E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiuni i KGB-së blen “The Independent” për 1 £

Autori i Lajmit: Redaksia

Londër – Një goditje e madhe në historinë e shtypit britanik, ndërsa gazeta britanike “The Independent” i është shitur miliarderit rus dhe ish-agjentit të sigurimit sovjetik, KGB, Aleksandër Lebedev. Miliarderi rus që bleu “The London Evening Standard” vitin e shkuar, ka bërë të tijën “The Independent” dhe “Independent on Sunday” për vetëm një paund nga botuesi irlandez “Independent Neës & Media”. INM madje jo vetëm që e shiti pasurinë e saj për 1 paund, por do ti paguajë Lebedevit dhe 9.25 milionë paund që gazeta të vazhdojë punën për 10 muajt e ardhshëm. Pronari i ri rus tha se shitja e gazetës që pritet të ndodhë në muajin maj, do të ruajë titujt e gazetës në të ardhmen. Djali i tij, Evgeni, pritet të jetë dhe menaxheri i gazetës. INM-ja konfirmoi se humbjet e gazetës për vitin 2009 ishin 12.4 milionë dollarë. Stafi i gazetës në Kensington e priti me ovacione një lajm kaq të shumëpritur që pritet tu japë fund problemeve të tyre ekonomike. Tashmë ranë dhe pengesat e vetme që e mbanin pezull marrëveshjen e përfolur shumë kohë më parë. Tashmë është firmosur dhe një marrëveshje e re me “Trinity Mirror”, ku pritet të shtypet gazeta për një periudhë të shkurtër. Që Lebedev të shpallë zyrtarisht pronësinë e tij mbi gazetën, duhet më parë që autoriteti irlandez i konkurrencës të japë dritën e tij jeshile në muajin maj. Shefi i INM-së, Gavin OReilly, tha: "Kjo është një nga rezultatet më pozitive për sa u përket titujve, stafit dhe aksionerëve të INM-së. Unë i uroj gazetës dhe stafit suksese të mëtejshme në të ardhmen dhe të vazhdojë të zhvillojë titujt më të rëndësishëm dhe me ndikim në shtyp. Unë besoj se Lebedev do ta çojë përpara kompaninë dhe do të mbështesë pronarët e titujve të gazetës që kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në jetën publike britanike këto 25 vitet e fundit. Unë u uroj ish-kolegëve të mi shumë suksese në të ardhmen”. Familja Lebedev lajmëroi, gjithashtu, dhe planet e saj për të ngritur një organizatë jofitimprurëse “Novaja Independent Media Foundation” (NIMF), e cila pritet të financojë projektet globale të medias. “Ne po flasim në veçanti për “Novaja Gazeta” në Rusi, “The Independent” dhe “The London Evening Standard” në Britani”, - tha Lebedev. “Ne shpresojmë që filantropistët tanë të jenë gjithashtu të interesuar në ruajtjen e kualitetit të gazetarisë dhe të ruajnë të drejtën e fjalës. Ne shpresojmë gjithashtu që ata të nxisin gazetarinë investigative dhe të sigurojnë një transparencë më të madhe në shoqëri”, - shtoi bosi i ri. Me këtë lëvizje gazeta pritet të rrisë gjithashtu dhe numrin e kopjeve të hedhura në treg, që në muajin shkurt ra në 183,547 kopje, nga të cilat shiteshin 50 për qind e totalit. Gazeta simotër e saj, “The Independent on Sunday” hedh 155,661 kopje në qarkullim, 13.27 për qind më pak, krahasuar me një vit më parë ndërsa shet 45.3 për qind të totalit.
Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›