Tri dite zie për viktimat e avionit në Madrid
Kryeministri spanjoll, Hose Luis Rodrigez Zapatero, ka shpallur tre ditë zie kombëtare për viktimat e katastrofës më të rëndë ajrore për Spanjën gjatë 25 viteve të fundit. Si pasojë e një aksidenti të rëndë ajror, që ndodhi në aeroportin e Madridit ku një avion mori zjarr, kanë humbur jetën 153 persona. “Vetëm 19 pasagjerë i kanë mbijetuar kësaj tragjedie, të cilët janë plagosur shumë rëndë”, njoftoi ministrja spanjolle e Komunikacionit në Madrid, Magdalena Alvarez. Sipas të dhënave të shoqërisë ajrore, “Lufthansa”, në mesin e viktimave janë dhe katër gjermanë. Një avion pasagjerësh i tipit MD-82 i Shoqërisë Ajrore Spanjolle, “Spanair”, shpërtheu ndërsa tentoi të ngrihej në ajër. Avioni do të fluturonte për në Gran Kanaria. Në bord ishin mbi 160 vetë, mes të cilëve edhe 20 fëmijë, dy foshnja të sapolindura.