Masa në “pole”, titulli vendoset në 71 xhiro

Ndodhi ajo që pritej më pak. Në kualifikueset e Cmimit të Madh të Brazilit "pole"-n e fitoi as Hamilton, as Alonso dhe as Raikonen, "triumvirati" që lufton për titullin kampion, por një "outsider" si Felipe Masa, piloti i skuderisë Ferrari. Braziliani i kokëkuqes la pas liderin e kampionatit, britanikun e Meklarenit, Luis Hemilton. Ferrasti xhiroi kohën më të mirë të kualifikueseve: 1'11"931, ndërkohë që Hemilton e ndali kronometrin në 1'12"082. Në rreshtin e dytë sërish është një kombinim i bukur: Kimi Raikonen, i treti (1'12"322) dhe Fernando Alonso, i katërti (1'12"356). Nëse dhe gara zyrtar do të përfundonte me këtë renditje, atëherë titulli do t'i shkonte Luis Hemiltonit, për t'u bërë kështu kampioni më i ri i botës në historinë e Formula 1. Një titull botëror i synuar nga tre kandidatë të denjë. Kampionati Botëror 2007 i Formula 1 është në kapitullin e fundit të tij. Hamilton, Alonso, Raikonen janë në garë për titullin kampion të botës: por, kush do të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit? Botërori vendoset në 71 xhirot e fundit, më saktë në 305.990 kilometrat e Cmimit të Madh të Brazilit, gara e fundit e sezonit. Luis Hemiltoni, lideri i renditjes, falë 4 pikëve më shumë se shoku i tij i skuadrës, Fernando Alonso (kampioni në fuqi) është favoriti numër një, dhe pas dy pilotëve të Meklarenit ndodhet Kimi Raikonen. Ferraristi, që ka 7 pikë më pak se Hemiltoni, është i gatshëm të përfitojë nga cdo "grindje" midis dy pilotëve të skuderisë anglo-gjermane, Meklaren Mercedes. Në sesionin e parë të provave të djeshme më i shpejti ishte Kimi Raikonen.
HEMILTON, 107 pikë
"Mendimi im i vetëm është shkon te gara e Brazilit. Bëra një sezon të shkëlqyer dhe shpresoj ta mbyll me një garë speciale", - thotë piloti anglez i Meklarenit, i cili mund të bëhet kampioni më i ri i botës në Formula 1.
ALONSO, 103 pikë
Kampioni në fuqi, Fernando Alonso shton se ka kujtime të bukura nga pista e Interlagosit: "Kam kujtime të bukura nga Brazili pasi aty kam fituar dy botërorët e mi. Jam i bindur se do të përfaqësohemi në Interlagos me makinën më të mirë".
RAIKONEN, 100 pikë
"Mund të luftojmë akoma për titullin. Është e dyta herë për mua që luftoj për titull në garën finale. Në vitin 2003 në Suzuka mbërrita me 9 pikë më pak se Shumakeri, kësaj radhe kam 7 pikë më pak se Hemiltoni dhe 3 më pak se Alonso. Do ta provoj".