Rikthehen tragjeditë në Bulqizë, shpërthimi zë brenda në galeri minatorin
BULQIZË – Rikthehen tragjeditë në zonën minerare të Bulqizës. Burimet zyrtare raportojnë për një tjetër viktimë të regjistruar ditën e djeshme, brenda në galeritë e minierës së kromit, në verilindje të vendit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, minatori Ivzi Veseli ka qenë duke gërmuar brenda në galeri kur ka ndodhur ngjarja. Të dhënat e para flasim për një vdekje të menjëhershme, ndërkohë që dyshohet se humbja e jetës së minatorit është shkaktuar nga një minë që përdorej nga firma që kryente punimet për të bërë avancime në minierë. Nuk saktësohet ende nëse ai ka humbur jetën nga shpërthimi, i cili mund të ketë shkaktuar lëvizjen e masivit të ngurtë të mineralit, apo të ketë shkelur në minë. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet dhe pritet të dalë në një përfundim zyrtar për rrethanat në të cilat ka ndodhur vdekja e minatorit. Viktima e regjistruar dje i shtohet listës së gjatë të atyre që kanë lënë jetën duke punuar në këtë minierë. Minatorët, pas tragjedive të shumta, janë shprehur të ndërgjegjshëm për rrezikun që u kanoset gjatë punës, por sërish u drejtohen galerive nga nevoja e ngutshme për të punuar, si e vetmja mënyrë për të mbajtur gjallë familjet. Sindikatat e minatorëve janë ngritur në protesta gjatë muajve të fundit, ku kërkojnë miratimin e statusit, si dhe ndryshimin e skemës së sigurimeve për të gjithë ata që kanë punuar apo punojnë nën tokë. Protesta e radhës pritet që të bëhet gjatë ditës së sotme.
Vdes elektricisti, ra nga shtylla e tensionit të mesëm
DURRËS - Një elektricist ka gjetur vdekjen dy ditë më parë në qytetin e Durrësit teksa po riparonte një defekt në linjën e tensionit. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se rreth orës 13:00 të ditës së martë, Lulëzim Velia, 48 vjeç, lindur e banues në Lagjen numër 14, Durrës, me arsim të mesëm, elektricist në degën e OSSh-së së Durrësit, ka gjetur vdekjen. Policia tha se në kohën kur 48-vjeçari punonte në shtyllën e tensionit të mesëm, “Fidri 31”, ka rënë nga shtylla duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Nga ana e uniformave blu janë kryer veprimet e para hetimore për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes dhe ekspertët e prokurorisë së rrethit kanë nisur hetimet.
6 Nentor 2008