E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë mijë vetë përkujtojnë genocidin ndaj çamëve

SARANDE – “Çamëri më mori malli”... ishte ky refreni që nisi darkën e së enjtes në stadiumin e lojërave me dorë në qytetin e Sarandës, në Festivalin e Dytë të Këngës dhe valles çame për të 

vazhduar në fshatin Kllogjer dhe për të përfunduar në pikën më jugore të vendit, në Qafë Botë. Si çdo vit, gjenocidi grek ndaj popullsisë çame është përkujtuar dhe dje nga ata që e kanë përjetuar këtë masakër ndaj pjesës shqiptare ose nga pasardhësit e tyre. Rreth 5 mijë vetë kanë mbërritur dje në pikën skajore të vendit tonë, aty ku u ndanë nga pronat e tyre. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i shoqatës “Çamëria”, Adrian Tana u shpreh: “Jemi këtu të nderojmë plagët dhe dhimbjen tonë. Kjo këtu është varrezë e kujtesës sonë”. Ndërsa Shpëtim Idrizi, i cili pohoi se ishte 24 karat çam, theksoi dje gjatë tubimit se “muri i Berlinit për Çamërinë do të çahet”. Mijëra pjesëmarrës udhëtuan nga qytete të ndryshme të vendit, për të nderuar dhe viktimat e gjenocidit, i cili zgjati nga viti 1913 deri në vitin 1945, kur u mbyll tragjedia e popullit çam, por, për të ngelur fati i tyre ende i pazgjidhur  nga historia apo politika. Në orën 16:00 të ditës së djeshme u mbyll marshimi homazh në përkujtim të gjenocidit grek ndaj popullsisë së pambrojtur dhe të pafajshme çame 63 vjet më parë, që nisi në Sarandë, për të shkuar në fshatin Kllogjer e për të përfunduar në Qafë Botë. Vargjet: “Çamëri na mori malli, se ne u ndamë nga halli”, ishin shoqëruese përgjatë rrugës në kthim nga marshimi homazh i çamëve.    sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›