E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallati, 5 të akuzuar mbetën në qeli

 

GJIROKASTER - Shembja e pallatit, duke shkaktuar tri viktima, e ka shtyrë Gjykatën e Gjirokastrës të vendosë "burg pa afat" për 5 nga të akuzuarit e parë për tragjedinë. Dy prej zyrtarëve të bashkisë dhe tre përfaqësues të firmës, mes tyre dhe pronari janë përballur dje me togat e zeza, ndërsa për 4 të tjerët pritet sot vlerësimi i sigurisë. Gjykata e justifikoi me volumin e madh të dosjes së paraqitur nga ana e organit të akuzës përfaqësuar nga prokurori Arben Pasho si dhe nga ana e avokatëve përkatës. Luan Bufi, Gjergji Meçi dhe Sotiraq Janora, inxhinierët zbatues dhe njëri prej pronarëve të firmës ndërtuese "Arti Ndërtim" sh.p.k. si dhe përfaqësuesit e bashkisë, Alfred Mamani dhe Afërdita Papamihali, përkatësisht shef i Zyrës së Urbanistikës dhe sekretare e KRRT-së, kanë mësuar masën e arrestit. Seancat janë zhvilluar veç e veç për secilin prej tyre, çka solli një vonesë në mbarëvajtjen e procesit, kjo dhe për shkak të paraqitjes në gjykatë të çdo personi të akuzuar me furgonin e policisë. Kreu i trupit gjykues, Pëllumb Vehbiu, pasi ka çelur seancat përkatëse ia ka dhënë fjalën të parit prokurorit të çështjes, i cili ka renditur me faqe të tëra argumentet që presupozonin shkelje të ndryshme, çka përbënin për të bazën e ngritjes së veprës penale të shkeljes së rregullave në punë për tre të parët dhe për përfaqësuesit e Bashkisë veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Pas fjalës së prokurorit, avokatët mbrojtës të klientëve Arjan Sotiri dhe Kristaq Zharkalli kanë folur mjaft, duke i marrë argumentet e prokurorit dhe analizuar ato deri në detaje. Për të pestë të akuzuarit nga organi i akuzës, është kërkuar "arrest në burg pa afat" çka u pranua nga ana e gjyqtarit Vehbiu. Ndërsa avokatët e të pandehurve kërkuan nga trupi gjykues ndjekjen e tyre në gjendje të lirë. Kjo kërkesë është mëshuar më tepër për sekretaren e KRRT-së së Bashkisë, Afërdita Papamihalin, e cila vuan nga tensioni, çka i ka provokuar gjendje të fikëti shumë herë në dhomat e paraburgimit. Edhe për katër të pandehurit e tjerë është përsëritur e njëjta kërkesë, me argumentin se ata për shkak edhe të formimit të tyre intelektual, nuk sjellin rrezikshmëri shoqërore. Mirëpo kjo nuk ka mjaftuar si argument nga ana e gjykatësit Vehbiu. Interesimi për të qenë prezent në sallën e gjykimit ka qenë mjaft i madh, sidomos nga miqtë dhe familjarët e të akuzuarve, por kreu i seancës gjyqësore nuk ka pranuar që masat e arrestit të zhvilloheshin me dyer të hapura. Seanca e parë ka nisur me inxhinierin e firmës, Luan Bufin, rreth orës 13:30 dhe ka përfunduar në orën 18:00 me pronarin e firmës ndërtuese "Arti Ndërtim" sh.p.k., Sotiraq Janora. Të ndaluarit e mësipërm do të dërgohen në burgun e Bënçës, rreth 5 kilometra larg Tepelenës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›