Bizhdilit i mbeten 15 mijë dollarët në dorë

As kroati Pero Pejic dhe as meksikani me pasaportë franceze Elokan, golashënuesit më të mirë të Dinamos dhe të Besës (me nga katër gola), edhe pse kishin premtuar gola i mbyllën 90 minutat e kryesfidës së Javës së 7-të të Kategorisë Superiore pa shënuar në portat kundërshtarëve të tyre, në takimin e mbyllur 0-0.
BESA AGRESIVE: Në përfundim të takimit, konkluzioni i parë që të vjen në mend është se Besa luajti më mirë, e kërkoi më shumë fitoren dhe ishte me agresive në gjysmëfushën e Dinamos. Sulmuesit blu: Kuli, Plaku, Pejic e më pas dhe Tiko e Pema, nuk arritën të rrezikonin seriozisht portën e mbrojtur nga portieri shqiptaro-maqedonas i Besës, Zendeli, ndërsa për ta bërë të pathyeshme mbrojtjen e kavajsve shërbyen edhe ndërhyrjet vendimtare të patriotit të tij, Zekeria Ramadani si dhe kapitenit të Besës, Andi Lila.
FATI I DINAMOS- Lojtari më i ri i Kombëtares, Lila, ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje me kokë në dhjetë minutat e fundit, por falë reflekseve të jashtëzakonshme të Elvis Kotorrit, Dinamo shmangu një gol të sigurt. Këtij rasti i shtohet edhe gabimi i mbrojtësit nigerian të Dinamso, Abrahamit, i cili për pak sa nuk shënoi autogol në portën e tij. Dinamo në tërësinë e lojës ishte shumë e zbehtë, ndërkohë që vuajti jo pak nga presioni i vazhdueshëm në rritje i Besës, falë aftësive të Mancakut apo zhdrëvelltësisë së Abdulla Ishakasë dhe Parid Xhihanit.
DOLLARËT E BIZHDILIT: Si një president me vizion perëndimor, Bizhdili e di mjaft mirë se "motori" i ekipit të tij punon më mirë kur "vajiset". Presidenti i Besës, në kërkim të titullit të parë kampion, vuri në dispozicion të lojtarëve të tij 15 mijë dollarë për të marrë fitoren kundër një prej rivalëve direkt për titull, shumë që lojtarët e tij, edhe pse u përpoqën shumë nuk arritën ti marrin.
"MULLIRI" I PARTIZANIT: Barazimi i Dinamos me Besën nuk i shkoi përshtat asnjë ekipi, por coi "ujë në mullirin e Partizanit", që nëse do të fitojë me Skënderbeun të dielën do të kryesojë i vetëm tabelën duke u "arritisur" me dy pikë më shumë se Besa e vendit të dytë dhe tri më shumë se Dinamo e vendit të tretë. Besa do të përballet javën tjetër me Partizanin, ndeshje që do të përcaktojë jo pak për fatet e fazës së parë.
KATEGORIA SUPERIORE
Sot
Dinamo-Besa 0-0
Stadiumi "Qemal Stafa"
Gjyqtarë: S.Jareci
E.Bicaku-A.Mali
Renditja
Skuadra N P
1.Besa* 7 17
2.Partizani 6 16
3.Dinamo* 7 16
4.Elbasani 6 10
5.Flamurtari 6 10
6.Shkumbini 6 7
7.Vllaznia 6 6
8.Kastrioti 6 6
9.Tirana 6 4
10.Teuta 6 4
11.Skndërbeu 6 4
12.Besëlidhja 6 4
* Një ndeshje më shumë
Te dielen
Elbasani-Tirana 14:30
Stadiumi "Ruzhdi Bizhuta"
Gjyqtarë: K.Meta
D.Rexha-S.Zeka
Partizani-Sënderbeu, 14:30
Stadiumi: "Qemal Stafa"
Gjyqtarë: P.Lapi
A.Guce-R.Zhuli
Shkumbini-Flamurtari, 14:30
Fusha e Peqinit
Gjyqtarë: L.Jemini
M.Dervishi-S.Elezi
Besëlidhja-Teuta, 14:30
Stadiumi "Besëlidhja, 14:30
Gjyqtarë: N.Abeshi
S.Avdo-D.Koreshi
Vllaznia-Kastrioti, 14:30
Stadiumi: "Loro Borici"
Gjyqtarë: Sh.Guce
E.Pjetrushi-L.Mustafaraj