Juridiku, godina në prag shembje
zirina llambro
Të alarmuar prej riskut të shembjes së fakultetit, studentët e Juridikut në Tiranë bojkotojnë mësimin. Plasaritja e mureve mbajtëse të katit të parë të godinës ku zhvillohet mësimi, rrezikon të rrëzojë të gjithë krahun e djathtë të ndërtesës. Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Gjirokastër, studentë e pedagogë bëjnë apel për zgjidhje të këtij problemi madhor. Për të sensibilizuar strukturat përkatëse, ata zhvilluan dje në mesditë një protestë duke bojkotuar për një orë mësimin. Studentët theksuan se ndonëse problemi ekziston prej dy vitesh nuk është marrë asnjë masë. "Askush nuk e ka vënë ujin në zjarr edhe pse rrezikohet jeta e mbi 2500 studentëve. E kemi bërë prezent këtë problem por nuk është ndërhyrë nga askush për të bërë qoftë edhe një meremetim të vetëm", u shpreh kreu i Këshillit Studentor Indrit Sefa.
Ai shtoi se studentëve, veç kushteve aspak të përshtatshme në të cilat zhvillojnë mësimin, u duhet të vuajnë edhe ankthin se mos ndërtesa i zë brenda. "Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në qytetin e Gjirokastrës dhe rreziku i përsëritjes së situatës në Fakultetin e Drejtësisë, ne si Këshill Studentor kemi zgjedhur të bëjmë këtë protestë, ku shkak është bërë plasaritja e mureve e cila ka ardhur si pasojë e një shtese të ndërtuar mbi katin e tretë të kësaj godine", tha kreu i Këshillit Studentor Sefa. Ai theksoi se duhet të ndërhyhet menjëherë pasi në të kundërt protesta do të përshkallëzohet. "Ky problem është ngritur edhe herë të tjera, por nuk kemi marrë asnjë zgjidhje. Kësaj here do t'i shkojmë deri në fund pasi bëhet fjalë për jetët e dhjetëra të rinjve që kërcënohen", tha kreu i Këshillit Studentor. Në deklaratën e tij ai bëri me dije se përfundimi i inxhinierëve të firmës ndërtuese bie ndesh me atë të grupit të ekspertëve të Inxhinierisë së Ndërtimit, të cilët japin alarmin për rrëzimin e godinës. Ndërkaq studentët rrëfejnë panikun që u duhet të përjetojnë sa herë hyjnë në auditorë". Rrezikshmëria është goxha e lartë, dhe problemi më i madh qëndron te një sallë që është auditori më i madh ku kryhen edhe leksionet dhe ku ndodhet numri më i madh i studentëve", u shpreh njëra nga studentet.