E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisha Dita e Veres do te vije ne Tirane me gjithe gjallerine e saj

Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh me qëllim festimin e Ditës së Verës. Përmes një dalje publike, Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, znj. Anila Bisha ka bërë me dije aktivitetet që do të organizohen në kryeqytet, me rastin e 14 Marsit, Ditës së Verës.
“Dita e Verës do të vijë në Tiranë me gjithë gjallërinë, gëzimin dhe optimizmin që sjell pranvera në qytetin tonë. Ngjyrat e pranverës kanë veshur që sot kryeqytetin, ku përmes luleve shumëngjyrëshe sjellin ndryshe atmosferen e pranverës në Tiranë. Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh, të cilat i shtojnë ngjyrat kësaj dite vere. Do të jetë Banda e Qytetit e cila do të hapë festimet, duke nisur turin e saj nga Bashkia e Tiranës deri në Sheshin “Nënë Tereza””, u shpreh ajo.
Gjithashtu, duke sqaruar më tej detajet e kësaj axhendë, Bisha vuri në dukje se “në rrugën “Murat Toptani”, në orën 10.00 hapet Panairi i Produkteve Shqiptare, i cili bashkon biznese të të gjitha trevave shqiptare, nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria. Hapja e këtij panairi në rrugën “Murat Toptani” do të shoqërohet edhe me performancën e Ansamblit të Qytetit”.
 Ndërkohë që në Lulishten “3 Vëllezërit Frashëri” do të kompozohet qyteti i artit. Dekorimi i kësaj qyteze do të shoqërohet me muzikën e një bande rock dhe do të rrethohet nga piktorë e piktura të punuara nga nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”.
“Nën atmosferën e personazheve të dashur për fëmijët të cilat do të sillen nga animatorë profesonistë, do të organizohen lojra për të gjithë fëmijët, në lulishten në qendër të qytetit. Të gjithë lojrat do të shoqërohen me shfaqjen teatrore të Qendrës Kulturore “Tirana”. Këto festime do të fillojnë në orën 11:00, deri në orën 14:00 pranë “Parkut Rinia”. Festimet do të kulmojnë në sheshin “Nënë Tereza” me Karaoken që do të organizohet me pjesëmarrjen e disa këngëtarëve të mirënjohur. Shfaqja do të trasmetohet në ekranin e skenës, nga e cila do të ftohen qindra qytetarë të këndojnë live këngë të njohura. Karaoke do të fillojë në orën 11:00, për të vazhduar deri në orën 14:00”, deklaroi Bisha.
Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës fton të gjithë qytetarët, që të festojnë dhe shijojnë atmoferën e Ditës së Verës në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›