Birko: “Nuk e di si e vrava nënën, marr drogë dhe nuk ndihem mirë”
Tiranë - “Nuk e kujtoj dot, unë marr drogë, heroinë zakonisht, nuk di çfarë t’ju them. Unë e bëra, s’jam në rregull nga trutë”. Pikërisht këto fjalë ka thënë para hetuesve ditën e djeshme Altin Birko, i cili ende pas 24 orësh nuk e kishte mbledhur veten dhe paraqitej në një gjendje tejet të rënduar. Gjithsesi i riu ka pranuar se sherri me të ëmën kishte ditë që ishte ndezur, ndërsa motivi lidhej me debatet për lekët që kërkonte të merrte Birko për të blerë drogë. Hetuesit i kanë komunikuar akuzën e vrasjes djaloshit, i cili nuk ka reaguar fare, duke qenë krejt i huaj jo vetëm me hetuesit, por gati dhe me veten e tij. “Ishte i traumatizuar dhe në një gjendje që ishte dukshëm tejet e rënduar. Ne kryem një proces formal pyetjesh, pasi që në fillim e pamë se kishim të bënim me një njeri që nuk kishte asnjë përgjegjësi dhe ishte krejt i huaj me gjithçka po ndodhte”, - është shprehur një burim nga policia.
Ngjarja
Altin Birko vrau dy ditë më parë nënën e tij, Shpresën, pak orë më vonë ka ndjerë pendesë, duke u vetëdorëzuar në polici. Burimet policore bënë të ditur se rreth orës 18:30 të ditës së hënë janë njoftuar se një vrasje kishte ndodhur pranë tregut të Medresesë. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia ka vënë re se ishte një krim brenda familjes. Sipas të dhënave paraprake, Altin Birko ka qëlluar me thikë të ëmën e tij, 53 vjeçe, Shpresa Birko, duke e lënë atë të vdekur në vend. Nga grupi hetimor mësohet se i riu është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në morgun e Tiranës. Policia ka marrë në pyetje të afërmit e viktimës, të cilët kanë deklaruar se krimi në familje kishte ardhur pas një konflikti mes nënës me të birin. Sipas të dhënave, Birko ishte përdorues i drogave të forta dhe pikërisht përdorues heroine. Shpeshherë, ai merrte para në shtëpi për të blerë drogën, të cilën kishte tentuar disa herë ta linte, por nuk ia kishte arritur qëllimit. Në këto kushte, gjendja ekonomike e familjes Birko është përkeqësuar, kështu që i riu ka tentuar të gjejë para të tjera, duke hyrë edhe në borxh.
Goditja
Sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, një nga goditjet e ka kapur viktimën Shpresa Birko në zemër. Kjo mendohet se ka qenë edhe goditja vdekjeprurëse për të. Pellgu i gjakut, i krijuar në banesë, ka sjellë panik te narkomani, i cili është larguar me shpejtësi. Policia e ka shpallur në kërkim Altin Birkon dhe ka ngritur një sërë postblloqesh për kapjen e tij. Por, pa kaluar shumë kohë nga vrasja, autori është penduar për këtë krim të rëndë brenda familjes dhe është paraqitur në Komisariatin Nr. 3, ku është vetëdorëzuar. Ai ka treguar për uniformat blu gjithë skenën e ngjarjes, ndërkohë që është shprehur i penduar. Ndërkohë, policia nuk ka shpjeguar nëse ka pasur familjarë të tjerë brenda banesës në kohën që ndodhi krimi. Megjithatë, hetimet për këtë ngjarje, që ka tronditur kryeqytetin kanë vijuar deri në orët e vona të natës për dokumentimin e plotë të saj. Në përfundim të hetimeve, Altin Birko u arrestua me akuzën e vrasjes me dashje.
6 Nentor 2008