E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogu: Policia na kapi duke pirë cigare

Robert Rado, pedagogu i arrestuar nga policia tri ditë më parë në Korçë, ka mohuar përdorimin e dhunës, apo kryerjen e marrëdhënieve seksuale me studenten që e denoncoi. 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

“Kur hyri policia unë isha ulur në karrige dhe vajza ulur në tavolinë duke pirë cigare”, mësohet të ketë deklaruar pedagogu i Infermierisë së universitetit “Fan S.Noli”, përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe avokati i tij mbrojtës, Robert Hyska. “Klienti im, - është shprehur ai, - nuk ka pranuar kryerjen e marrëdhënieve seksuale me studenten. Ai më ka pohuar se vajza e kishte ftuar për të pirë një kafe dhe pasi kishte pranuar, me një taksi të rastit shkuan në një lokal në periferi të qytetit”.
Bëhet e ditur se pedagogu Rado ka qenë në një gjendje të rëndë psikologjike dhe shëndetësore. Avokati ka pohuar se klienti i tij ka tri ditë pa marrë asnjë lloj ushqimi dhe gjatë mbrëmjes së të enjtes ka pësuar edhe një paralizë të ekstremiteteve të trupit. Kanë qenë punonjësit e policisë së paraburgimit, që menjëherë e kanë çuar në Urgjencën e Spitalit për ndihmë të kualifikuar mjekësore. Ndërkohë, familja e pedagogut ka hedhur dyshimin se policia ka tejkaluar kompetencat e saj dhe se ka përfituar nga papjekuria e vajzës për të stimuluar një show mediatik. Mësohet se Prokuroria e Korçës ka qenë paksa e tërhequr në hetimet rreth skandalit të pedagogut të universitetit. Kjo për faktin se para organit të akuzës ka dalë një pengesë ligjore, sipas të cilës përgjimi apo filmimi kryhet me autorizim të prokurorit të rrethit ose me vendim të gjykatës dhe materialet që janë siguruar nga përgjimi çmohen të vlefshme vetëm nëse për to është shprehur gjykata. Një vendim i tillë nuk është marrë, fakt ky që përgjimi ende nuk mund të konsiderohet provë për konsumim të veprës penale nga pedagogu. Tjetër problem i cilësuar nga juristët konsiston në faktin se, vepra për të cilën akuzohet pedagogu, “kryerje të marrëdhënieve seksuale duke shfrytëzuar detyrën” parashikon dënimin maksimal 3 vjet burg, ndërsa ligji parashikon që, përgjimet kryhen për ato vepra penale që parashikojnë 7 vjet e më shumë burg. Pritet që sot, Rado të përballet me trupin gjykues, prej nga do të mësohet dhe masa e sigurisë për të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›