E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet flluska e Beratit. Socialistët s’paraqesin asnjë provë që do justifikonte rinumërimin e votave të pavlefshme

KQZ-ja, thuajse me unanimitet ka rrëzuar dje kërkesat e paargumentuara të rivlerësimit të votave të pavlefshme të Qarkut të Beratit, vetëm se Edi Rama kërkon kohë për të njollosur zgjedhjet e për të mbajtur nën kontroll disidentët brenda PS-së


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje me shumicë votash (4 vota pro dhe 2 kundër) kërkesat ankimore të paraqitura nga PS dhe G 99 për rezultatin e tabelës së rezultateve të qarkut Berat. Objekt i dy ankesave ishte kundërshtimi i vendimit të KZAZ-ve nr 1, 2 dhe 3 të këtij qarku për tabelën përmbledhëse të rezultateve, duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave të pavlefshme. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke iu përgjigjur argumenteve të përdorur nga  përfaqësuesit ligjorë të PS-së për të miratuar ankesën, tha “se nuk duhet shfrytëzuar ligji për të dëmtuar integritetin e procesit zgjedhor”. Pas debateve të ashpra mes përfaqësuesve të të dyja krahëve, sipas argumentimit të kryetari Ristani, kërkesa e socialistëve nuk kishte prova të vlefshme për të bërë rinumërimin e 3 mijë fletëve të shpallura të pavlefshme. “Propozoj që kërkesa e socialistëve të rrëzohet si e pabazuar në prova dhe në ligj” tha kryetari i KQZ-ës, Arben Ristani. Më herët, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi duke mbështetur ankesat e dy subjekteve dhe duke iu referuar nenit 138 të Kodit Zgjedhor, kërkoi rivlerësim të votave për këto KZAZ. Në kundërshtim me këtë qëndrim të saj u shpreh përfaqësuesi i PD-së, në KQZ, Njazi Kosovrasti, i cili e konsideroi “të pavend dhe të jashtëligjshme” propozimin e Subashit. Diskutimi i Kosovrastit ngjalli reagimin e ashpër të nënkryetares, e cila u largua nga mbledhja, pas shkëmbimit të replikave me të. Përfaqësuesi i PD-së duke i kërkuar KQZ-së rrëzimin e kësaj ankese tha se, “procesi në qarkun Berat është i çertifikuar nga komisionerët e PD-së e PS-së dhe nuk ka pasur kontestime. Nuk mund të hidhni baltë mbi procesin kur atje keni bënë vetë në shumicë dhe keni drejtuar procesin e numërimit të votave. Kërkesa e PS-s është e urdhëruar politikisht dhe zgjedhjet sidomos ato në qarkun e Beratit ka qënë të shkëlqyera,  në mirëkuptim të plotë mes të gjithë komisionerëve", tha Kosovrasti në mbledhjen e sotme të KQZ-së. Sipas rezultatit zyrtar paraprak të KQZ-së, në Qarkun e Beratit koalicioni “Aleanca e Ndryshimit”, fitoi 3 mandate, Aleanca Socialiste për Integrim 1 mandat dhe koalicioni “Bashkimi për ndryshim”, 4 mandate. Ndërkohë, KQZ-ja vendosi të shqyrtojë sot kërkesat ankimore të paraqitura nga subjektet politike lidhur me procesin zgjedhor në qarkun Tiranë. Dje KQZ-ja u njoh me disa ankesa të forcave politike,që kundërshtojnë vendimet e zonës zgjedhore Qarku Tiranë, për rezultatet në disa KZAZ të tij. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, pjesë e koalicionit të majtë “Bashkimi për ndryshim”, kërkoi rinumërim të votave në KZAZ-të nr. 49, 54 dhe 56, pasi votat në favor të këtij subjekti nuk figurojnë në tabelën e rezultateve. Kjo kërkesë e PBDNJ-së, iu rikthye për plotësim dokumentacioni subjektit përkatës. Ndërkohë, që Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK), pjesë e koalicionit “Poli i Lirisë”, u ankimua pranë komisionit zgjedhor duke kërkuar rinumërim të votave në KZAZ-në nr. 49, 45, 51 dhe 54 në Tiranë. Gjithashtu, dhe PS kundërshtoi vendimet e KZAZ-së nr. 55, 56, 57, 58 59 dhe 60 po të qarkut Tiranë. Nisur nga numri i madh i ankesave për këtë zonë zgjedhore, Komisioni ra dakord që ankesat të shqyrtohen paraditen e ditës së nesërme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›