E Diel, 1 Nëntor 2026

Bino: Të llogarisim ndryshimin e hapësirave të jetesës dhe kujdesin ne mjedis

24/01/2005  Eksperi për çështjet e Mjedisit, që tashmë është përfshirë në Komitetin e Orientimit të Politikave në Partinë Demokratike, Taulant Bino, thekson se është e rëndësishme që të nisë studimi i hapësirave në Shqipëri. Sipas tij, ndërtimet pa kriter kanë sjellë pasoja të dëmshme për mjedisin, pasi të dy pikat kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek njëra-tjetra. Bino, sugjeron krijimin e projekteve të qarta për kanalizimet dhe ndërtimet në Shqipëri, pasi përveç zonave të nxehta që kanë mbetur nga periudha e diktaturës, po krijohen dhe zona të tjera të patolerueshme. Në lidhje me sulmin që kanë ndërmarrë socialistët, Bino, thotë se kundërshtarët e PD-së, nuk e pranojnë dot faktin e hapjes së kësaj partie.

Zoti Bino, para pak ditësh, KOP u nda në 11 nënkomisione dhe ju bëni pjesë në Komisionin e Rregullimit të Territorit dhe Mjedisit. Çfarë i lidh këta dy sektorë dhe përse është bërë ky bashkim në hartimin e programit?

Në fakt, shpeshherë, çështjet e mjedisit janë parë të lidhura ngushtë me shëndetësinë, gjë që e ngushtësonte shumë problematikën mjedisore që e lidhte atë me ndotjen e ujit, ajrit dhe të tokës. Më pas, kjo lidhej me ndikimin që kishte kjo ndotje në shëndetin e njerëzve. Por mjedisi nuk është vetëm kaq. Eshtë mjedisi urban që është shumë më i gjërë dhe ka të bëjë me territorin, me hapësirat që na rrethojnë dhe duhet të vihen në përdorim të njeriut me qëllim rritjen e mirëqënies së tij. Për këtë arsye, është menduar që politika e mjedisit të lidhet më shumë me politikat e territorit, me qëllim që veçoritë që ka një zonë, të vihen në shërbim të njerëzve, me qëllim që ata të përmirësojnë jetesën e tyre.

Pra, ju thoni se manexhimi i resurseve dhe mirëpordimi i tyre, është i lidhur ngushtë dhe me politikat e territorit?

Nuk diskutohet se, politikat e territorit që kanë brenda dhe politikat e mjedisit, do t'i sillnin më shumë të ardhura ekonomisë. Por, në qoftëse këto politika mjedisore do t'i lidhnim thjeshtë me ndotjen e ajrit apo të ujit, dhe do t'i lidhnim këto me dëmtimet në shëndet, ne do ti kufizonim këto politika, por nuk do të siguronim të ardhura. Ndërkohë, me ndarjen në këtë mënyrë, pra një alternim të politikave territoriale, ne e shohim mjedisin jo vetëm si një burim shëndetësie por edhe si burim qetësie dhe shplodhjeje në funksion të njerëzve.

Për mendimin tuaj si është gjendja e mjedisit sot në vendin tonë, dhe kush janë zonat më të ndotura apo më të prekura nga ndotja dhe shkatërrimi

Gjendjen aktuale të mjedisit në Shqipëri, e kanë nxjerrë në pah shumë dokumente strategjikë. Madje, disa prej tyre të miratuara nga vetë qeveria shqiptare, siç është për shembull, plani i veprimit në mjedis, i vitit 2001, siç është raporti i gjendjes së mjedisit të vitit 2003, apo strategjia e biodiversitetit të disa viteve të shkuara. Nga këto raporte, del qartë se gjendja e mjedisit në Shqipëri është akoma shumë e ndërlikuar, tipar të cilin e ka theksuar së fundmi edhe raporti i Këshillit Evropian, i cili theksonte se Shqipëria mund të ketë pak progrese në kuadrin ligjor, por ka shumë probleme në ndotjen e ajrit të ujit dhe vlerave të veçanta të saj.

Kush janë zonat më të ndotura në Shqipëri dhe cilat janë shkaqet e kësaj ndotjeje?

Zonat më të prekura në Shqipëri janë shumë, por ato që janë cilësuar nga raportet ndërkombëtare si zona të nxehta, janë Patoz Marinza me ndotjen e saj të naftës, Ballshi, është zona e Vlorës me ndotjen e zhivës, është Porto Romano me ndotjen e lindanit, është gjithashtu dhe Sharra me fushën e plehrave. Përveç këtyre zonave ka dhe zona të tjera mjaft problematike, siç është Elbasani, siç është Azotiku i Fierit, apo Laçi dhe vende ku dikur kanë punuar fabrikat dhe që kanë lënë pas një ndotje të jashtëzakonshme. Por, siç e thashë, ndotja nuk është i vetmi problem që ka mjedisi në Shqipëri. Një problem tjetër madhor në Shqipëri, ëshë shkatërrimi i burimeve natyrore. Pra, shkatërrimi i pyjeve, i ujrave, shkatërrimi i faunës së egër dhe shkatërrimi i bimëve. Me pak fjalë, gjithçka që quhet biodiversitet.

Keni një projekt ide, apo diçka konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve?

Në radhë të parë unë mendoj se kërkohet një forcim i institucioneve që merren me çështjen e mjedisit. Sepse këto institucione për fat të keq sot janë lënë në mëshirë të fatit, me një organikë të ulët dhe me një mungesë të kurrikulës së stafit që bën pjesë në këtë organikë. Kjo do të thotë, që këta persona janë aty për të mbuluar problemet mjedisore por nuk e dinë se kanë akoma shumë punë për të bërë. Unë mendoj që kuadri institucional, është diçka që duhet përmirësuar.

Po për sa i përket kuadrit ligjor, si është ai në Shqipëri?

Shumë prej degradimeve nuk kanë ardhur nga mungesa e kuadrit ligjor, por nga moszbatimit i tij. Për shembull, ndërtimet e pamata në bregdet nuk kanë qenë ndonjëherë të ligjshme, ato në masën më të madhe të tyre kanë qenë të paligjshme. Për hir të së vërtetës, ka pasur një kuadër ligjor që thotë se ndërtimet duhet të kryhen 300 metra larg bregdetit, por kjo nuk është zbatuar asnjëherë, sepse ky ligj është shkelur me të dyja këmbët dhe ato toka janë shitur me qëllim për të nxjerrë përfitime që, jo pak herë, janë pronë e qeveritarëve. Pra, në shumë raste, problemet e mjedisit, jo se janë neglizhuar për shkak të problemeve të legjislacionit, por për mungesë të zbatimit të tij. Unë e kuptoj që edhe në këtë fushë ka akoma vend për pëmirësime, por nuk besoj që mungesa e kuadrit ligjor është bërë shkas për shkatërrimin e mjedisit.

Cilat janë rrugët për të shmangur shkatërrimin e mëtejshëm sidomos të zonave bregdetare?

Zgjidhja mund të vijë nga një shikim i përbashkët i territorit dhe mjedisit sepse gjithnjë janë parë veç e veç. Gjë që do të thotë se, ne që merrimi me mjedisin, kemi qenë gjithnjë përballë presionit të atyre që merren me territorin, ose të atyre që kanë pasur ndër mend të zhvillojnë territorin, por nëpërmjet betonimit. Po të shikosh gjithë zonën bregdetare të Shqipërisë, ajo është shkatërruar thuajse tërësisht, pa asnjë kriter dhe pa studiuar fare kapacitetin mbajtës të zonës. Pra, kjo zonë është parë thjeshtë si hapësirë ku mund të ndërtohen pallate shumëkatëshe prej betoni, por se çfarë hapësire kanë këta njerëz për të jetuar nuk është parë fare. Dhe bregdeti është i mbushur plot me raste të tilla. Durrësi, është një ndër rastet më konkret dhe më i dukshëm. Por, gjithashtu, e njëjta gjë po vërehet dhe në Sarandë, ku po jepen leje për ndërtime të mëdha dhe të bujshme, duke mos u lënë vend hapësirave për të jetuar. Pra, këtu qëndron gabimi që territori shikohet i ndarë nga mjedisi, dhe njerëzit janë të detyruar të jetojnë në hapësira ku të merret fryma.

Ndotja e mjedisit, sa e ka dëmtuar zhvillimin e turizmit në Shqipëri?

Ndotja e mjedisit natyrisht që ndikon shumë në zhvillimin e turizmit. Nuk do të kishte turist që do i afrohej bregdeteve tona të ndotura me ujra të zeza. Ne nuk kemi një sistem të kanalizimit të ujrave të zeza dhe jo pak herë ato derdhen në det. Mjafton të citosh të dhënat e instititutit të higjenës dhe do të shohësh që ka një ndotje shumë të madhe në Sarandë, ka ndotje masive në Durrës, në Lezhë, në Vlorë etj.

Nga kundërshtarët e PD-së, pra socialistët, KOP është parë si një bashkim njerëzish të dështuar më parë. Si i shikoni këto akuza?

Jam ndjerë pak i ofenduar, por kamë parë përpara, sepse kam menduar që, kur ka akuza, ka se për çfarë të akuzohet. Unë e shoh se, është një frikë e kundërshtarëve të PD-së, për këtë hapje të bujshme të kësaj partie me kapacitete intelektuale dhe pikërisht, këto kapacitete, janë ata që frikësojnë më shumë kundërshtarët e PD-së. Kjo, sepse kapacitetet intelektuale nuk vijnë nga hiçi, janë figura të nderuara në fushën e tyre, janë figura që kanë një ekspertizë të gjerë në fushën e tyre, janë figura, të cilat kanë një rrjet kontaktesh me kolegët e tyre, sepse ata nuk punojnë vetëm, por janë persona të nderuar dhe është afërmendjes, që të gjithë këtë rrjet intelektualësh, përpiqen ta venë në shërbim të vendit. Përderisa PD-ja ka arritur ta thithë këtë kapacitet, atëherë ajo detyrimisht ka një përparësi më të mëdhe se partitë e tjera.

Lideri demokrat Berisha, ka kërkuar ngritjen e nëndegëve të KOP në të gjitha rrethet e vendit. Si e shikoni këtë nismë?

Në fakt, është shumë e rëndësishme që KOP të zgjerojë kapacitet e tij edhe në bazë. Çështë e drejta, baza ka shumë specialistë të njohur dhe të nderuar në fushat e tyre, të cilët mund të japin kontributin e tyre në politikë. Nga ana tjetër, duke qenë afër bazës, ata i njohin më mirë problemet e tyre vendore dhe në këtë mënyrë mund ta bëjnë KOP-in më shumë kompetitiv në kryerjen e misionit të vet. Për shembull, në rast se do të shkojmë në Elbasan, një specialist i rrethit do të parashtronte akoma më mirë problemet që ka rrethi. Atëherë, KOP do të përqëndrohej dhe do të ngrinte programin elektoral për zonën e Elbasanit, pikërisht mbi këto çështje që cilësohen si më problematike për këtë qytet. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për problematikën që ka veriu. Në rast se në këtë zonë është kthyer në fenomen shqetësues shkatërrimi i pyjeve, atëherë një specialist nga një zonë e veriut, do të jepte informacion më të detajuar për këtë çështje, siç janë erozioni apo braktisja masive e fshatrave apo qyteteve. Atëherë, KOP-i do të përqëndrohej pikërisht në këto çështje, për të parë rrugët e zgjidhjes dhe për t'i paraqitur ato në program. Unë mora fushën e ambientit, sepse jam specialist i kësaj fushe, por e njëjta gjë do të ndodhë dhe për sa i përket çështjeve të punësimit, rendit, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›