E Diel, 1 Nëntor 2026

Todor Zhivkov kërkon kthimin e Hoxhës në bllokun sovjetik

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Sofje, 20 prill 1971 – Bullgaria, aleatja më besnike e Bashkimit Sovjetik, do të bëjë përpjekjet e saj që të normalizojë marrëdhëniet si me Kinën ashtu edhe me Shqipërinë pavarësisht mosmarrëveshjeve, sipas një deklarate të sekretarit të Partisë Komuniste Bullgare, Todor Zhivkov, ditën e sotme. Zhivkov, duke mbajtur fjalimin hapës të Kongresit të Partisë Komuniste Bullgare, përfitoi nga rasti për tu bërë thirrje ish-aleatëve të bllokut sovjetik se vendi i tyre është atje. Fjalimi i tij në Kongres u dëgjua me shumë vëmendje për shkak të informacioneve në lidhje me politikën e bllokut komunist, veçanërisht në afrimin e fundit mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pesë vjet më parë, 59-vjeçari Zhivkov vendosi të propozonte konferencën e partive komuniste botërore, e cila u zhvillua në Moskë. Një qëndrim pajtues ishte mbajtur nga Zhivkovi dhe në kongresin e mëparshëm të PKB-së, por ky i fundit kishte një theks të veçantë. Por diplomatët perëndimorë thanë se fjalimi i tij ditën e sotme, që u duartrokit dhe nga udhëheqësi sovjetik, Leonid I. Brezhnjev, i pranishëm në Kongres, nuk ishte bindës ndoshta për shkak dhe të një politike të jashtme më të moderuar se çpritej. Brezhnjevi ishte i vetmi udhëheqës kryesor komunist që ishte i pranishëm gjatë seancës hapëse të kongresit, pasi shefat hungarezë dhe polakë të partive pritet tu bashkohen punimeve të kongresit ditën e mërkurë. Zhivkovi sulmoi “përpjekjet shpifëse” të kinezëve për të ndarë lëvizjen komuniste dhe “antisovjetizmin dhe oportunizmin” e regjimit prokinez të Enver Hoxhës. Megjithatë, në të dyja rastet, ai shtoi se Bullgaria do të vazhdonte përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet. Bashkimi Sovjetik po bën përpjekje për të sjellë të vetmen aleate komuniste evropiane të Kinës, Shqipërinë sërish në bashkësinë e komunizmit evropian, nga e cila Tirana u përjashtua në vitin 1961. Sovjetikët kanë pranuar se ata do të vazhdojnë fushatën e tyre, pavarësisht refuzimeve të njëpasnjëshme të Tiranës zyrtare. Ndërkohë që duke parë dhe përpjekjet e dështuara të deritanishme të vetë Kremlinit, Bullgaria dhe Gjermania Lindore, mbështetëset më të afërta të Bashkimit Sovjetik në Evropë, kanë marrë rolin e “negociatoreve” me regjimin e Hoxhës. Marrëdhëniet e këqija mes Bullgarisë dhe një tjetri fqinji ballkanik, Jugosllavisë, u vërtetua nga mungesa e delegacionit jugosllav në Kongres, ndërkohë që përfaqësues i vetëm i Titos në punimet e kongresit ishte ambasadori jugosllav që ishte i pranishëm thjesht si një vëzhgues. Mosmarrëveshjet janë pjesërisht ideologjike dhe pjesërisht historike. Lloji i centralizuar i komunizmit jugosllav është i pakonceptueshëm në regjimin e Sofjes. Për më tepër, ndasitë janë thelluar këto dy vitet e fundit për problemin kompleks dhe historik të Maqedonisë. Sot ky vend është republika e gjashtë e shteteve që përbëjnë Jugosllavinë, ndërsa dikur ka qenë pjesë perandorisë më të madhe bullgare. Regjimi i Sofjes e mohon ekzistencën e një kombi maqedonas dhe pohon se gjuha maqedonase është thjesht dialekt i gjuhës bullgare. Me lidhjet e forcuara sovjeto-bullgare që prej vitit 1968, të dëshmuara më së miri ditën e sotme gjatë lavdërimeve të papërmbajtura për Brezhnjevin e Bashkimit Sovjetik dhe thirrjeve “Brezhnjev-Zhivkov” nga delegatët, zyrtarët e Beogradit frikësohen se Bashkimi Sovjetik një ditë mund të shfrytëzojë problemin e Maqedonisë. Prapëseprapë, Zhivkovi e la mënjanë debatin në fjalimin e sotëm, duke thënë se “në marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, vendi ynë udhëhiqet nga ideja e bashkëpunimit mes vendeve socialiste për tiu përgjigjur interesave të popujve tanë...” Diplomatët perëndimorë e përshkruan këtë përpjekje të re të udhëheqësit komunist bullgar për problemet e Ballkanit si “rruga e duhur” dhe një “qëndrim i një burri shteti”. Puna kryesore e këtij kongresi do të jetë miratimi i Programit të Parë Komunist që prej Partisë Marksiste Bullgare më 1891, e cila u zhvillua me shpejtësi përgjatë drejtimit bolshevik. Programi i ri ka marrë si pikë referimi atë sovjetik dhe e lidh zyrtarisht suksesin e tij me “miqësinë e pathyeshme sovjeto-bullgare”, – një shembull i internacionalizmit në veprim. Për çështjet ekonomike, ka gjithashtu shenja se udhëheqja bullgare po merr sugjerimet e sovjetikëve për ta spostuar vëmendjen drejt produkteve të konsumatorit, edhe pse diplomatët perëndimorë thonë se kjo zhvendosje vëmendjeje është shumë e dyshimtë. Me një vështrim të dukshëm për problemet që po kalon sot Polonia, Zhivkovi u zgjat më shumë kësaj radhe për nevojat e konsumatorit dhe produkteve të industrisë së lehtë me çmime të qëndrueshme. Për herë të parë, plani 5-vjeçar, i cili duhet të miratohet nga delegatët, i kushton një vëmendje të madhe “detyrës kryesore për të përmbushur nevojat dhe kënaqësitë e njerëzve me të mira materiale, por dhe nevojat kulturore të popullit...” Ky draft i parë i planit tregoi se prodhimi i rëndë industrial do të vazhdojë të rritet më shpejtë se prodhimi i mallrave të konsumit. Por zëvendëskryeministri Lachezar Avramov tregoi menjëherë pas kësaj se prioritetet po rivlerësoheshin kur ai pyeti në mënyrë retorike gjatë fjalimit të tij se kjo lidhje reciproke duhet të zbatohej “me përulësi”.
Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›