Bllokohen 40 kg marijuanë, prangoset trafikanti i veshur polic
GJIROKASTËR – Një tjetër rast i trafikimit të drogës së prodhuar në Lazarat drejt Greqisë është bllokuar nga policia, duke u bllokuar një sasi prej 40 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë dhe arrestuar një person që ishte veshur si efektiv i Policisë së Qarkullimit. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se dje, rreth orës 11:30, është zhvilluar operacioni i koduar “vazhdimi”, për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike. Sipas tyre, agjentët antidrogë arritën të prangosin shtetasin Astrit Kermezo, i cili po udhëtonte në një automjet në aksin rrugor “Gjirokastër –Tepelenë”. Në vendin e quajtur fusha e Shtëpëzit, afër kantierit të ndërtimit të autostradës në segmentin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, ata kanë ushtruar kontroll në mjetin e dyshuar. Në bagazhin e automjetit tip “Benz 190”, me targa false DR 80 44 D, që drejtohej nga 23-vjeçari Kermezo, lindur në Shkodër dhe banues në qytetin jugor, lëvizte nga Gjirokastra në drejtim të Tepelenës, u gjetën 4 pako në formë katrore të mbështjella me letër natriban me ngjyrë kafe, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë. Burimet policore pohojnë se në secilën pako që peshonte 10 kilogramë ndodhej një sasi e konsiderueshme droge. Gjithsej janë sekuestruar 40 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë. Po ashtu, policia, në cilësinë e provës materiale, sekuestroi në kroskotin e makinës 41.500 lekë. Për t’iu shmangur postblloqeve të policisë, drejtuesi i automjetit kishte vendosur në makinë një tabelë të policisë së Qarkullimit Rrugor dhe një jelek fosforeshent po të policisë rrugore. 23-vjeçari Kermezo akuzohet për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike” dhe dosja në ngarkim të tij i ka kaluar prokurorisë së rrethit. Lënda narkotike, mjeti dhe sasia e lekëve janë sekuestruar. Burimet në grupin hetimor pohojnë se malli mund të jetë blerë në Lazarat dhe ka pasur destinacion përfundimtar Greqinë.
Pak javë më parë u ndaluan në aksin Përmet-Tre Urat 116 kilogram marijuanë, e cila po trafikohej drejt vendit fqinj. Po ashtu, janë regjistruar edhe disa raste të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Greqisë, apo Italisë, por janë bllokuar nga policia.
Qëllohet topografi i komunës 15 herë me thikë nga kushëriri
BERAT – Një plagosje e rëndë me thikë ka ndodhur në mjediset e komunës Kutalli në rrethin e Beratit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se Bujar Selami, me profesion topograf, është qëlluar 15 herë me thikë në trup nga kushëriri i tij, Pëllumb Selami. Ai gjendet në spital në rrezik për jetën, ndërsa agresori është larg me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë se ngjarja ndodhi në oborrin e kësaj komune, në prani të disa personave gjatë orëve të para të ditës së djeshme. Pak më vonë, dëshmitarët, por edhe policia identifikuan si autor të plagosjes të afërmin e të plagosurit, shtetasin Pëllumb Selami, i cili i është afruar dhe pasi ka shkëmbyer disa fjalë, ka nxjerrë thikën që e mbante me vete me të cilën ka qëlluar disa herë. Ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe policia po punon për kapjen e tij. Ndërkohë që të plagosurin e kanë marrë kolegët duke e dërguar me shpejtësi në Spitalin Rajonal të Beratit. Burime pranë Repartit të Kirurgjisë në këtë spital bëjnë të ditur se pacienti ka mbërritur me 15 plagë në trup, të shkaktuara nga arma e ftohtë. Ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për plagët e mara. Burime zyrtare të organit blu në këtë qytet bëjnë me dije se autori i plagosjes Pëllumb Selami është shpallur person në kërkim.
6 Nentor 2008