Tri rekurse në Gjykatën e Lartë

Ndrea Prendi, Margarit Kume, Armando Kasaj
Prokuroria bën tentativën e tretë për të çuar në burg të pandehurit për vrasje dhe shpërdorim detyre.
21 janari, pas Prendit, akuza kërkon arrest për Kasajn e Kumen
Prokuroria e Tiranës kërkon në Gjykatën e Lartë caktimin e masës arrest me burg për Margarit Kumen dhe Armando Kasajn, në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre për ngjarjen e 21 janarit 2011. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë konfirmuan se kërkesat e organit të akuzës për kundërshtimin e vendimit të Apelit, që liroi Kumen dhe Kasajn nga masa e sigurisë arrest shtëpie, është regjistruar pak ditë më parë. Aktualisht, në zbatim të vendimit të Apelit, Margarit Kume dhe Armando Kasaj janë duke u hetuar me masën e sigurisë detyrim për paraqitje. Sipas organit të akuzës, Kume, shoferi i ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, dyshohet ta ketë ndihmuar këtë të fundit në fshehjen e autorësisë së vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj. Ndërsa Armando Kasaj, specialisti i IT-së në Kryeministri, dyshohet nga prokuroria se ka kopjuar dhe më pas fshirë regjistrimet e filmike të demonstratës së 21 janarit nga serveri i kamerave të sigurisë së godinës së qeverisë.
REKURSI
Pasi i bëri rekurs vendimit që la në arrest shtëpie ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi, Prokuroria e Tiranës troket në Gjykatën e Lartë për shoferin e tij, Kume, dhe për specialistin e IT-së së Kryeministrisë, Kasaj. Dy kërkesat e Prokurorisë së Tiranës janë depozituar në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë më 23 mars 2010. Në të dyja rastet, kërkues është Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe objekti i kërkesës është i njëjtë: Caktimin e masës së sigurimit arrest në burg. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë bënë të ditur se ende nuk janë përcaktuar kolegjet penale që do të shqyrtojnë këto kërkesa. Kërkesat në fjalë janë kundërshtimet e organit të akuzës për dy vendimet e Gjykatës së Apeli të datës 8 shkurt 2012, që u dhanë lirinë personave nën hetim, Kume dhe Kasaj. Më herët, Gjykata e Shkallës së Parë caktoi ndaj tyre masën e sigurisë arrest shtëpie. Kjo masë u caktua ndaj tyre në mungesë dhe më pas iu njoh nga ana e gjykatës. Në të gjitha rastet, në seancën e caktimit të masës së sigurisë në mungesë, në seancën e njohjes së masës së sigurimit, si dhe në seancën në Gjykatën e Apelit, prokuroria kërkoi caktimin e arrestit me burg ndaj Kumes dhe Kasajt. Referuar vendimeve të Gjykatës së Apelit, masa arrest shtëpie e vendosur për ta nga Shkalla e Parë nuk qëndronte. Apeli vuri re disa veprime të dyshimta procedurale që kishin të bënin me ekspertimin e armëve të përdorura nga Garda më 21 janar 2011 nga ana e ekspertëve të FBI-së. Njëkohësisht, sipas Apelit, edhe rrezikshmëria shoqërore e personave nën hetim, referuar veprës penale për të cilën ata akuzoheshin, nuk ishte në përputhje me masën e caktuar nga Shkalla e Parë.
Caktohet Relatori i Prendit
Gjykata e Lartë ka caktuar relatorin që do të shqyrtojë rekursin për ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi, në Gjykatën e Lartë. Burime zyrtare të Gjykatës bënë të ditur se kërkesa e Prokurorisë për prangosjen e Prendit do të shqyrtohet nga një kolegj me relatues gjyqtarin Edmond Islamaj. Rekursi i Prendit është regjistruar më 13 mars në Gjykatën e Lartë dhe zëvendësim i masës së sigurimit.
Apeli: Ka mangësi në ekspertimet e FBI-së
TIRANE Gjykata e Apelit Tiranë, në arsyetimin e vendimeve ndaj tre të akuzuarve për 21 janarin, Ndrea Prendi, Margarit Kume dhe Armando Kasaj, konstatonte mangësi procedurale në lidhje me ekspertimet e kryera nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) në SHBA. Kështu, në vendimin që la në fuqi masën e sigurisë arrest shtëpie për Prendin, Apeli pohonte se kishte parregullsi në mënyrën e caktimit të ekspertëve të FBI-së nga Prokuroria shqiptare. Sipas vendimit, ekspertimi i FBI-së ishte nënshkruar nga eksperti Douglas P. Murphy, në një kohë që në letër-porosinë e dërguar autoriteteve amerikanë caktohej si eksperte Heather Seubert. Raport-ekzaminimi nr. 163G-SP-215, datë 05.01.2012, i Laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) është hartuar dhe nënshkruar nga ekzaminuesi (eksperti) Douglas P. Murphy, kurse vendimi i datës 14.07.2011 i prokurorëve për kryerjen e ekspertimit teknik-balistik, i cili është nënshkruar dhe nga avokati mbrojtës e që u është përcjellë autoriteteve të SHBA-së me letër-porosi sipas K. Pr. Penale, ka caktuar si eksperte Heather Seubert, eksperte pranë Laboratorit të FBI-së. Në dosje nuk ka ndonjë vendim për zëvendësimin e ekspertit apo ndonjë deklaratë të ekspertes Heather Seubert të caktuar me vendim për heqje dorë nga ekspertimi, si dhe nuk ka një vendim për caktimin e ekspertit Douglas P. Murphy, thuhej në vendimin e Gjykatës në ngarkim të Margarit Kumes. Në të njëjtën formë argumentohej edhe në vendimin ndaj Ndrea Prendit. Ndërkohë, një tjetër mangësi në lidhje me ekspertimin nga FBI u vu re nga Apeli edhe në rastin e Armando Kasajt. Në Gjykatën e Apelit, prokuroria citoi akt-ekspertimin e serverit nga FBI, por nuk e paraqiti vendimin për kryerjen e këtij ekspertimi. Gjykata e Apelit pohonte se vendimi i ekspertimit vetëm citohet nga ana e prokurorisë, por se në dosje nuk është pasqyruar dhe nuk është administruar një akt i tillë procedural, çka vë në dyshim vlefshmërinë e këtij akti mjaft të rëndësishëm.
ARMAND BAJRAMI