Biserko: Kosova është një çështje e humbur
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko vlerëson se nisma e Serbisë për t'i kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) mendimin juridik mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është humbje kohe. Në një intervistë për BBC-në, zonja Biserko thotë se pavarësia e Kosovës është njohur nga shtetet më të rëndësishme të botës dhe Serbia nuk mund ta pengojë më këtë proces. Zyrtarë të qeverisë së Serbisë thonë se kanë arritur që të ndalojnë procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila deri tani është pranuar nga 45 vende, përfshirë edhe SHBA-në dhe pjesën më të madhe të anëtarëve të BE-së. Projekt-rezoluta e Serbisë, e cila kërkon mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, do të mund të kishte peshë vetëm nëse deri në mesin e shtatorit mbledh votat e afro 100 vendeve anëtare të OKB-së.
Cili është vlerësimi juaj për ofensivën diplomatike të Serbisë për të penguar procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Kjo është pjesë e strategjisë së Serbisë për të penguar procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe kjo përkon me politikën e saj për mosnjohjen e realitetit të ri në Kosovë. Kjo që po bën Serbia është një nismë e pamenduar mirë dhe e parealizueshme, sepse çdo shtet ka të drejtë të njohë kë të dojë, prandaj nuk ekzistojnë procedura me bazë juridike që mund t'ia ndalojë dikujt ta njohë një shtet tjetër, nëse ai dëshiron ta bëjë këtë. Konsideroj se kjo është humbje kohe. Serbia ka ndërmarrë disa masa ndaj vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka tërhequr ambasadorët e saj nga disa vende të Bashkimit Evropian, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kroaci dhe në disa vende tjera. Megjithatë ajo ka kthyer ambasadorët e saj në Bashkimin Evropian, por ende nuk e ka bërë këtë në SHBA, Kroaci dhe në disa vende tjera, që domethënë se Serbia me ndërprerjen apo uljen e nivelit të bashkëpunimit me ato shtete e ka dëmtuar vetveten duke dobësuar pozicionin e saj në ato vende. Vazhdimi i këtyre veprimeve është absolutisht një politikë e gabuar dhe humbje e kohës.
Zonja Biserko, udhëheqësit kosovarë thonë se Serbia nuk do të ketë sukses në përpjekjet e saj për të ndalur njohjen e pavarësisë së Kosovës. Domethënë edhe ju pajtoheni me këtë konstatim?
Jo absolutisht, procesi i pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga të gjitha shtetet e botës e ka kaluar këtë fazë. Kosova ka fituar njohje ndërkombëtare nga vendet më të rëndësishme. Tani kemi një fazë tjetër, kur Kosova si shtet, sigurisht me energji më të mëdha dhe me strategji të hartuara mirë, duhet të lobojë më shumë për vazhdimin e këtij procesi, në mënyrë që sa më shumë shtete të njohin pavarësinë e saj. Fakti që disa shtete nuk po e njohin ende pavarësinë e Kosovës, nuk është mbështetje e tyre për Serbisë, por kjo është e lidhur me disa rrethana tjera ndërkombëtare, të cilat në momentin që ndryshojnë, do të vazhdojë edhe procesi i njohjes. Sidoqoftë, kërkohet angazhim më i madh shtetit të Kosovës për të lobuar sidomos në vendet islamike në Azi dhe Afrikë.
A mendoni se me këtë qasje që po tregon Serbia ndaj Kosovës, po rrezikon perspektivën e saj për integrim në Bashkimin Evropian?
Siç dihet Bashkimi Evropian përmes përfaqësuesve të tij ka thënë disa herë se nuk do të pranojë në BE shtetet, të cilat kanë probleme të pazgjidhura territoriale, që është rasti i Serbisë në raport me Kosovën. Në këtë fazë, nuk ekziston rreziku që Serbia të anëtarësohet aq shpejt në Bashkimin Evropian. Kur Serbia dhe Kosova të fitojnë statusin e kandidatëve për anëtarësim, kjo çështje do të shtrohet prapë, para se gjithash për Serbinë dhe ajo me siguri me kalimin e kohës, do ta ndryshojë qëndrimin e saj. Në këtë fazë kjo është më shumë çuarje e pluhurit, para se gjithash për shkak të problemeve të brendshme në Serbi dhe jo atyre ndërkombëtare.
Zonja Biserko, politikanët serbë po thonë se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës. Por çfarë mendojnë qytetarët e zakonshëm në Serbi?
Qytetarët e Serbisë në një mënyrë të çuditshme e kanë pranuar këtë realitet. Para se gjithash kam parasysh rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Serbi, të cilat kanë treguar se Kosova nuk është tema qendrore në Serbi. Siç dihet Vojisllav Koshtunica kishte thirrur zgjedhje të parakohshme duke shpresuar se pikërisht në saje të Kosovës, do të fitojë partia e tij dhe ajo Radikale. Por çfarë ka ndodhur më tej? Në momentin kur Boris Tadiç ka nënshkruar marrëveshjen me Bashkimin Evropian, ai ka marrë mbështetje për koalicionin e tij për Evropën. Ky për mua është argumenti më i fuqishëm që flet për disponimin e vet qytetarëve të Serbisë. Kjo nuk do të thotë se Kosova nuk do të jetë më në rendin e ditës, por jo në atë mënyrë siç ka pritur Vojisllav Koshtunica dhe blloku i tij, i cili i ka pasur nën kontroll të gjitha mediat kryesore, por nuk ka arritur të fitojë mbështetje për opsionin e tij.
----------------------------------------------Sejdiu: Kjo do të jetë realisht ushtria e re e Kosovës e armatosur lehtë dhe do të jetë e mbikëqyrur nga NATO
Kosovë, si do të funksionojë Forca e Sigurisë
Forca e re e Sigurisë do të krijohet në partneritet me NATO-n dhe do të jetë një forcë profesionale. KFOR-i do të trajnojë FSK-n, që nuk do të jetë drejtpërdrejt e angazhuar në sigurinë e Kosovës. Udhëheqësit politikë kosovarë premtojnë përkujdesje ligjore për pjesëtarët e TMK-së, pas shuarjes së saj për t'ja lënë vendin Forcës së re të Sigurisë së Kosovës. Shumë pjesëtarë të TMK-së, do të zhveshin uniformat e tyre dhe do të shkojnë në pensionim të parakohshëm, ndërsa një numër i vogël i tyre do të angazhohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Shpërbërja e TMK-së, do të jetë një proces i dhimbshëm, thotë komandanti aktual i kësaj trupe gjeneral, Sylejman Selimi: "Procesi nuk do të jetë i lehtë, do të jetë shumë i vështirë, sepse shumë pjesëtarë të TMK-së nuk do të përfshihen në forcën e re. Është shumë e rëndësishme që qeveria dhe parlamenti të miratojnë shumë shpejt ligjin për pensionim të parakohshëm".
Autoritetet ushtarake të KFOR-it, premtojnë se do ta trajnojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por pjesëtarët e saj, nuk do të jenë drejtpërdrejt të angazhuar në sigurinë e Kosovës. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, thotë se dallimet në kompetenca ndërmjet TMK-së dhe Forcës së re të Sigurisë, do të jenë të mëdha. "Trupa Mbrojtjes e Kosovës deri tash ka pasur një trajtim të një organizate civile. Ju e dini rolin, cili ka qenë. Pavarësisht pjesës së historikut të saj dhe një përkushtimi të jashtëzakonshëm në situata të ndjeshme për Kosovën, Forca e re e Sigurisë së Kosovës do të jetë realisht një ushtri e Kosovës", thotë Presidenti Sejdiu. Forca e re e Sigurisë së Kosovës që pritet të krijohet këtë vit do të ketë 2500 pjesëtarë. Kjo forcë do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e mbikëqyrur nga NATO-ja. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-os, Jaap de Hup Schefer, ka thënë se në këtë faze, nuk mund të thuhet se Forca e Re Sigurisë së Kosovës, do të jetë ushtri, mirëpo do të jetë e përfshirë në disa operacione së bashku me KFOR-in. Siguria e Kosovës dhe mbrojtja e kufijve të saj edhe për një kohë të gjatë do të jetë kompetencë e forcave paqeruajtëse, të cilat veprojnë në bazë të rezolutës 1244 të KS-it.