Grushton inspektorin e policisë, se u mërzit duke pritur
Një 50-vjeçar nga fshati Portëz i komunës me të njëjtën emër në rrethin e Fierit është prangosur në mjediset e policisë, ndërsa është thirrur për të dëshmuar lidhur me një sherr të ndodhur në fshatin e tij. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit, mësohet se mbrëmjen e së mërkurës, uniformat blu të komisariatit i kanë vënë prangat 50-vjeçarit Petrit Myrto, lindur e banues në Portëz. Ai mësohet të jetë thirrur në polici për t‘u pyetur rreth orës 19.00 të një dite më parë. Pasi ka qëndruar për disa orë në mjediset e policisë dhe pasi i ka humbur durimi në pritje të përfundimit të dëshmisë, mësohet se ka debatuar me një inspektor policie, i cili e kishte marrë në pyetje. Debati mes 50-vjeçarit dhe policit ka degjeneruar deri në grushte. Burimet policore tregojnë se Petrit Myrto ka përdorur ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit edhe fjalë fyese. Për të ndaluar këtë përplasje kanë ndërhyrë të tjerë policë, të cilët pasi kanë neutralizuar situatën i kanë vënë prangat qytetarit. Burimet policore pohojnë se Petrit Myrto ka qenë i pranishëm në një sherr të ndodhur në një lokal të fshatit dhe është thirrur për të dëshmuar.