E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Mbyll dyert” Prokuroria e Tiranës

16/12/2004  TIRANË - Qytetarët që duan të denoncojnë diçka në Prokurorinë e kryeqytetit, nuk mund ta bëjnë këtë, edhe nëse kanë diçka të rëndësishme për t'i treguar drejtësisë. Prokuroria e Tiranës, dy ditë më parë i ka mbyllur dyert e Regjistrit Penal, duke mos pranuar asnjë kallëzim nga qytetarët. “Mbyllja e dyerve”, sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, do të vazhdojë deri në ditët e para të vitit të ardhshëm. Shkaku i mospranimit të kallëzimeve penale është mbyllja e këtij viti. Prokurorët kryeqytetas, e kanë cilësuar punën e tyre shumë të ngarkuar dhe nuk kanë pranuar kallëzime të reja, derisa me fillimin e vitit të ardhshëm të lirohen nga disa prej dosjeve që kanë në hetim. Praktika e fundvitit është e njohur në Prokurori, pasi muaji i fundit shërben për dërgimin e jo pak dosjeve në Gjykatë, mbylljen e disa të tjerave apo mbarimin e afatve. Këto janë tri rrugët që do të ndiqen edhe këtë vit, deri në muajin e ardhshëm të vitit që vjen, kur prokurorët dhe Zyra e Regjistrit Penal, do të jenë të gatshëm të pranojnë kallëzimet e qytetarëve. Sipas burimeve nga akuza qendrore, prej tri ditësh kallëzimet nuk janë pranuar në Prokurorinë e Tiranës. Shqetësimi i Prokurorisë së Përgjithshme, lidhet me disa kallëzime që kanë të bëjnë me trafiqet dhe pastrimin e parave. Nëse qytetarët kërkojnë të denoncojnë në Prokurori nisjen e një sasie droge apo xhirimin e një llogarie bankare me para të fituara nga krimi, gjithçka mund të realizohet, pasi drejtësia nuk mund të marrë informacion qoftë edhe nga qytetarët. Një shqetësim tjetër lidhet me kërcënimet, pasi në mungëse të kallëzimeve, policia apo prokuroria nuk mund të shkojnë në ndihmë të qytetarëve, që në rrethana të caktuara mund të kërcënohen. Autoritetet e drejtësisë, edhe në katë rast, jo vetëm që nuk mund të ndërhyjnë apo të marrin masa, por nuk kanë mundësinë as të marrin dijeni për rrezikun.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›