E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bingo për dhjetor

Dikush ka marrë para përpara zgjedhjeve. E dikush tjetër pret që ato t’i marrë para festave të dhjetorit . Shërbyesit civilë të Kosovës për këtë fund viti do të marrin afër 500 euro plus. Kjo do të bëhet në emër të shujtës për nëntë muaj. Pritet që kjo të paguhet me pagat e dhjetorit. Por, shujtat për policët e Kosovës varen nga vullneti i Qeverisë. Nga Nexhmije Ahmeti më 20 dhjetor 2010 në ora 09:52

Shërbyesit civilë që punojnë në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave janë më me fat se kolegët e tyre nga ministritë dhe institucionet e tjera.

Dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në vend, në kontot e shërbyesve civilë të MEM-it janë derdhur paratë e shujtës për nëntë muaj.
Përveç pagës që paguhen si shërbyes civilë, ata kësaj radhe kanë marrë edhe 495 euro plus si kompensim për shujtat.

“Dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, për shujta na janë dhënë 495 euro. Kjo i bie që një muaj na janë llogaritur nga 55 euro”, tha për Express një shërbyes civil nga kjo ministri.

Zotimi për pagesën e shujtës në mënyrë retroaktive që nga prilli është bërë në një takim në mes të kryetarit të Sindikatës së shërbyesve civilë, Mursel Zymberi dhe kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, muajin e kaluar.

Aty ishte premtuar se krahas pagave të dhjetorit, do të bëhen edhe pagesat e shujtës duke respektuar marrëveshjen e nënshkruar në muajin prill që shujtat t’u paguhen të gjithë shërbyesve civilë.

Por jo të gjithë shërbyesit civilë që punojnë nëpër institucionet e Kosovës i kanë marrë paratë për shujtë.

Visar Xani, zyrtar për informim në Ministrinë e Administratës Publike, tha se secili institucion i ka përgjegjësitë e veta.

Paratë për shujtë, sipas Xanit, secili institucion i paguan nga buxheti i tyre që e kanë për paga dhe mëditje.

“Secili institucion i ka njësitë e veta buxhetore dhe e ka obligim që nga ai buxhet t’i paguajë mjetet për shujta ashtu siç edhe është marrëveshja”, tha Xani për Express.

Njëra ndër ministritë që nuk u janë paguar mjetet për shujtë, është edhe Ministria ku punon Visar Xani. Ai konfirmon se në MAP ende nuk është paguar shujta, por kjo pritet që të bëhet me pagën e dhjetorit. Përveç MAP-it, janë edhe disa institucione të tjera që ende nuk e kanë kryer këtë obligim, por që pritet të bëhet në fundvit. “Për ato ministri që nuk kanë mundësi të paguajnë shujtat, këtë obligim e ka marrë që ta bëjë Qeveria e Kosovës”, tha Visar Xani.

Po ashtu, edhe çmimi për një shujtë ditore mund të dallojë nga institucioni në institucion. Një shujtë ditore është paraparë që të jetë në vlerë prej dy eurove, por ka ministri që do të paguajnë më shumë. “Krejt kjo varet nga buxheti që kanë”, tha Xani.

Përveç shërbyesve civilë, nga ky implementim i marrëveshjes së prillit edhe dikush tjetër ka mbetur i kënaqur. Mursel Zymberi është kryetar i Sindikatës së shërbyesve civilë të Kosovës. I kontaktuar nga Expressi, të dielën, Zymberi dukej shumë i relaksuar se po realizohet ajo për çka është angazhuar. “Në të gjitha bisedat që kam pasur me zyrtarët e institucioneve, kam thënë se kjo pagesë që më është premtuar është kusht i domosdoshëm për paqe sociale të shërbyesve civilë”, tha Mursel Zymberi.

Por edhe më i kënaqur se për këtë, Zymberi shprehet për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit me kryeministrin në largim për rritje pagash prej 30 për qind nga viti i ardhshëm. Zymberi sqaron se sipas këtij memorandumi, pagat e shërbyesve civilë që nga janari 2011 do të rritet për 30 për qind plus edhe 30 euro për shujta dhe transport.

Zymberi thotë se kjo çështja e shujtave do duhej të ishte harruar qysh moti, por “më mirë vonë se kurrë”.

Policët me (pa) shujta

Ka mundësi që edhe policët e Kosovës të gëzohen në këtë fund viti. Por krejt kjo varet nga vullneti i Qeverisë së Kosovës që edhe policëve sikurse shërbyesve civilë t’iu paguhet shujta. Ndonëse policët nuk hyjnë në kategorinë e shërbyesve civilë, drejtori i Policisë, Reshat Maliqi thotë se edhe policëve duhet t’iu paguhet shujta sikurse shërbyesve civilë. “Kjo pasi që deri në tetor kemi qenë në atë kategori, por edhe me Ligjin për Policinë parashihet pagesa e shujtës”, tha Maliqi.

Sipas Maliqit, buxheti i Policisë nuk ka mundësi që të bëjë pagesën për shujta, mirëpo është kërkuar nga MEF-i që të derdhë mjete në llogari të policëve. “Deri më tani, nuk kemi ndonjë përgjigje, qoftë negative apo pozitive. Po shpresojmë se do të ketë mirëkuptim nga Ministria e Ekonomisë”, tha Maliqi.

21 mijë shërbyes civilë

Aktualisht në Kosovë janë 21 mijë e nëntë shërbyes civilë. Nga një përllogaritje matematikore, del se nga buxheti i Kosovës për shujta do të shpenzohen mbi 10 milionë euro. Që nga tetori, në Ligjin për shërbyesit civilë nuk hyjnë mjekët, punëtorët e arsimit , policia, zjarrfikësit dhe pjesëtarët e FSK-së.

Fakte:

Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me Sindikatën e shërbyesve civilë të Kosovës, më 27 nëntor, e cila parasheh rritjen e pagave për 30 për qind, ku hyn shujta dhe transporti. Memorandumi pritet të implementohet nga data 1 janar 2011. Me këtë rast, kreu i Qeverisë në dorëheqje është zotuar se në mandatin e ardhshëm katërvjeçar si prioritet do të jetë avancimi i statusit të shërbyesve civilë, me theks të veçantë përmirësimi i pozitës materiale.

“Gjithashtu do të zotohemi me qëllim të përmirësimit të kushteve të shërbyesve civilë që për vitin buxhetor 2011 do të rriten pagat e të gjithë shërbyesve civilë të Kosovës, nga janari i vitit të ardhshëm për 30 për qind, pra duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm. Ky është edhe zotim dhe vendim në të njëjtën kohë, zotohemi se në këtë memorandum do të përfshijmë edhe transportin e gjithë shërbyesve civilë të implementojmë. Ky memorandum hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”, ka thënë Thaçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›