Përgjaket Pakistani,dy sulme vetëvrasëse
Të paktën 64 persona kanë humbur jetën dhe 100 të tjerë janë plagosur dje në dy sulme vetëvrasëse në Pakistan. Sipas policisë së vendit, sulmet terroriste janë kryer para ndërtesës së fabrikës më të madhe pakistaneze për armë, në qytetin Taksila afër Islamabadit. Shpërthimet kanë jehuar pothuajse njëkohësisht para dy hyrjeve të fabrikës. Policia menjëherë e ka bllokuar rajonin, ndërsa 25 autoambulanca kanë shkuar në vendngjarje. Ky është sulmi i dytë me bomba, që ndodh në Pakistan që pas dorëheqjes së Presidentit Pervez Musharraf. Lëvizja talibane deklaroi përgjegjësinë për këto akte. “Dy burra kanë hedhur veten në erë, në dy portat e fabrikës gjatë ndërrimit të turneve”, tha për AFP shefi i policisë pakistaneze, Nasir Durrani. Kryeministri pakistanez, Yousuf Raza Gilani e dënoi aktin dhe premtoi se, do të gjejë “duart e fshehura pas këtij incidenti”.