E Diel, 1 Nëntor 2026

Po shkruaj për filozofët si thënie prej zotit

24/01/2005  Ferid Muhiqi

Ngaqë ëndërron shumë për malet, tre ditë nga jeta e tij i ka çuar në Malet Sharplanina të Maqedonisë, pa ngrenë e pa pirë. Ferid Muhiqin nuk dihet se çfarë e ngjiti gjer atje veçse thotë se nuk kishte frikë as nga ujqërit dhe as nga qentë. Asgjë nuk i kish bërë vaki nga gjërat e egëra që mund të imagjinohen prej gjithkujt. Vetëm në dy ditë, që ujku e pa vëngër e kish ftuar për në strofullën e tij më gjasë për t’i treguar këlyshët e vegjël. Asgjë më shumë, pa iu avitur, ujku ka këqyrur poetin tek lozte me të porsalindurit e kafshës më të egër të malit. Kjo është një histori pa filozofi, e jetuar, që e kthen Muhiqin tek njeriu dhe që gjeti rast t’ua tregonte dje miqve të tij në Friend’s Book House, teksa ishte kthyer nga mbrëmja e takimit të 12-të të “Poetëkës” që organizohet në Durrës. Ku këtë herë audicioni ka qenë vetëm për leximet e poezive të boshnjakut Ferid Muhiqi, “Nuk ka aq vend”, të përkthyer nga Fatmir Baçi. Qënia njerëzore, liria e tij është thelbi i filozofit që tanimë i ka hyrë ambicjes së botimit të pesë vëllimeve filozofike “Historia e filozofisë”, ndërsa ka përmbyllur vëllimin e parë dhe pret ta botojë së shpejti.

Ishit i ftuar në një aktivitet të veçantë që organizohet prej disa muajsh në Durrës, të pagëzuar “Poeteka”, në një mbrëmje që iu kushtuar vetëm leximeve të poezive tuaja. Si u ndjetë?

Pjesa më e rëndësishme e saj është se ajo u organizua nga miq dhe mendoj se në këtë jetë pothuajse gjithçka është ose kotësi apo një keqkuptim i gjatë me botën, në përjashtim të miqësisë. Duke qenë se kjo u organizua prej miqve mendoj sikur të kem marrë pjesë në një ngjarje prej vërteti, në një moment jete të vërtetë. Për ta shprehur shkurt ndjehem shumë autentik dhe i gjallë.

Ju treguat një histori që një bari ju kish thënë se njeriut i duhet në jetën e tij ujë prej Luboteni, një çikë prej Prizreni dhe një mik prej Shqipërie. Dhe thatë se për herë të parë po provoni pjesën e tretë të kësaj thënie. ǒkuptim ka një mik?

Në përgjithësi s’më pëlqen të harlisem shumë, dhe kjo përgjigje rrezikon të merret si një lloj harlisje. Po, në përgjithësi, normalisht nuk duhet të kuptohet thjesht si një e shkuar kulturore, mund të kesh miq nga çdo lloj kulture. Miku është një lëndë e pakohë. Është lënda prej të cilit është bërë njeriu, është pluhuri yjor i galaktikës njerëzore, pra nuk mund të reduktohet, të mpaket deri në të shkuarën kulturore të dikujt. Por, nga ana tjetër më duhet t’i jap të drejtë kësaj ngjarje. Askush më parë nuk më ka trajtuar kaq miqësisht pa më kërkuar asnjëgjë për këtë, në shkëmbim, dhe duke vënë në themel vetëm ndjenjat miqësore ashtu siç bëri ky grup miqsh mbrëmë dhe sot gjithashtu. Thuhet se deri në të 30-at ne i fitojmë miqtë dhe pas të 30-ve ne i humbasim ato, unë e kam dy herë këtë moshë dhe mund të them se po fitoj ca miq që mund të jenë përgjithmonë.

Meqë jemi në zonën më të nxehtë të shqiptarëve, të cilët ju keni pasur guximin t’i mbroni më zë të lartë në postet që keni pasur. Çfarë ju ka shtyrë t’i hynit kësaj politike jo fort të lehtë në periudhën më të vështirë të Kosovës?

Është një histori e gjatë do të përpiqem ta them shkurt. Nis më 1980, me trazirat në Kosovë në atë kohë mund të mos tingëllojë shumë modeste por duhet të them se për tre vjet nga vitet ’80-’83 vetëm unë kam shkruar në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, dhe nuk dua të flas për problemet që pata, sepse kurrë nuk e bëj një gjë të tillë, në çdo rast, sigurisht që mbijetova dhe pas tre vitesh profesori Branko Horvad nga Zagrebi, u bashkua me mua dhe më pas disa të tjerë. Ia rinisëm kësaj pune dhe çfarë dua të bëj të qartë është se në fakt nuk po mbroja shqiptarët po mbroja të drejtat e njeriut. Nëse situata do të ishte e kundërta kurrë nuk do të mëdyshesa të mbroja dikë tjetër. Kështu që vazhdoi kjo punë për 25 vite, dhe jam i lumtur që kjo tablo arriti të ruhej, pra u mbrojt duke mos më vënë mua thjesht në pozitën e mbrojtësit të njërit apo tjetrit popull por në mbrojtje të të drejtave njerëzore. Por kjo sigurisht më solli shumë mirënjohje dhe miqësi me shumë shqiptar nga barinjtë deri tek akademikët dhe figurat drejtuese.

Sërish në të njëjtën “fushë beteje”, në vitin 1997, gjatë kohës kur në Maqedoni zhvillohej Takimi i Ohrit, ju hoqët dorë nga daljet në publik, nga leksionet universitare dhe nga shkrimet në gazeta e intervistat në mediat elektronike, me një fjalë hytë në një “grevë heshtjeje”, gjer sa Komisioni të votonte pro deklarimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni...Si e përjetove këtë sfidë të rrallë intelektuale?

Kjo ishte një histori interesante, isha i vetmi në atë kohë, madje i shkrova një letër të hapur dhe Universitetit të Shkupit, kolegëve të mi dhe kryeministrit duke thënë se kjo ishte njolla më e errët në Universitetin e Maqedonisë dhe se është më mirë që kjo mos të ndodhë. Universiteti duhet ta mbrojë të drejtën e arsimimit, dhe s’duhet ti bashkohet asaj praktike të papranueshme për t’u ndaluar shqiptarëve përdorimin e gjuhës. Le të themi, viktimë anësore e kësaj ngjarje isha duke u ftuar në atë kohë si antar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Maqedonisë, pikërisht në këtë kohë.

Duke qenë se polemika u bë shumë e ashpër në mediat maqedonase, sic ndodhi dhe në mediat jugosllave në vitet ’80, praktikisht kundër meje drejtpërdrejt. Atëhere antarët e Universitetit dhe të fakultetit tim vendosën veton e Akademisë, çka ishte shumë e çuditshme, dhe ata praktikisht e hodhën tërësisht poshtë, domethënë, lanë jashtë diskutimin për çështjen e pranimit tim të mëtejshëm, si anatar i Akademisë. Kështu që vetoja erdhi nga kolegët e mi të Universitetit për një institucion që ishte krejtësisht tjetër. Pak a shumë e njëjta situatë mbetet dhe tani por t’ju thënë të vërtetën jemi ne ata për të zgjedhur miqtë dhe shoqërinë, kënaqësia ime është se tani ne kemi një strukturë universitare për arsimimin e shqiptarëve në Maqedoni dhe kurrë nuk do të kërkoja më shumë se kaq. Nuk bëra asnjë hakmarrje personale, kam kontakte normale dhe me ata që vendosën veton kundër meje dhe kurrë nuk ua përmenda se ata ishin që vendosën atë veto, apo që kërkuan t’i vendosin shqiptarët në dhoma gazi. Komunikova me ta normalisht, jo ngaqë mendoj se jam i ndryshëm porse kjo është mënyra se si duhet gjithmonë t’i trajtojmë situatat tona sociale, pa keqardhje. Dhe tashmë i kemi të garantuara të gjitha nivelet e edukimit të shqiptarëve duke përfshirë dhe studimet pasuniversitare të shqiptarëve në Maqedoni. Por në atë kohë më ’97 isha thellësisht i prekur dhe më vriste jashtë mase reagimi i kolegëve, dhe prandaj thashë se do të tërhiqem praktikisht në një heshtje publike, në shenjë proteste, jo si formë sulmi ndaj meje por praktikisht në kundërvënie të sulmit ndaj kolegëve që mbështetën ndalimin e të rinjve, të një bashkësie tjetër kombëtare në Maqedoni nga e drejta e edukimit, ç’ka ishte tërësisht e papranueshme për mua.

Duke përfshirë këto rrethana intelektuale dhe individuale cila është filozofia juaj?

Është vërtetë e vështirë t’i përgjigjesh. Duke folur në përgjithësi jam kundër çdo hierarkie aksiologjike mes njerëzve. Personalisht nuk ndjehem inferior ndaj ndokujt, por po ashtu dhe sinqerisht nuk ndihem superior ndaj dikujt tjetër. Për këtë arsye besoj tek diferencat por dhe në të drejtën për t’i diskutuar ndryshimet te diferencat. Absolutisht nuk e pranoj forcën, dhunën. Çfarë më bën mua të reagoj edhe duke rrezikuar sigurinë, ndoshta dhe jetën time, është pikërisht dhuna ndaj të pambrojturve.

Në përgjithësi jam për filozofinë e mirëkuptimit dhe të diferencës së ndryshimeve, por jo për hierarkinë e njerëzve. Absolutisht, çdo qënie njerëzore ka për mua të njëjtën vlerë, kështu që shkurtimisht kjo është filozofia ime lidhur me qënien time politike dhe sociale.

Të hidhemi pak tek pjesa romantike e jetës suaj, poezia. Si krijon një filozof edhe poezi?

Ai nuk duhet të shkruajë poezi. Janë dy mediume të ndryshme. Nuk më pëlqejnë koktejet në përgjithësi. Më pëlqejnë pijet e pastra, poezia është poezi. Dhe nuk mendoj se ndonjë poezi bëhet më e mirë nëse thellohet filozofikisht, ase ndofarë filozofie fiton ndonjë vlerë konjutive, njohëse nëse mbingrihet estetikisht. Kështu që askush nuk është i përsosur dhe dy provat e mia, pa perfeksionin tim, janë filozofia dhe poezia.

Mos është poezia juaj nën sofizmin filozofik?

Jo, absolutisht jo. Poezia ime mund të frymëzohet nga një gjë apo një tjetër por ajo nuk e ka indentitetin nga ajo çfarë u frymëzua në krye. Le të themi se në poezinë e dikujt gjeni lulen, nuk mund të thuhet se është poezi botanike. Nëse ka ndërlidhje filozofike, për mua nuk është aspak poezi filozofike kjo ç’ka po shkruaj.

Keni tre dimensione që kanë të bëjnë me jetën politike, mendimin filozofik dhe poezinë. Si konvergohen këto me njëra-tjetrën?

Këto janë thjesht elementët e jetës sime shoqërore. Por mendoj se çdo kush ka më shumë mundësi dhe nevojë që ta ketë sa më të madhe shpirtin, shumë më përtej se ç’mund të ofrojnë veç e veç politika, filozofia apo qoftë dhe poezia. Pra, mbetet gjithmonë inversi për t’u shprehur përmes çdo veprimtarie politike apo sociale, siç thashë kjo jetë është shumë e shkurtër për shpirtrat dhe shpritrat tanë qajnë për përjetësi. Kjo nuk do të thotë, natyrisht, se 10 vjeçarët që iu kushtova shkrimeve politike, antropologjike, filozofisë, poezisë dhe angazhimit konkret nuk ishin të kënaqshëm për mua. Ato sigurisht nuk kënaqin. Por, gjithsesi duhet të them se njeriu mbetet në përpjekje për të gjetur pëjetësinë e tij, siç thotë një filozof “ne jemi përafërimet me zotin”, natyrisht nuk do të përqasemi kurrë aq afër por kurrë nuk do të ndalojmë së përpjekuri për t’u bërë më të mirë e më të mirë, kështu që ne jemi një shans për të arritur diçka. Kjo nevojë për t’u ngritur paksa më lart nivelit ku jemi, ku gjendemi, është ajo çfarë e bën njeriun një qënie njerëzore.

Kjo është një filozofi gati fetare, nëse i kthehemi një pike delikate me dy librat e shenjtë që ka të bëjë me Biblën dhe Kuranin, si qëndron ky raport në filozofinë tuaj?

Më duhet të them se për ta dhënë kuptimin e studimit filozofik kjo do të kërkonte një punë shumë më sistematike nga sa i kam përkushtuar unë kësaj çështje deri më tani. Këto dy libra janë kësisoj, dy libra më të rëndësishme në historinë e njerëzimit. Perceptimi dhe përthithja e tyre duhet të shkojë shumë më përtej çdo analize filozofike, ashtu siç ka ecur deri më tani dhe si unë besoj se do të vazhdojë.

Kështu që nuk mendoj se çdo përpjekje filozofike mund të shkojë për tej këtyre dy librave. Ato i adresohen pikërisht asaj pjese që po ju flisja në përgjigjet e mëparshme. Ata nxisin tek ne nevojën për të qenë sa më të mirë, dhe po e bëjnë këtë në mënyrë shumë më efektive nga çdo produkt i deritashëm i historisë.

Cili është angazhimi juaj i fundit jashtë politikës, cilat djanë planet për shkrimet filozofike?

Tani jam pak sa i vonuar falë angazhimit tim social. Në tre vitet e fundit kam qenë i angazhuar si përgjegjës në një projekt ndërkombëtar për kapërcimin e konfliktit dhe arritjen e paqes në Maqedoni. Pra, shpresoj se tani angazhimi i mëtejshëm nuk do të jetë aq i nevojshëm ngase Maqedonia e ka një paqe të qëndrueshme dhe mund t’i rikthehem projektit me të cilën po merresha përpara këtij angazhimi.

Hezitoj ta quaja Historia e Filozofisë, por është një libër me pesë volume. Por do të thoja se po përgatis historinë e filozofëve ku përpiqem t’i shpërfaq ata le të themi si thënie prej zotit, nëse marrim hua një thënie orfike; kjo praktikisht do të thotë se po e mëveçoj dhe ndjek këtë motiv filozofik dhe tani jam në përmbyllje të volumit të parë, i cili do t’i kalojë paksa 500 faqet. Shumica e përqëndrimit tim është tashmë në këtë libër, por siç u thashë shpirti njerëzor është i pafund, i pamatë dhe unë ëndërroj tashmë për malet dhe sigurisht për ngjarje të bukura.

Intervistoi: Violeta Murati

Librat e botuar

Ka botuar disa qindra artikuj, studime, vështrime, në dhjetra organe të specializuara. Është autor i më se 15 librave të vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është pjesmarrës në disa antologji të poezisë, prozës dhe eseve, si dhe pjesmarrës në takime dhe organet përkatëse të takimeve poetike, filozofike, sociologjike, antropologjike, si dhe në kongrese dhe konferenca të panumërta.

Nga librat e tij të botuar, ka të përkthyer në shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, arabisht, malajzisht, turqisht dhe në gjuhën rome.

Disa nga librat e botuar:

Metodologji kritike

Dominanca dhe revolucioni

Filozofia e ikonoklastikës

Motivacioni dhe meditacioni

Falko Peregrinus

Mburoja prej ari

Katena Mundi

100 hapa mbi

Tymi i ugarit të ëndrrave

Neumenologjia e trupit

Gjuha e filozofisë

Tymi i ugarit të ëndrrave, botuar në dy gjuhë

Mendimi dhe virtyti

Logosi dhe hierarkija

Mendimi për aksionin

Doktor Solaris

Portreti i Tome Serafimovskit

Besimi tek vetja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›