E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zogaj: "Koalicioni qeverisës mes PD dhe LSI është i mundur"

19/12/2004  Deputeti aleancist Preç Zogaj, ka deklaruar dje se një koalicion mes PD-së dhe LSI-së pas zgjedhjeve jo vetëm që nuk është i pamundur, por një qeverisje e dalë nga ky bashkëpunim do të ishte më efikase për vendin. Duke iu referuar koalicioneve të mëparshme të PS-së me parti të qendrës së djathtë, Zogaj u shpreh se politika në vetvete është art dhe si i tillë duhet pranuar dhe diversiteti ideologjik, në rast se ky i fundit nuk prek qeverisjen. "LSI-ja mund të qeverisë me PD-në, duke qëndurar një parti e qendrës së majtë, pasi këto gjëra kanë ndodhur. Dhe Partia Socialiste ka qeverisur me forcat e qendrës së djathtë dhe kontekste të caktuara. Besoj se do të ishte një koalicion i mirë dhe me vlera", tha Zogaj. Sipas aleancistëve, koalicioni LSI-PD, është më i mundshëm sesa një ribashkim forcash mes të pakënaqurve të Metës, dhe PS-së. "Partia Socialiste ka marrë rreth 33.5 për qind të votave në vitin 2003 dhe nga kjo pikëpamje, ajo është një parti që po shkon drejt opozitës edhe pa dalë LSI-ja më vete. Sigurisht LSI-së i duhet të marrë votat e veta, pasi është një parti që lufton të marrë elektorat dhe për këtë shkak rënia e PS-së do të jetë edhe më e madhe. Aleancat mes PS-së dhe LSI-së janë gjithmonë të mundshme dhe nuk mund të shprehesh nëse do të ketë apo jo. Por meqenëse plaga është e freskët ka gjasa që të mos ketë një koalicion mes tyre. Sidomos me një kryetar si Fatos Nano kjo bëhet dhe më e pamundur. Unë nuk besoj se do të ketë një koalicion me Partinë Socialiste, pavarësisht se janë parti të të njëjtit spektër", u shpreh Zogaj. Deklarata e Zogajt vjen në një moment kur si PD-ja ashtu dhe LSI-ja kanë hedhur poshtë çdo mundësi bashkëpunimi mes tyre, si para dhe pas zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›