Ndërrohet gjyqtari i Karaxhiç
Gjykatësi holandez, Alphons Orie nuk do të jetë më drejtuesi i seancave gjyqësore të Hagës kundër ish-liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç. Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte njoftoi, se procesi gjyqësor kundër Karaxhiçit do të drejtohet nga një gjykatës i ri. “Ky vendim është marrë pasi prokurorët kanë informuar gjykatën se, nuk kanë ndërmend që edhe më tej të trajtojnë rastin e Karaxhiçit me raste tjera siç kishin planifikuar fillimisht”, thuhet në njoftimin e Hagës. Por vetëm një ditë më parë Karaxhiçi ka kërkuar një gjykatës të ri nga Haga, me pretendimin se Orie nuk është neutral, meqë tashmë kishte dënuar një nga ndihmësit e afërt të tij. Në një letër e cila u bë publike nga Haga, Karaxhiçi shkruante se Alphons Orie, kishte një “interes personal” për ta dënuar atë. “Eshtë e qartë se ai nuk mund të jetë i paanshëm, pasi ka dënuar në mënyrë drastike të gjithë bashkëpunëtorët e mi”, shkruante Karaxhiçi në letrën drejtuar Fausto Pocar, presidentit të Gjykatës. Seanca e parë e Karaxhiçit u zhvillua më 31 korrik dhe u drejtua nga Orie. Seanca e dytë ku pritet që Karaxhiç të deklarohet fajtor ose jo për veten, do të zhvillohet më 29 gusht.