E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gunter Grass, "Andersen dhe une"

23/01/2005  Autori i "Daulleve", fitues i çmimit Nobel në vitin 1999, Gunter Grass, rrëfen për botimin e ri në Gjermani, të përmbledhjes së përrallave të titulluara "Hija" të Andersenit, ilustrimet e të cilës mbajnë vulën e tij

Na ishte njëherë fituesi i çmimit Nobel të letërsisë, Gunter Grass dhe djali i këpucarëve më të varfër të Odensës, Hans Christian Andersen (1805-1875), i cili arriti në sajë të përrallave të tij të ndërtojë shkrimtarin më të lexuar, më të përkthyer dhe më të njohurin në botë. Për të festuar 200-vjetorin e lindjes së danezit të madh, Gunter Grass, artisti i talenteve të shumëfishtë, që thyen vullnetarisht kufijtë midis fjalës dhe figurës, ka ilustruar me shkumës të zi këtë përmbledhje me 30 përrallat të Andersenit, duke shpjeguar filozofikisht përsenë. Grass shkruan:

"Në rast se do të kisha qenë bashkëkohës i Andersenit, i cili dëshironte të ishte romancieri i parë i Danimarkës, do të kishim qenë dy miq shumë të mirë. Të paktën, nuk do të kishin qenë aq të trazuara sa ato që ai pati me Soren Kierkegaard, tetë vjet më i vogël se ai. Akoma më i shquar në teologji, ai shkruajti në 1838 një vepër të plotë, një kritikë shpartalluese, të pasur me terminologji hegeliane, "Asgjë më shumë se një violinuc", një roman pak a shumë autobiografik i Andersenit. Një ditar intim, ku ai përshkruan "vuajtjet e turbullimit shpirtëror". Më vonë, ai prezanton një tjetër kritikë të pamëshirshme te "Kopshtari dhe mësuesit e tij", një aluzion i maskuar me shumë mundim, për ata që nuk shikonin dot të mirat e tyre, por shikonin me shumë zili kopshtin e fqinjit... Një nga legjendat në lidhje me të, a nuk e prezanton si djalin natyral të mbretit danez? Fakt që ka krijuar edhe fjalinë e mrekullueshme: "Pak rëndësi ka nëse ke lindur në ambient jo fisnik, në rast se ke dalë nga veza e mjellmës!". Në rrjedhën e viteve, Andersen shkruajti "Tulla", "Ushtari prej plumbi", "Shitësja e vogël e shkrepëseve", e shumë e shumë të tjera (plot 156), ku autori, një njeri i vetmuar, fatkeq në dashuri, pa familje, me zor fshinte shkatërrimin e tij. Shumë nga personazhet e Andersenit njihen në mbarë botën, po aq shumë sa heronjtë shekspirianë, Mbreti Lir apo Hamleti.

Në këto kohë të turbullta që jetojmë, ku bota e tërë vuan nga mizerja, e tronditur nga krizat politike dhe dhuna, ankthi kërkon shpesh të qetësohet nga përrallat me zana, edhe në rast se kanë forma të ndryshme. Për sa më takon mua, që me "Daullet", gjithmonë kam përdorur elementët e përrallave, në një tregim që ledhaton fantastiken. Në kapitujt e këtij romani, çdo paragraf fillon me "na ishte njëherë e njëkohë", i shëndrruar në leitmotiv edhe në të tjera. Në "Vitet e qenit", kronika ime e para luftës, luftës dhe pasluftës është treguar me mënyrën e "na ishte...". Apo në romanin tjetër "Mijushja", vihet në pah rreziku i katastrofës ekologjike, për pyjet që vdesin dita-ditës para syve tanë. Ky është realiteti i epokës sonë. Zanat nuk mund të jetojnë pa pyje dhe, pa pyje s'ka përralla.

Përgatiti: Leonard Olli

Çdo politikan i ngjan njw mbreti tw trashur nga mburrjet

“I rikthehemi Hans Christian Andersen dhe "Veshja e re e mbretit". Në vitin 1965, unë kisha titulluar kështu një nga fjalimet e mia të para për një fushatë elektorale Willy Brandt. Kisha vënë në shënjestër kundërshtarin e tij, Ludwig Erhard, kancelar në atë kohë. Për mua, çdo politikan i ngjason këtij mbreti të trashur nga mburrjet dhe qorr, nga hipokrizia e atyre që e rrethojnë. Nuk e kam anashkaluar këtë personazh në vizatimet e mia, çdo ngjashmëri, me ata që na qeverisin sot, është krejt e rastësishme, natyrisht! Vizatimet e mia i bëjnë homazh danezit më të shquar. Jam i shokuar nga realizmi i tij kaq i veçantë, i përzier me fantastiken. Shpeshherë, duke mos mundur të ndaloj, kam vizatuar për gjashtë muaj rresht. Në rast se kam zgjedhur variantin bardh e zi, kjo vjen kryesisht si rezultat i pasionit të tij për prerjet, në të cilat ishte i mrekullueshëm. Për "Hijen", këtë kryevepër të çuditshme, që i jep titullin edhe kësaj përmbledhjeje, kam vizatuar një hije kineze, një farë karikature të autorit, një tjetër "Peter Schlemihl" të Chamisso, i cili, gjithashtu ishte në kërkim të hijes së vet. Madje, kam guxuar të krijoj një portret dysh, me dy kokat tona, ballë për ballë! Qëllimi im ishte të shoqëroja tekstet e Andersenit me litografi autonome, që e bëjnë detajin të dukshëm. Nuk munda t'i rezistoja dëshirës për t'i "rjepur" pak bishtin Sirenës së vogël. Më thanë se kur princi Frederik i Danimarkës, pasi e kishte këqyrur vizatimin, i kishte shpëtuar: "Po macja ku është?". Më pëlqen që tek Anderseni, kafshët dhe objektet flasin, fakt që i vendos në të njëjtin plan me personazhet. Të gjithë aty flasin, protestojnë apo shamatojnë. Vija e zezë që unë përdor, synon të theksojë thyerjet ironike, të nxjerrë dinakërinë apo edhe brutalitetin e përrallave pa një fund të lumtur, tregues i qartë që ai ua adresonte të rriturve.

"Treni", për shembull, nuk ka të bëjë fare me një përrallë për fëmijë. Autori shpreh entuziasmin e tij për lokomotivën me avull, një udhëtim magjepsës, ku makina potente rrëshqet mbi shina, si slita mbi dëborë. Ai i thur elozhe kësaj arritje të shkencës, këtij "kali të egër që hingëllin dhe turfullon" dhe, në të njëjtën kohë, jep një përshkrim të mahnitshëm të shpejtësisë. Andersen është një lexues i famshëm, një rrëfyes që i pëlqente të lexonte veprat e tij në publik, duke preferuar kokat e kurorëzuara dhe më prestigjoze të Evropës. Unë, gjithashtu jam një rast i veçantë i leximit me zë të lartë, pasi le të mos harrojmë, që letërsia deri në periudhën e Homerit trensmetohej me gojë“.

box

Hans Christian Andersen, i cili lindi në Odense, më 1805, nuk është vetëm autor i përrallave të famshme, por në të njëjtën kohë edhe autor pjesësh teatrale, romanesh, tregime udhëtimesh në një "ditar", që përbëhet nga më shumë se 5 mijë faqe, si edhe një korrespondencë shumë të rëndësishme. Ai vdiq në Kopenhagen, në vitin 1875.

box

Gunter Grass lindi në Dantzig të Gjermanisë në vitin 1927. Gunter Grass është autori i romanit "Daullet" (1959) dhe "Vitet e qenit" (1963), etj. Ai është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm gjermanë të pas luftës, por edhe një emër i rëndësishëm i letërsisë evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›