Bino: Presidenti foli me gjuhën e PS, mbajti qëndrim politik
Ligji për “Menaxhimin e Mbetjeve”, reagon Ministria e Mjedisit
Zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, ka reaguar ndaj kthimit për rishikim në Kuvend në lidhje me draft-ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, i cili nuk u dekretua nga Presidenti Topi. Sipas zëvendësministrit Bino, refuzimi i ligjit në mungesë të argumenteve kushtetuese, është një qëndrim i pastër politik i kreut të shtetit, pasi ligji në fjalë është kundërshtuar nga Partia Socialiste.
“Refuzimi nga Presidenti është një e drejtë kushtetuese e tij. Por refuzimi në mungese të argumenteve kushtetuese është padyshim një akt i pastër politik në mbështetje të partisë që ka krijuar ose që do të krijoje. Refuzimi është pengese e Qeverisë në funksionin e saj ligjor për menaxhimin e mbetjeve sipas standardeve të BE-së. Refuzimi le në fuqi me ose pa dashje sistemin aktual të menaxhimit që për ne të gjithë është i mangët”, u shpreh Bino.
Ai theksoi se draft-ligji është në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar të deritanishëm, nuk shfaq asnjë kundërshti mes dispozitave të tij, është hartuar me kërkesën, ekspertizën i financuar dhe i mbikëqyrur nga Bashkimi Europian nëpërmjet projektit INPAEL, transpozon në mënyrë të plotë “Direktivën Europiane Kuadër për Mbetjet” dhe ka marrë parasysh dhe sugjerimet e ekspertëve më të mirë të mjedisit në Shqipëri.