E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bipartizani i dorëzon Servet Pëllumbit ndryshimet në Kod

19/12/2004  Bashkëkryetarët e Komisionit Bipartizan kanë dorëzuar dje relacionet mbi përfundimin e punës së ndryshimeve në Kodin Elektoral. Jemin Gjana tha dje, në një prononcim të dhënë për shtypin, se ndryshimet e ndërmarra në paketën elektorale janë në përputhje me standardet e kërkuara prej Bashkimit Evropian. Madje në relacionin që tashmë i është dorëzuar Kryetarit të Kuvendit theksohet se drafti garanton zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Në lidhje me ankesat e PLL-së dhe të disa partive të tjera, bashkëkryetarët kanë bërë të ditur se të gjitha vendimet janë në përputhje me peshën e këtyre partive në Kuvend. "Janë 11 parti në Kuvend dhe 20 jashtë tij që konkurrojnë, nuk mund të kenë të gjithë këta anëtarë në komisionet e votimeve", tha dje bashkëkryetari i Komisionit Bipartizan. Sipas vendimeve të marra deri më tani, Bipartizani për katër muaj ka arritur të miratojë ligjin për regjistrimin e popullsisë si dhe sistemin e adresave. Si pasojë e konsensusit PD-PS është arritur në ndryshimin e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në mbledhjet e fundit të Bipartizanit është vendosur dhe ndryshimi i formulës së vendimmarrjes në KQZ. Tashmë për çështjet që kanë të bëjnë me shpalljen e rezultateve të listës së proporcionalit si dhe të pavlefshmërisë së pjesshme të votimeve duhët të merret vendimi minimalisht me 5 vota pro dhe dy kundër. Ndërsa numërimi i fletëve të votimit do të kryhet vetëm në komisionet zgjedhore zonale. Këtë proces e ka kundërshtuar LZHK dhe LSI, pasi nuk janë të përfaqësuara në komisionet e votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›