Zogu: Asnjë parti nuk garanton qeverinë pa LZHK
19/12/2004 Pretendenti i fronit mbretëror, Leka Zogu, duket se do të pranojë çdo lloj formule bashkëpunimi, vetëm që forca politike, që ai drejton, të jetë në pushtet. “Pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve të ardhshme, asnjë forcë politike nuk do të mund të krijojë qeveri pa pjesëmarrjen në kabinetin e ardhshëm edhe të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar”, tha dje Zogu, gjatë një takimi të zhvilluar në Durrës me intelektualë të qytetit dhe shoqata të ndryshme. Një deklaratë të tillë, Zogu e ka dhënë dhe dy javë më parë, kur ka theksuar se do të bashkëpunojë me të gjithë forcat politike që në themel të tyre kanë interesat e vendit. Gjithsesi, ai theksoi se LZHK synon të jetë forca kryesore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një gjendje jo shumë të mirë shëndetësore, Leka ka mundur të qëndrojë deri në fund të takimit dhe të deklarojë se vizita në Durrës është pjesë e fushatës së tij elektorale për shtrirjen e lëvizjes. Pasuesi i mbretit Zog, ka shprehur idenë e tij për ndryshime radikale në qeverisje, duke akuzuar atë për përfshirje në korrupsion. “Nuk e kam menduar se me ardhjen time në Shqipëri do të më duhej të merrem edhe me qeverisjen brenda vendit, pasi synimi im ka qenë politika ndërkombëtare e shtetit shqiptar”, tha leka Zogu, i cili ka shtuar se do t’i duhet shumë kohë për të luftuar korrupsionin dhe për të krijuar sigurinë kombëtare, e cila cënohet nga mungesa e stabilitetit në vend. Sipas tij, vendit tonë i mungon "shtylla kryesore e demokracisë, prona dhe kthimi i pronës te pronarët". Në takimin e Durrësit, Zogu ka premtuar se do të marrë përsipër të zgjidhë edhe çështjen çame, duke thënë se qeveria dhe parlamenti aktual nuk kanë bërë atë që duhej bërë.