E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Demat” brirët “ujqërve”, koha për arratisje

Partizani i ka të gjitha shanset për të kryesuar i vetëm renditjen pas barazimit 0-0 të Besës me Dinamon të shtunën në kryeqytet. Formacioni i Likës i ka fituar të tre takimet e luajtura në shtëpi, ndërsa Skënderbeu nuk ka marrë asnjë pikë nga dy ndeshjet në transfertë. Sfida midis tyre filloi përpara se dy ekipet të zbresin në fushë në impiantin kombëtar "Qemal Stafa", kur pas "sëmundjes" së gjyqtarit shkodran Pajtim Lapi – i konsideruar si shkaktari kryesor i trazirave pas ndeshjes Skënderbeu-Besa (1-1) - arbitri i ndeshjes pas një shorti special u përzgjodh ndërkombëtari Albano Janku.
"KORCARËT E KUQ"- Te Partizani janë trë të tillë, por të sigurt vendin në fushë e kanë dy: mesfushori Paulin Dhembi, i cili aktivizohet prej katër sezonesh me të kuqtë dhe mbrojtësi Tefik Osmani, i cili debuton për herë të parë me fanellën e kuqe. Ish-mbrojtësi i Kombëtares shënoi golin e parë të tij me Partizanin, pikërisht ndaj prej ish-skuadrave të tij, Teutës. Korcari i tretë i Partizanit, mesfushori Blendi Shkëmbi nuk ndihet plotësisht i gatshëm për të luajtur kundër ekipit të origjinë së tij.
BUM FITORESH – Në ndeshjen e fundit të luajtur në "Qemal Stafa", Partizani shpërtheu duke arritur një fitore madhështore 4-0 kundër nënkampiones së Shqipërisë, Teutës, e pesta në gjashë javë kampionat. Në fakt, kalendari i Partizanit ka qenë shumë modest në këto javë: të kuqtë kanë fituar me Shkumbinin, Kastriotin, Besëlidhjen, Vllazninë, Teutën, që renditen në gjashtëshen e dytë të sezonit aktual. Ballafaqimi i parë i vështirë i Partizanit ishte ai më Flamurtarin në Vlorë, takim që në përfundim të 90-minutave u mbyll 0-0. Edhe Skëndërbeu konsiderohet një takim i lehtë në letër, përpara se të fillojnë katër javët e forta, duke filluar nga Besa, Elbasani, Dinamo, Tirana, ku do të matet edhe se sa vlen "lëkura e demave të kuq".
MBROJTJA ME DRYN – Skënderbeu i Faruk Sejdinit ka në radhët e tij golashënuesin me të mirë aktual të sezonit: Marius Ngjelën (5 gola), por të kuqtë kanë mbrojtjen më të mirë në kampionat, madje në pesë ndeshjet e fundit nuk kanë pësuar asnjë gol. Me 2 gola të pësuar në 540 minuta, portieri Orges Shehi është ndër më të suksesshmit në kampionat. Në të kundërt, Esfrat Billa, portieri vlonjat që mbron portën korcare - një ish-portier i Partizanit, edhe pse me një numër shumë të vogël ndeshjesh - ka pësuar 14 gola në gjashtë javë, pra më shumë se 2 gola për ndeshje, duke qenë edhe portieri që ka pësuar më shumë gola.
"XHAXHI" SEJDINI- Veterani i bankinave shqiptare, akualisht trajneri më i vjetër në moshë që drejton në Kategorinë Superiore, sinjalin më të mirë se sa vlen eksperienca e tij, kur mposhti kampionen e Shqipërisë, Tiranën (4-2), në ndeshjen e tij të parë në pankinën korcare. Skëndërbeu, me katër pikë në gjashtë ndeshje, ndodhet në vendin e fundit, dhe Sejdini ka deklaruar se në Tiranë, ekipi i tij, nuk shon për të humbur, por duke qenë se është ballafaqimi i parë në kryeqytet – me Tiranën (4-2) e Dinamon (0-2) është ndeshur në Korcë - skuadra korcare do të japë më të mirën e saj, duke synyar të mos dalë pa pikë nga "Qemal Stafa". "Ndoshta, mund të marrim edhe një fitore. Futbolli i ka brenda të tria rezultatet" - është shprehur ai për mediat sportive.
STATISTIKA – Partizani, një nga ekipet legjendë të Shqipërisë, është superior ndaj korcarëve në pikëpamjen e bilancit, edhe pse Skëndërbeu është një nga skuadrat më të vjetra, madje kampion në vitin 1933, kur Partizani ka marrë pjesë për herë të parë në një kampionat futbolli në vitin 1947, dhjetë vjet më pas. Në 95 ndeshje të zhvilluara midis tyre, 54 fitore i përkasin Partizanit, 24 takime janë mbyllur në barazim dhe vetëm 17 ndeshje janë fituar nga Skënderbeu. Në fitoren e fundit të Partizanit në Tiranë (3-0) në sezonin 2005-2006 për të kuqtë shënuan Delain, Muzaka, - golashënuesi më i mirë aktual i të kuqve - dhe Abilaliaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›