E Shtunë, 31 Tetor 2026

Binarët, në Shqipëri para se të dilnin kancerogjene

 

DURRES/ OERD ULQINI

Binarët kance-rogjenë kanë nisur të ndërrohen me të tjerë prej betonarmeje, të cilat blihen në Maqedoni me 35 euro për copë. Ndonëse këto binarë janë "mbjellë" kudo në rrjetin hekurudhor shqiptar, ndërrimi i tyre është i sigurt. Në kuadër të rinovimit të traversave do të ndërrohen jo vetëm binarët kancerogjenë, por edhe të tjerë, të cilët janë amortizuar nga vitet.
Publikimi i skandalit të binarëve kancerogjenë ka shkaktuar një tërmet në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave. Kreu i institucionit, Zamir Ramadani është marrë personalisht me dosjen që importoi nga Italia në drejtim të Shqipërisë 30 mijë copë traversa. "Lidhur me këtë ngjarje u njoha përmes shtypit. Nuk e dija më parë këtë fakt si dhe rrezikun kancerogjen të binarëve", është shprehur Ramadani për "Panorama". Pasi ka kontrolluar me kujdes dosjen, ai shton se "bëhet fjalë për një kontratë mes dy hekurudhave dhe në asnjë rresht të dosjes nuk përmendet fjala kance-rogjene". Nga pala jonë dokumenti është firmosur nga Leonard Jani, kreu i atëhershëm i Hekurudhës Shqiptare. Gjithçka është kryer me procedurë të rregullt tenderimi. Por Ramadani siguron se importi i këtyre traversave është ndërprerë prej vitesh. "Aktualisht ne po blejmë traversa betonarmeje nga Maqedonia me çmimin 35 euro për copë", tha ai. Sipas tij, në strategjinë e Hekurudhës Shqiptare parashikohet zëvendësimi i traversave të drurit nga ato prej betonarmeje, të cilat rrisin edhe shpejtësinë dhe garancinë e trenave.
Traversat kancerogjene janë montuar në të gjitha pjesët e dëmtuara të rrjetit hekurudhor. Rreth 500 prej tyre janë vendosur në Vorë, 200 në Kashar, 1000 në Kavajë, ndërsa pjesa tjetër në Librazhd, Përrenjas, Vlorë dhe Shkodër. Vlen të theksohet se pala shqiptare ka firmosur marrëveshjen për binarët në kohën kur Brukseli nuk i konsideronte ato kancerogjene. "Letrat janë të rregullta me zhdoganime të kryera në mes të ditës. Transparenca është e plotë dhe dosja është shumë e kompletuar. Aty janë të gjitha faturat e blerjes dhe zhdoganimeve. Për sa i përket çmimit, nuk më mbetet mua të gjykoj se janë blerë shtrenjtë apo lirë me 10 dollarë copa", tha Ramadani. "Është një kontratë që hekurudha shqiptare e ka kryer me atë italiane gjatë vitit 1999. Kuptohet që janë traversa të përdorura. Nuk thuhet në asnjë vend që ato janë ndotëse apo kance-rogjene", deklaroi Ramadani.

Vendet

Vorë
Kashar
Kavajë
Librazhd
Përrenjas
Vlorë
Shkodër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›