E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republika dhe natyra

Prof. Dr. Artan Fuga 

Një përfaqësues radikal i majtë i revolucionit Nëpërmjet analizës së ligjërimit të Maksimilian Robespierrit në seancat e Konventës si edhe në klubet  jakobine përgjatë periudhës 1792–1794, kemi mundësi të hedhim vështrim mbi dokumente të rëndësishme historike që nga njëra anë dëshmojnë për atë periudhë që përmbajti Revolucionin Francez, shqetësimet dhe dilemat e aktorëve politikë kryesorë që korrën pjesë në të, por të ndjejmë edhe tragjizmin dhe kundërshtitë që e kanë shoqëruar atë, sikurse çdo revolucion tjetër që ka hapur faqe themeltare të reja të librit të madh të historisë. Në planin e ideve politike dhe filozofike kemi të bëjmë me një problematikë dhe këndvështrime që pa i paragjykuar, duke i vendosur në kohën e tyre, përsëri mund të themi se vazhdojnë të mbeten objekt debatesh edhe në shekujt e mëpasmë, apo edhe në ditët e sotme, në fusha të tilla si filozofia e së drejtës apo filozofia politike. Kuptohet që në ligjërimet që na kanë mbetur si monumente të retorikës politike, Maksimilian Robespierri nuk ndërton tekste abstrakte filozofike. Avokati i të varfërve në Arras, pastaj një nga anëtarët më aktivë të Komitetit të Shpëtimit Publik prej 12 vetësh, anëtari i Konventës dhe i klubeve jakobine, ai e shtjellon këndvështrimin e tij nëpërmjet fjalimesh politike pasionante, shpeshherë të mbështetura thjesht në pika plani të hedhura me shpejtësi mbi letër, dhe të shtjellura më gjatë gojarisht, përpara përkrahësish besnikë, por edhe kundërshtarësh seriozë. Mbi 700 urdhëresa të Komitetit të Shpëtimit Publik, ku ai hyn më datë 27 korrik 1793 dhe qëndron atje për një vit fiks, mbajnë firmën e tij dhe janë në fakt zbatime të ideve politike që ai mbron me zjarr. Në këtë paraqitje, do të përpiqem të trajtoj shkurt disa çështje që kanë të bëjnë me kuptimësinë e këtij mendimi politik në aksion, duke e analizuar atë në vija të përgjithshme, aspak shteruese, pra duke lexuar pikërisht korpusin e fjalimeve të Robespierrit për periudhën e marrë në shqyrtim. Nuk do të marrë kohë për të folur për etapat e Revolucionit dhe as specifikisht për periudhën 1792–1794, vit kur pasi shkarkohet dhe dënohet nga ish-miqtë e tij dhe kundërshtarët e vet, ekzekutohet, duke i dhënë kështu në një farë mënyre fund periudhës që nuk kanë munguar ta quajnë edhe atë të “Terrorit” që shoqëron “Frikën e Madhe”, koncept që shënon gjithë atë pështjellim që njihnin në atë kohë të 84 departamentet e Francës.
Republika si shtet ligjor
Pika e parë që dëshiroj të ve në dukje është se në të gjithë mendimin e tij politik, Robespierri shfaqet si një politikan i frymëzuar nga idetë iluministe. Influencat e Rusoit si edhe të mendimtarëve të tjerë iluministë duken qartë mbi të. Nga kjo pikëpamje, nuk ka dyshim se ai paraqitet mbrojtës i ideve demokratike, kundër tiranisë dhe arbitraritetit, kundër privilegjeve dhe sundimit absolut mbi popullin, partizan i flakët i idesë së madhe se “Njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë”, çka solli edhe zhdukjen e privilegjeve me një vendim solemn të Asamblesë në 4 gusht 1789. Dëshira dhe bindja e tij për shtetin e mbështetur në ligj, shtetin e drejtës, Republikën, duken qartë në fjalimet e tij prej oratori të flaktë. Në fjalën e tij të datës 24 prill 1793 në Konventë ai bën thirrje për një Deklaratë të re të të Drejtave të Njeriut, duke i paraqitur idetë e tij në formën e normave të qarta dhe duke shtjelluar parime të hapura demokratike dhe republikane. Republika ishte gjithçka për të. Individët e barabartë nuk ishin veçse qytetarë, sikurse i hap me këtë emër thirrës edhe vetë fjalimet e tija. Shteti dhe pushteti duhet të mbështeten në ligj. Ligji del nga populli dhe shpreh vullnetin e përgjithshëm popullor. Është e rrezikshme, sipas tij, çdo Kushtetutë që nuk mbështetet fort së paku në dy parime të mëdha që janë nënkuptimisht ato se “populli është gjithmonë i mirë”, dhe “nëpunësit janë të korruptueshëm”.  Duke u ngritur kundër edhe mikut të tij të dikurshëm Danton, Robespierri shprehet se i mbetet deri në fund besnik vlerës se asnjë e keqe nuk vjen nga populli, të këqijat mund të vijnë vetëm nga qeverisja. Po këtu, ai deklaron pa mëdyshje se të drejtat mbështeten në ligj dhe se të drejtat themelore të qytetarit janë të paparashkrueshme. Pushtetet jo vetëm duhet të jenë të ndara, por edhe vetë pushteti ekzekutiv duhet të ndahet sipas degëve që e përbëjnë. E drejta e çdokujt është e plotë dhe ajo mund të kufizohet me ligj vetëm nëse cenon të drejtën e tjetrit.
Kushtet e jashtëzakonshme të anashkalimit të ligjit
Mirëpo këtu na shfaqet një moment i dytë i rëndësishëm, që ka lidhje pikërisht me atë se shpesh në histori ngjarjet dhe kontekstet historike nuk janë aq të thjeshta, por shpesh shumë të ndërlikuara, aq të ndërlikuara saqë e kanë vështirë të hyjnë lirshëm brenda një kuadri ideologjik dhe filozofik të përgjithshëm parimor. Duke i hedhur një vështrim analitik fjalimit të Robespierrit në datë 28 tetor 1792 para klubit të jakobinëve, ku ai i Faubourgut të Saint Honoré – së mbetet mëse i famshëm, pikërisht në kohën kur gjatë seancave të para të Konventës zhirondinë si Brissot e miq të tjerë të tij akuzojnë Komunën e Parisit, veçanërisht Maratin dhe kërkojnë një hetim mbi veprimtarinë e vetë Robespierrit, na dalin në pah disa qëndrime që kalojnë përtej nocionit të ligjshmërisë, në kushtet e revolucionit. Po të njëjtin frymëzim kanë edhe fjalime të tjera ku veçoj atë të 3 dhjetorit 1792, në Konventë, në të cilin Robespierri kërkon dënimin me vdekje të Mbretit që ai nuk e quan veçse thjesht “Luigj”. Si e legjitimon këtë qëndrim në favor të një veprimtarie kolektive të pambështetur në ligj, ai që shfaqet sinqerisht në fjalimet e tija si mbrojtës i flakët i një shteti republikan, pra tërësisht dhe rreptësishtë ligjor? Mos kemi të bëjmë me dy qëndrime kontradiktore? Mos kemi shfaqje inkoherence logjike? Mos vallë historia me ndërlikueshmërinë e saj alienon edhe mendimin politik dhe filozofik më besnik ndaj vetes? Përgjigjet e Robespierrit vijnë në vazhdim. Ai thotë se shpesh ajo që quhej terror nuk ishte veçse etiketim pezhorativ nga shpifësit, përfaqësues të regjimit të vjetër, apo mbrojtës të absolutizmit të dikurshëm, të veprimeve kolektive të masave të qytetarëve për të vënë në vend drejtësinë e munguar apo për ta zbatuar atë në format më të përshtatshme revolucionare. Liria e shprehjes sado e mbështetur në ligjet e Kushtetutës, në kushtet revolucionare, rrezikon të kthehej, sipas tij, në një hapësirë të rrezikshme lirie pikërisht për ata që kërkonin ta mbysin lirinë që jep Republika. Armiqtë e republikës nuk i konsideron si qytetarë, pavarësisht se flet për “vullnetin e përgjithshëm të popullit”. Devijimet kushtetuese të frymëzuara nga Lafajeti, shprehet në gjykimin e tij Robespieri, kanë dhënë mundësi pikërisht që “les calomniateurs” (shpifësit) të gjejnë komfortin e një aksioni të pandëshkuar. Në këtë pikë ai nuk nguron ta hedhë vështrimin e rreptë ndëshkues edhe mbi gazeta të kohës me prirje ruajaliste ose aristokratike që i quante në frëngjisht si shprehje të “feuilletantisme-it”, pra si pak a shumë si “paçavure letre”, po ta kthenim në një shqipe të ashpër denigruese. E gjitha kjo ndërkohë që pohon njëkohësisht se është partizan i flaktë i lirisë së shprehjes. Duket se Republika si një sipërmarrje e madhe politike në fazat e para të saj i dukej se kërkonte që të mbështetej në metoda e masa që nuk kishin të bënin me zbatimin e ligjshmërisë së pastër republikane. Mjetet dhe qëllimet hynin kështu në një farë konflikti me njeri tjetrin. Shpeshherë, po sipas Robespierrit, aktet e anarkisë i nxisnin vetë përfaqësuesit e reaksionit për ta vendosur Asamblenë Kushtetuese para frikës së lëvizjeve të pakontrolluara masive, pra për ta bërë shumë të përmbajtur në reformat e saj ligjore dhe sociale. Mendimi i tij politik shfaqet edhe më qartë kur kërkonte dënimin me vdekje të një farë “Luigji”, sikurse e thërret, e që në fakt nuk ishte veçse vetë Mbreti, Madhëria e Tij, Luigji i Gjashtëmbëdhjetë. Në debatin e tij kundër anëtarit tjetër të Konventës, Pétion (zhirondin), Robespierri derdh të gjithë oratorinë, bindjet e tija të palëkundura, si edhe natyrën e tij të vendosur, të ashpër dhe partizane.
Ata që viheshin në mbrojtje të domosdoshmërisë për një proces gjykimi legal të rastit të Mbretit, kërkonin ta tërhiqnin debatin publik në Konventë dhe jashtë saj drejt kontradiktës logjike të formuluar në pyetjen: A mund të “gjykohet mbreti”. A mund të vendoset Mbreti para një gjykate? Kjo ishte pyetja që peshonte fort mbi ata që do t’iu duhej ta mbështesnin veprën e tyre mbi arsyetimin që kërkon drejtësinë dhe të mos pranonin të kryenin si racionalistë të vendosur që ishin asnjë akt arbitrariteti për të mos u turpëruar në sytë e “posterioritetit”, pra të brezave që do të vinin. Padyshim që Mbreti nuk mund të vendoset para një gjykate - ishte mendimi i Robespierrit. Në radhë të parë, sepse kjo krijonte një kontradiktë logjike ndërkohë që vet Mbreti kishte qenë garant i legjislacionit. Së dyti, gjykatat ishin të mbushura pikërisht me individë që nën rrogoz mbeteshin ruajalistë. Ai ndruhej pra se një proces ligjor, gjyqësor, kundër Mbretit do të hynte në mijëra labirinte “deliberation-i” të panevojshëm dhe juridikisht të pazgjidhshëm. Për të nuk kishte nevojë për proces gjyqësor. Drejtësia dhe ligji janë dy koncepte që shkojnë së bashku, pothuajse janë identike, atëherë kur bëhet fjalë që qytetarët të gjykojnë veten e tyre, ose njëri-tjetrin, kur bëhet fjalë për çështje civile, kur është fjala për një rend bazuar te vetja e tij, pra për një qeverisje në vazhdimësi. Ndërsa kur është fjala për të ndëshkuar një armik, një tradhtar të kombit sikurse e quan ai Mbretin, kur është fjala për periudha përmbysje regjimesh, kur është fjala për të bërë drejtësi kundër Mbretit që çfronëzohet nga populli është e pamundur që kjo çështje të zgjidhet me gjyq. Në këtë fjalim Robespierri ripërsërit qëndrimin e tij kundër dënimit me vdekje. Por, edhe këtu ai sqaron se është në këto pozita kur bëhet fjalë për një individ a kriminel ordiner. Një i tillë nuk mund të dënohet me vdekje sepse kjo do të përbënte një krim përderisa ky i fundit nuk rrezikon të “vdesë” kombin. Dënimi do të ishte i ekzagjeruar dhe nuk do të përmbahej brenda përmasave të drejtësisë. Por, Mbreti, gjykonte ai, në kushtet kur ndodhej, mund ta rrezikonte kombin dhe Republikën me vdekje. Ai veç të tjerash gjykonte edhe si një konsekuencalist, pra nisej nga pasojat e dhënies së drejtësisë. Një proces gjyqësor thjesht legal kundër Mbretit jo vetëm rrezikonte ta shpallte këtë të fundit si të pafajshëm, por edhe do t’iu jepte mundësinë “faktions - eve” ruajaliste të rishpallnin idetë e tyre në publik duke e futur vendin në kaos. Ata kishin filluar të ngrinin kokë dhe nuk paraqiteshin më të përulur si më parë. Mbajtja e Mbretit në burg, dhe aq më shumë dënimi i tij në gjykatë, do të kishin, sipas tij pasoja fatale.
Populli si forcë natyrore
Pika e tretë ku do të dëshiroja të ndalesha për ta mbyllur arsyetimin e tij ka të bëjë me përpjekjen për të gjetur një farë koherence midis republikanizmit të Robespierrit dhe një drejtësie të vendosur direkt nga vullneti përgjithshëm popullor, në të mirë të tij, sikurse ai deklaronte, por përtej një mbështetje formale ligjore. Si i bashkonte Robespieri republikanizmin nga njëra anë dhe ndëshkimin, drejtësinë e zbatuar pa mbështetur në ligj dhe dhënë jashtë një procesi ligjor gjyqësor? Sado kontradiktore qe të duket, revolucionari i vendosur, “l’incorruptible”, i bashkon këto dy qëndrime mbi bazën e konceptit të tij mbi të drejtën natyrore.     Ndikimi i tij filozofik nga Xhon Loku duket në mënyrë shumë të qartë. E drejta e popullit për të reaguar ndaj padrejtësive mbështetet në të drejtën natyrore. Përderisa ligji është shprehje e vullnetit të popullit, nuk ka kuptim, shprehej Robespierri, që kur populli kryengritës vepron në mënyrë të drejtpërdrejte, kur shpreh një vullnet politik, ai të cenohet apo kufizohet nga ndonjë ligj i çfarëdoshëm. Veprimi popullor është mbi ligjin përderisa ligja nuk është veçse shprehje e vullnetin të përgjithshëm të popullit. Akti masiv politik i popullit të rebeluar dhe kryengritës kundër një Mbreti që ka shkelur “kontratën” e tij me popullin, është automatikisht, në parim, edhe një akt juridik. Akti juridik më sublim. Më tej ai thekson edhe argumentin se populli ka të drejtë të ngrejë krye atëherë kur atij i shkelen liritë dhe të drejtat themelore humane. Në këtë rast, populli hyn në “gjendje natyrore”, çka do të thotë se ka të drejtë të ndërmarrë akte drejtësie në formën e një vetëmbrojtjeje të parregulluar medoemos nga norma ligjore. Në gjendjen natyrore, po t’i mbetemi besnik konceptit të ligjit natyror të shprehur nga Xhon Loku te vepra e tij “Traktat mbi qeverisjen civile”, drejtësia nuk mbështetet te kurrfarë ligjesh juridike, por te ligjet natyrore të konservimit të jetës.
Kombi apo turma
Për ta mbyllur, duhet thënë se megjithatë Robespieri nuk mund ta plotësojë krejtësisht në mënyrë koherente mendimin dhe arsyetimin e tij politik. Së pari, sepse i mbetej për të përcaktuar se kush do të quhej “popull”, për të kuptuar pastaj nëse kemi të bëjmë me vullnet të përgjithshëm popullor apo me pjesë të veçanta të tij. Me popull do të kuptojmë të gjithë qytetarët e shoqërisë sikurse do të shprehej Rusoi, apo vetëm shumicën e tyre, apo vetëm pjesa aktive të opinionit publik? Së dyti, mbetet e errët pjesa e arsyetimit që duhet të zbulojë nëse populli është legjitim vetëm kur vepron me arsye apo edhe kur është nën veprimin e pasioneve psikologjike të furishme. Sigurisht, nuk mund t’i kërkohet Robespierre-it të njihte psikologjinë e turmave që do ta përpunonte Gustav Le Bon dy shekuj më pas. Kur masa quhet popull, tërësi qytetarësh dhe kur përbën një turmë delikuente? Së treti, mbetet gjithmonë për t’u diskutuar nëse vullneti i përgjithshëm rreth një çështjeje shprehet një herë e mirë, brenda një çasti të dhënë, i shprehur në mënyrë absolute, të pakohë, për të gjithë periudhën e mëpastajme. Ka të drejtë pra populli të ndryshojë mendim? Mbetet konstant vullneti i përgjithshëm shoqëror? Pra, është i njëjtë vullneti popullor në 14 korrik 1789 me atë të fillimit të vitit 1793? Së katërti, kush e “lexon” vullnetin e përgjithshëm shoqëror? Nuk kanë mundësi të gabojnë liderët që e interpretojnë atë? Liderët politikë, janë ata që ndjekin vullnetin e përgjithshëm, apo përkundrazi e manipulojnë duke e krijuar këtë vullnet nëpërmjet propagandës dhe medias? Gjithsesi këto janë pyetje që shtrohen sot në filozofinë e së drejtës dhe atë politike, e nuk mund t’i kërkojmë të zgjidheshin atëherë kur ato sapo kishin lindur përgjatë një aksioni të madh politik sikurse ishte Revolucioni Francez, që hapi përtej këtyre dilemave një faqe të ndritur në histori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›