“Shqipëria plotëson kriteret për vizat”
Lëvizja Evropiane në Shqipëri prezantoi dje monitorimin e procesit të liberalizimit të vizave, nga ku theksohet se Shqipëria ka arritur të plotësojë kriteret teknike. Blerta Hoxha, nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri, prezantoi punimin, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në secilin prej blloqeve të Udhërrëfyesit. Kështu, në bllokun e parë, atë të sigurisë së dokumenteve, u tha se ka 548 mijë aplikime për vizat, ndërsa janë prodhuar 527 mijë pasaporta të reja, duke e vlerësuar këtë kriter si të plotësuar. Në bllokun dy, atë të kontrollit të kufijve, janë plotësuar kushtet kryesore, ndërsa kërkohen vetëm zbatimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor si dhe nisma më konkrete për riintegrimin e personave të kthyer. Në bllokun tre kërkohen rritje të kapaciteteve investigative të autoriteteve, ndërsa pjesa tjetër për shtrirjen e informacionit dhe mbrojtjen e të dhënave konsiderohet si e plotësuar. Ndërsa në bllokun katër, që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave, kërkohet zbatim i kuadrit ligjor. Ndërsa, për sa i përket vendimit final për liberalizimin e vizave, EMA vlerëson se Komisioni Evropian mund të paraqesë vlerësimin pozitiv mbi Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën nga fundi i prillit të këtij viti.