E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet masakra e 2 prillit: Urdhëruesit s’dolën para drejtësisë



SHKODER - Në përvjetorin e 19-të të masakrës së 2 prillit në Shkodër është theksuar fakti se urdhëruesit e vrasjes së katër dëshmorëve nuk kanë dalë asnjëherë para drejtësisë. Në ceremoninë e zhvilluar dje në Shkodër ka rënë në sy mungesa e drejtuesve të lartë të PD-së në qendër dhe krerëve lokalë të PS-së. Pjesëmarrës ishin veç familjarëve dhe deputetëve demokratë të Shkodrës, pushtetarë vendorë, përfaqësues të komuniteteve fetare e shumë qytetarë. Aktivitetet nisën me vendosjen e kurorave në memorialin kushtuar Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Besnik Cekës dhe Nazmi Kryeziut, për t'u mbyllur me një takim përkujtimor në teatrin "Migjeni". Aty, organizatorët e këtij aktiviteti jo vetëm që sollën edhe një herë në kujtesë të shkodranëve dëshmi të asaj dite tragjike, por ata pohuan se urdhëruesit e kësaj masakre asnjëherë nuk kanë dalë përpara drejtësisë për të marrë dënimin e merituar. Ndërsa po mbushen dy dekada nga ngjarja e rëndë, kur protestat u mbyllën me vrasjen e 4 të rinjve dhe plagosjen e shumë të tjerëve, ajo vazhdon të përkujtohet me dhimbje. Data 2 prill i vitit 1991 ndryshoi një herë e përgjithmonë rrjedhën e historisë së vendit, duke u shkëputur nga sistemi i Partisë së Punës. Edhe pse dy vite më parë, në ceremoninë përkujtimore morën pjesë përfaqësues të Partisë Socialiste, ata munguan ditën e djeshme. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›