E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biometrike false për 2 mijë euro, katër në pranga

Tiranë, zbulohet skema e vjedhjes së identitetit të shtetasve shqiptarë.

Aplikantja nga Kosova do shkonte tek i fejuari në Belgjikë.

Falsifikimi i pasaportave biometrike çon në pranga katër persona. Tre persona të akuzuar për falsifikim dokumentesh ranë në pranga dje në një aksion të Policisë së Tiranës, ku është bërë edhe arrestimi i aplikantes nga Kosova që po kërkonte të pajisej me dokument biometrik të falsifikuar. Lajmi u bë i ditur nga zyra e shtypit në Policinë e Tiranës, e cila theksoi se veç rastit të fundit tashmë të faktuar, të arrestuarit akuzohen se në mënyrë të përsëritur kanë marrë nga dy mijë euro për të pajisur me pasaporta shtetasit kosovarë. Qëllimi final i skemës kriminale ishte që shtetasit nga Kosova të përfitonin udhëtim pa viza në zonën Shengen duke përdorur pasaportat biometrike shqiptare që nxirreshin kundrejt ryshfetit. Policia tha dje se sektori kundër krimit financiar finalizoi aksionin e koduar Aplikantja, duke vënë në pranga tre personat që kanë vjedhur identitetin, si dhe vajzën nga Kosova që do të përfitonte pasaportën. Aksioni është kryer në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë së Kamzës, i cili ka marrë informacionet e para në lidhje me skemën e falsifikimit të pasaportave. Policia tha se aksioni është finalizuar me arrestimin e katër shtetasve dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, ndërsa të gjithë akuzohen se kanë kryer veprat penale të falsifikimit të pasaportave e vizave dhe falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve.
Vjedhja e identitetit
Fatlindja Tetaj, 18 vjeçe, nga Deçani i Kosovës, është personi që do të përfitonte pasaportën biometrike. Tre të arrestuarit, Luan Tetaj, 40 vjeç, i afërm i saj dhe shtetasit Qëndrim Beqaj e Pranvera Lika, kishin rënë dakord që vajza nga Deçani i Kosovës të merrte pasaportën biometrike të shtetases shqiptare Tatjana Matraku, me emrin, datëlindjen dhe gjeneralitetet e saj, por me fotografinë e 18-vjeçares nga Kosova. Kjo e fundit kishte për qëllim të udhëtonte në drejtim të Belgjikës për tu bashkuar atje me të fejuarin e saj. Për realizimin e skemës, shtetasi Luan Tetaj, babai i vajzës nga Deçani, kishte biseduar me shtetasin e arrestuar, Qëndrim Beqaj, i cili nga ana e tij ka gjetur një grua në Kamzë, e cila pranonte që të jepte pasaportën e saj për 2 mijë euro. Së dëmtuarës nga kjo ngjarje, sipas Policisë, i është premtuar, por nuk i është dhënë asnjë shumë financiare. Zbulimi i rastit është bërë nga policia e Kamzës në momentin kur shtetases kosovare i është dashur të plotësojë të dhënat e vendbanimit.
Që nga janari 2012, procedura e pajisjes me pasaportë ka ndryshuar pikërisht si pasojë e falsifikimeve të ngjashme për shtetas nga Kosova. Gjatë hetimit mbi këta shtetas, dyshohet se duke përdorur gjeneralitetet e një shtetasi me banim në Tiranë, kanë aplikuar për prodhim pasaporte biometrike edhe për disa shtetas të tjerë kosovarë, kundrejt pagesës prej 2000 eurosh për një pasaportë, por nga verifikimet e dokumentacionit nga punonjësit e policisë në komisariat nuk është bërë i mundur përpilimi i mëtejshëm i procedurës dhe prodhimit të pasaportës. Pas informacioneve të marra u bë i mundur identifikimi i personave dhe arrestimi i tyre në momentin e dorëzimit të formularëve për verifikim, thanë burimet zyrtare të Policisë.

Të arrestuarit
1. Luan Brahim Tetaj, 40 vjeç, nga Deçani,
babai i aplikantes.

2. Qendrim Qamil Beqaj, 22 vjeç, nga Hasi,
me rolin e sekserit.

3. Fatlinda Luan Tetaj, 18 vjeçe, nga Deçani,
aplikantja për pasaportë.

4. Pranvera Isuf Lika, 62 vjeçe, nga Kamza,
punonjëse e zyrës së aplikimit.

Falsifikimet, policia kontrollon aplikimet
TIRANE Në fund të vitit 2010, pas rasteve të përsëritura të falsifikimit të pasaportave biometrike, Ministria e Brendshme urdhëroi disa ndryshime në procedurat e aplikimit. Ndryshimet në fjalë parashikuan rritjen e rolit të policisë në procedurën e aplikimit duke u dhënë strukturave të rendit një rol verifikues e kontrollues të informacioneve të depozituara nga aplikuesit. Kështu, para aplikimit për pasaportë, kërkuesi duhet të paraqitet në komisariatin apo rajonin e policisë që mbulon vendbanimin e tij. Pas paraqitjes aty me kuponin e aplikimit, kërkuesi i dokumentit plotëson një formular në dy kopje me të dhënat e plota të identitetit dhe me adresën e plotë të banimit, e cila verifikohet nga punonjësi i policisë. Nëse gjithçka shkon në rregull, aplikuesi më pas merr njërën kopje të formularit me firmën dhe vulën e policisë dhe paraqitet për aplikim. Pa konfirmimin e policisë, aplikimi nuk realizohet.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›