E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Birra Korça, cilësi e popullaritet si tonat në Çeki"

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Stanjisllav Houf ka vetëm dy ditë që ka mbërritur nga Çekia në Korçë. Profesioni i tij është teknolog birre dhe këtij zanati i ka kushtuar 43 vjet të jetës së tij. Vite të lodhshme pune jo vetëm në vendin e tij, por i ftuar për bashkëpunim edhe në Rusi, Lituani, Letoni, Ukrainë, Poloni etj. Birrën e mirë e nuhat që shumë larg. Më së fundi kishte vendosur që të kalonte pensionin në shtëpinë e tij në Pardubice, një qytet i vogël me 100 mijë banorë, por me një industri shumë të zhvilluar. "Dëshiroja të peshkoja e rrisja nipin tim, kur më erdhi ftesa për të punuar sërish në një fabrikë birre në Shqipëri, pikërisht në "Birra Korça". Pak kisha dëgjuar për këtë vend. Ende nuk kam vendosur se si do të bëj, se kam merak nëse nuk kam çfarë t'i bëj kësaj birre që mua më pëlqen, është shumë e mirë. Dua të gjej mundësitë për ta përsosur, ky është shqetësimi im", u shpreh ai dje për "Panorama"-n.
Kur provuat gotën e parë të "Birra Korça", çfarë menduat?
E shijova menjëherë e thashë me vete: "Birrë shumë e mirë". Më shijoi në mënyrë të veçantë birra e hapur e fabrikës "Birra Korça". Është e një cilësie shumë të mirë dhe që mund të krahasohet me birrat më të mira të vendeve evropiane.
Çfarë vlerësoni te kjo birrë?
Është një birrë që do të pranohej natyrshëm edhe në tregun çek. Mos harroni, Çekia është vendlindja e birrës, aty të gjithë pinë birrë. Statistikat tregojnë se çdo person në Çeki konsumon mesatarisht 160 litra birrë në vit, duke e renditur Çekinë në vendin e parë në botë, të dytët vijnë bavarezët. Tek ne konsumohen birrë popullore, tradicionale, ashtu siç është për ju "Birra Korça".
Si e pritët ftesën për të ardhur në Shqipëri e pikërisht në Korçë, ku ka lindur birra shqiptare?
Pas 43 vjet pune nëpër fabrikat e birrës si teknolog i saj, kam dalë në pension dhe gjithmonë kisha menduar se do të bëja jetën e një pensionisti, që më së fundi ka vendosur të pushojë pranë familjes. Kam pranë gruan time, djalin, miken e djalit dhe një nip të vogël tre vjeç. Nuk dua të harroj që kam edhe një qen. Jetoj në shtëpinë time me një oborr të madh. Por pikërisht kur unë po i përshtatesha me kënaqësi kësaj jete, më erdhi një ftesë prej një miku shqiptar, me të cilin kam ardhur këtu. Erdha të shoh, kam dy ditë që jam këtu dhe të them të drejtën ndihem i befasuar. Nuk e prisja që një gjigant i tillë birre të gjendej në këtë vend. Këtë fabrikë do ta kishin zili shumë vende në Evropë.
Pse shpreheni se jeni befasuar?
Së pari, më çuditi investimi i madh që është bërë për këtë fabrikë. Është një fabrikë shumë moderne, që aktualisht prodhon birrë shumë të mirë dhe që kjo birrë mund të përsoset edhe më tej. Teknologjia e përdorur është nga më modernet, në Çeki këtë teknologji e gjen vetëm në fabrikat e mëdha, se të tjerat përdorin teknologji më të vjetër. Dihet që teknologjia ndryshon çdo vit. Ajo modernizohet duke synuar që të rrisë parametrat cilësore apo të ruajë ato që ka arritur më parë.
Ju u shprehët se "Birra Korça" është e cilësisë shumë të mirë?
Po, "Birra Korça" e ka cilësinë shumë të mirë, ajo prodhon shpejt e me cilësi, kam mendimin se përsosja do të vijë duke bërë pak ndryshime në teknologjinë e prodhimit. Kështu për shembull mund të vihen në përdorim disa instrumente që ndihmojnë për përsosjen e cilësisë, por dua të nënvizoj se, thelbësorja në teknologjinë ekzistuese është cilësore. Këtu unë po shoh që punojnë e drejtojnë njerëz të rinj. Sa më shumë kohë të kalojë aq më shumë do të mësojnë nga profesioni, nga përvoja e tyre. Dhe "Birra Korça" në sajë të përgatitjes së tyre do të përsoset se ajo e meriton të përsoset.
Keni vetëm dy ditë në fabrikë. Mund të thoni se e njohët?
Nuk them se e njoh, ajo ka të fshehtat e saj që nuk ia tregon një vizitori si unë aq lehtë. Unë po shoh, po mbaj shënime rreth teknologjisë që përdoret dhe disa ditë më vonë do t'i bisedoj me Presidentin e saj. Përvoja mëse 40-vjeçare padyshim që më ndihmon që shumë elementë t'i kap që tani.
Si e përfytyroni jetën këtu në Korçë?
Unë dua të jetoj sa më afër fabrikës, mundësisht brenda saj. Jam mësuar që këtë gjë të bëj gjithë jetën. Dua që situatën ta kem në dorë edhe në mes të natës, të dal dhe të shoh parametrat e birrës në çdo çast. Birra që prodhohet është shumë e mirë, unë për të qenë i sinqertë duhet të jem sa më i qartë për çka do të bëj në përmirësimin e teknologjisë së saj që të bëhet shumë më e mirë, atëherë kur unë nuk do të kem çfarë t'i bëj më, do të iki.

Çangu: Ambicie prodhimi i maltos
Drejtori i fabrikës "Birra Korça", Fatbardh Çangu, gjatë gjithë ditës është i preokupuar ta presë dhe trajtojë sa më mirë mikun nga Çekia. "Dëshiroj që ai të mbetet i kënaqur prej nesh dhe t'i krijojmë të gjitha kushtet që ai të punojë që birra jonë të përsoset". Sipas tij, tashmë që është dhe sezoni i verës, fabrika punon me kapacitetin e plotë të saj, për t'u ofruar konsumatorëve në çdo moment prodhimet e saj. Suksesi i birrës korçare u shfaq dukshëm dhe në ditët e Festës së Birrës, në kodrat e liqenit në Tiranë, ku mijëra litra u konsumuan brenda një kohe të shkurtër. Kjo ndodh sepse investitorët dhe prodhuesit e "Birra Korça" ka qenë shumë e kujdesshme për të zgjedhur teknologjinë që ruante veçoritë e birrës së vjetër, me një malto të zgjedhur e cilësore të importit. Në projektet ambicioze është dhe prodhimi në një ditë jo të largët e maltos pranë vetë fabrikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›