E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria do t’i shndërrojë malet në zonat turistike më tërheqëse”

16-10-2011 / Gazeta 55

Berisha inauguron në Krujë rrugën e pelegrinazhit, Fushë Krujë – Krujë – Sarisalltik

Kryeministri Sali Berisha, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës Fushë Krujë – Krujë – Sarisalltik, e njohur si rruga e Malit të Krujës, e cila të çon në vendin e shenjtë të Sarisalltikut, me gjatësi 9 kilometra, gjerësi 6 deri në 8 metra dhe vlerë investimi 343 milion lekë.
Rruga e Sarisalltëkut, e cila i shtohet rrjetit modern infrastrukturor të vendit, është e njohur për pelegrinazhin e pandërprerë të mijëra besimtarëve e turistëve që vizitojnë këtë vend të shenjtë. Kjo rrugë turistike është gjithashtu një portë drejt monumenteve të rralla natyrore të zonës.
“Shpreh sot gëzimin e madh, kënaqësinë time që inaugurojmë këtë rrugë, në majën, e cila sjell këtu, në ballkonin e Skënderbeut, në majën e malit të Krujës, në vendin e shenjtë të Sarisalltikut, ndaj dhe le tu dërgojmë ne, një përshëndetje vëllazërore të gjithë shqiptarëve nga ballkoni i Skënderbeut, ti garantoj se në vitet në vazhdim, kjo qeveri do të bëjë gjithçka që ti shndërrojë malet në zonat turistike më tërheqëse të vendit, që malet e këtij vendi, nga vende mundimi dhe skamje të shndërrohen  në vende dëfrimi dhe mëkëmbje, të bëhen të njohura dhe në mbarë botën. Kam shumë kënaqësi që kjo rrugë inaugurohet dhe i sjell qytetarët e Krujës , i sjell qytetarët e mbarë Shqipërisë në vendin e shenjtë të Sarisalltikut, shenjtorit që e nisi shekuj më parë Haxhi Bektash Valiu dhe erdhi të prehet këtu, në majën e malit të Krujës, u shndërrua në orën e qytetit, ndihmoi Skënderbeun në të gjitha betejat që fitoi dhe mbeti këtu i nderuar dhe i pavdekshëm. Jam këtu, gjithashtu për tu angazhuar se shumë shpejt do të ndërtojmë rrugën tjetër për Qafë–Shtamë, një nga zonat turistike më të bukura të Shqipërisë. Kemi përfunduar projektin e rrugës Krujë –Tiranë dhe po i bëjmë retushimet e fundit. Zoti Krytar i Bashkisë, Kruja do të ketë ujë 24 orë, në mënyrë që ky qytet i mahnitshëm, i bukur, ky qytet ku rreh zemra e madhe e historisë sonë kombëtare të ketë gjithçka që ka një qytet i standardeve evropiane. Kruja është krenaria e kombit, është kryeqytetit i përjetshëm historik i shqiptarëve. Turistët që vizitojnë Krujën, vizitojnë muzeun e Skënderbeut dhe muzeun  e mrekullueshëm etnografik të qytetit tuaj, vizitojnë kështjellën, rrugën e pazarit, shijojnë gatimet, ushqimet dhe prodhimet tuaja. Që të gjithë kur kthejnë kokën nga maja e malit do të donin të gjendeshin në majën e saj. Ja që tani mund të vijnë me lehtësi në njërën prej rrugëve më të bukura dhe më panoramike të vendit. Zoti Kryetar, ju falenderoj shumë për urimin që më bëtë dhe më duhet tu rrëfej këtu, të dashur qytetarë dhe qytetare të Krujës, se pasioni im për majat daton në fëmininë time të hershme. Për ata që rriten në Alpe, ngjitja në majë është heroizmi i tyre i parë fëminor, mirëpo mua pasioni për majat nuk mu shua kurrë, ndaj dhe kam kënaqësinë më të madhe që sot festoj ditëlindjen time, në ballkonin e Skënderbeut, në majën e malit të Krujës”, u shpreh Berisha.
Gjatë viteve të fundit, në rrethin e Krujës janë ndërtuar 121 km rrugë dhe segmente rrugore, 11 ujësjellës, 13 shkolla,  si dhe  21 qendra shëndetësore e ambulanca. Gjithashtu, janë restauruar Pazari karakteristik, kalldrëmi për në Kështjellën historike, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të turistëve.
Pas ceremonisë së inaugurimit, kryeministri Berisha vizitoi teqenë, në vendin e shenjtë në Sarisalltik, ku u kryen edhe ritet fetare. Më pas, kryeministri vizitoi Selinë e Kryegjyshatës në Krujë, simbol i besimtarëve bektashinj, ku u takua me Kryegjyshin Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe përfaqësues të komunitetit bektashian të Krujës, të cilët i uruan kryeministrit ditëlindjen.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›