E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bin Laden kërcënon me vdekje amerikanët

Autori i Lajmit: A.D

Terroristi më i kërkuar në botë, Osama bin Laden, është rishfaqur me një tjetër video kërcënuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni arab Al Jazeera. Bin Laden kërcënon se SHBA dhe bota perëndimore do të përballet me një seri sulmesh të reja, nëse dënohen me vdekje ideatorët e sulmeve të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mesazhin e tij zanor, Bin Laden del në mbrojtje të të arrestuarit, Khaled Cheikh Mohammed, i cili mendohet se ka qenë truri” i operacionit për përplasjen e avionëve në Kullat Binjake në SHBA në vitin 2001. Khaled Sheikh Mohammed, ka qenë i burgosur në Guantanamo. Përveç tij janë dënuar dhe katër persona të tjerë, të cilët, sipas hetuesve të SHBA-ve, kanë pasur lidhje direkte me sulmet e 11 Shtatorit. “Ditën që Amerika do të marrë një vendim të tillë (të ekzekutojë Mohamedin dhe të tjerët) ajo do të ketë marrë vendimin për të ekzekutuar këdo që ne kapim”, - thotë në mesazhin e tij kreu i Al Kaedës. Në një komision ushtarak të ngritur në vitin 2008, Mohamed dhe katër të akuzuarit e tjerë për sulmet terroriste të 11 Shtatorit u shpallën fajtorë dhe thanë se donin të dëshmonin se si i kishin kryer këto sulme. Një lëvizje e tillë u interpretua si një sfidë ndaj gjykatës për ti dënuar ata me vdekje dhe më pas terroristët të përfitonin statusin e martirit. Por administrata e Obamës i rrëzoi akuzat e saj kundër 5 burrave në nëntor, kur ata lajmëruan se gjyqi do të zhvendosej në një gjykatë federale të Nju-Jorkut. Që prej atëherë një plan i tillë është kundërshtuar fort dhe zyrtarët e administratës po mendojnë edhe një herë që tua kalojnë procesin ushtarakëve. Presidenti Obama ka cituar dënimin me vdekje si një arsye bindëse për të mbajtur një gjyq civil për Mohamedin. “Unë nuk mendoj se do të jetë ofenduese kur ai të jetë dënuar dhe kur dënimi me vdekje të vihet në zbatim”, - tha Obama përpara nisjes drejt Kinës vjeshtën e shkuar. Që prej 11 shtatorit 2001, komisionet ushtarake kanë dënuar vetëm tre terroristë. Dy prej tyre janë lënë të lirë dhe sot ndodhen në vendet e tyre, ndërsa njëri është duke vuajtur dënimin e burgimit të përjetshëm në burgun e Guantanamos. Askush prej tyre nuk është dënuar me vdekje. “Hera e fundit që gjykatat ushtarake dhanë një dënim me vdekje për një të huaj ishte viti 1942, kundër agjentëve nazistë që u dënuan si komplotues për sulme ndaj vendit tonë”, - thotë Adam Blickstein, zëdhënës i rrjetit të Sigurisë Kombëtare. Gjatë regjistrimit, lideri i Al Kaedës paralajmëron gjithashtu presidentin Obama se Amerika do të përballet me sulme të reja nëse “situata” palestineze nuk do të zgjidhet. Pas ekzaminimeve të para të Intelcenterit Alexandria, regjistrimi rezulton të jetë autentik. “Ky është mesazhi më kërcënues që mua më kujtohet që Bin Ladeni të këtë bërë ndonjëherë në një mesazh publik”, - thotë
Ben Venzke, drejtori ekzekutiv i IntelCenterit. Al Kaeda i vlerëson rrëmbimet si mënyrën më të mirë për të bërë presion ndaj SHBA-së”, - shton ai. Mesazhi i fundit i Bin Ladenit u transmetua më 24 janar. Obama merrte përgjegjësinë e tentativës për të hedhur në erë një avion amerikan ditën e Krishtlindjeve, ndërsa ai i afrohej aeroportit të Detroitit.

SHBA: “Mesazhi i Bin Ladenit, asgjë e re”

Uashington - Shtetet e Bashkuara kanë reaguar me skepticizëm ndaj kërcënimit të Bin Ladenit, për të vrarë të gjithë amerikanët e kapur, nëse Khaled do të ekzekutohet. Khaled mbahet i burgosur në Guantanamo dhe konsiderohet si organizatori i sulmeve të 11 Shtatorit ndaj kullave binjake. Një funksionar amerikan ka deklaruar se bëhet fjalë për një kërcënim absurd, sepse Al Kaeda nuk ka trajtuar kurrë në mënyrë njerëzore amerikanët e kapur. Zyrtari i është referuar gazetarit Danny Pearl, të cilit terroristët i prenë kokën dhe shtetasve të tjerë amerikanë të vrarë.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›