E Shtunë, 31 Tetor 2026

PPE apel PS-së: Ndërprisni bojkotin, dialog në Parlament

Autori i Lajmit: Redaksia

Tjetër mesazh për Shqipërinë nga Brukseli. Partia Popullore Evropiane, grupimi i djathtë në Parlamentin Evropian, u bën thirrje socialistëve të ndërpresin bojkotin dhe të vazhdojnë dialogun në Parlament. “Partia Socialiste duhet ti japë fund bojkotit parlamentar”, - ka deklaruar kryetari i grupit të Partisë Popullore, në Parlamentin Evropian, Josef Daul. Deklarata e tij është bërë dje në reagim të vendimit të PS-së për të mos marrë pjesë në komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 Qershorit 2009.
Një ditë më parë drejtuesit e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian kërkuan zgjidhje sa më të shpejtë të krizës nëpërmjet transparencës së zgjedhjeve. “Ne u bëjmë thirrje forcave politike të bashkëpunojnë në Parlament dhe institucionet kombëtare të mundësojnë reformën zgjedhore dhe të vazhdojnë normalisht me procesin e integrimit të vendit. “Shqipëria është një vend që pret hapa të mëdha drejt afrimit në BE. Bojkoti parlamentar dhe akuzat e vazhdueshme po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në BE, në mënyrë të veçantë në një kohë kur çështje të rëndësishme po diskutohen, si ajo e liberalizimit të vizave. Parlamenti është vendi për të bërë dialog dhe për të zgjidhur divergjencat”, - ka nënvizuar Daul në deklaratën e tij për shtyp, e cila është publikuar në faqen online të PPE-së. “Ne konsiderojmë si themelore funksionimin e ligjit, respektimin e vendimeve të gjykatës, transparencën dhe ndarjen e pushteteve. PS mund të apelojë në gjykatë për të gjitha ankesat. Praktika e bllokimit, protestat dhe kërcënimi me bojkot dëmton procesin dhe imazhin e Shqipërisë”, - vazhdon më tej në deklaratën e tij Daul. Ai theksoi se delegacioni i Parlamentit Evropian për vendet e Evropës Juglindore ka deklaruar qartë se ishin të impresionuar nga progresi i Shqipërisë në plotësimin e kushteve teknike sa i përket liberalizimit të vizave.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›