Seanca, David Braun rrezikon të marrë edhe një tjetër akuzë për abuzim me të miturit
Tiranë - David Braun rrezikon të marrë edhe një akuzë tjetër nga prokuroria, po për abuzime me të miturit. Gjatë seancës së zhvilluar dje prokurori i çështjes, Kolë Hysenaj, tha para gjykatës se avokatja kishte deklaruar se klienti i saj kishte shkuar një javë në Vlorë me të miturin Marges Godsube. Prokurori tha gjithashtu se vetë mbrojtja, në deklarimet saj, kishte bërë me dije se klienti i saj kishte fjetur me fëmijën në të njëjtën dhomë si dhe e kishte puthur në faqe. “Në përgjigjen që ka mbërritur në prokurori për të pandehurin, Dino Kritodoulu bënte me dije se David Braun kishte abuzuar më fëmijët. Ai ishte xheloz kur ata rrinin ose afroheshin të tjerë persona”, - ka shpjeguar Hysenaj. “Avokatja ka bërë me dije se ka parë kushtet që ishin në qendër dhe mënyrën se si trajtoheshin fëmijët. Për këtë avokatja duhet të kishte qenë dëshmitare në këtë proces dhe jo të ishte mbrojtëse ligjore e të pandehurit. Ndërsa në lidhje me nënndarjet, kushtet e shtëpisë, mënyrën se si trajtoheshin dhe ushqeheshin fëmijët etj., do të ishte më mirë që mbrojtja t’ia bënte me dije Ministrisë së Punëve Publike, pasi nuk kanë lidhje me këtë proces”, - ka shtuar prokurori në replikën me palën mbrojtëse. Ndërkaq që ka reaguar dhe vetë i ndaluari. David Braun tha se ai nuk kishte abuzuar me fëmijët. “Unë e di që ju do të vendosni për jetën time mbi veprimtarinë që kam pasur në shtetin shqiptar. Jam njeri i ndershëm. Për të dy fëmijët që akuzohem se kam abuzuar me ta, unë u kam shpëtuar jetën, duke i nxjerrë nga gjendje ekzistuese që ata ishin. Denis Aliu ishte abuzuar që kur unë e kam marrë nga rruga. Kujdesi im për këta fëmijë ka qenë si. Kujdesi im për këta fëmijë ka qenë siç mund të kujdesesha për trupin tim, si një baba për ta. Në lidhje me Denis Aliun e pranoj që ai ka ardhur në krevatin tim, unë nuk kam abuzuar me të”, - tha Braun, duke kërkuar që të mos dënohej.
Arrestohet 23-vjeçari, dyshohet se u shiste Cannabis nxënësve të shkollës “Asim Vokshi”
Tiranë - Specialistët pranë Seksionit të Luftës Kundër Drogës, pas informacioneve të marra kapën në flagrancë një shtetas i cili posedonte bimë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis sattiva të ndarë në 4 (katër) qese. Ngjarja ka ndodhur një lokal në afërsi të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja. Sipas policisë, Ylber Docaj, 23 vjeç, banues në Tiranë, mendohet të jetë furnizues i nxënësve me bimë narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet gjithashtu një sasi tjetër bime e dyshuar narkotike. Nga oficerët e policisë gjyqësore pranë këtij seksioni u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale 224.2 gramë bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sattiva e ndarë në 55 doza, një aparat celular si dhe 1 000 lekë. Materialet hetimore në ngarkim të këtij shtetasi do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “shitjes së lëndëve narkotike”.
Pranga të dyshuarit për vjedhjen e një benzi në rrugën “Pjetër Bogdani”
Tiranë - Specialistët e Seksionit të posaçëm kundër Vjedhjeve të Automjeteve kryen ndalimin e shtetasit Sandër Qehaja, 26 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i tij bë në bazë të Urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi ky shtetas dyshohet të jetë autor i vjedhjes së automjetit tip “Benz 190” me targa të Durrësit në pronësi të shtetasit S. Q., ngjarje e ndodhur më datë 18 Tetor 2008 në rrugën “Pjetër Bogdani”. Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i automjetit tip “Benz 190”. Materialet hetimore në ngarkim të këtij shtetasi do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vjedhjes”.
Ndalohet grabitësi i Qytetit Studenti, kishte vjedhur disa banesa
Tiranë - Shërbimet policore dhe specialistët e policisë pranë Komisariatit Nr. 1 Tiranë, përgjatë ditës së djeshme kryen ndalimin e shtetasit Eugen Arapi, 19 vjeç, banues në Qytetin Studenti Tiranë. Ndalimi i tij u krye pasi akuzohet se në periudha të ndryshme ka kryer vjedhjen e disa banesave në Qytetin Studenti, ku në cilësinë e provës materiale ju gjet dhe sekuestrua, një laptop “Toshiba”. Materialet hetimore në ngarkim të këtij shtetasi do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
6 Nentor 2008