dhe për ushtrimin e influencës demokratike" tha Hohmann.