E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta: Nano gënjeu për Kalivaçin

29/05/2005  "Gramozi, mbas shpullës që i dha populli, nuk vinte dot në Sarandë për të gënjyer për herë të tretë"

LSI kërkon votën për kandidaturën e vënë përballë kryesocialistit

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka sulmuar ashpër kreun e PS-së në zonën e tij zgjedhore në Sarandë. Në këtë mënyrë, duket se Meta i ka kthyer një përgjigje negative ftesës që Nano është duke i bërë atij për rikthim në gjirin e Partisë Socialiste. Gjatë prezantimit të kandidatëve në zonat 99 dhe 100, Meta ka theksuar se Nano është vendosur si kandidaturë në Sarandë, pasi nuk e pranonin zgjedhësit e Tepelenës, që e zgjodhën deputet katër vite më parë. "Saranda është kthyer ne qendër të vëmendjes nga pushteti i qeverisjes, i cili është kthyer në presion ndaj sarandiotëve, për t'iu imponuar atyre për zgjedhjen si deputet një kandidat, i cili ka vite që nuk shkon të takohet me zgjedhësit e vet. Unë kam qenë shpesh në Tepelenë dhe ju nuk jeni larg nga Tepelena, kandidatin për deputet dhe Kryeministrin aktual në Tepelenë nuk e quajnë më Fatos Nano, por Nano Kalivaçi", tha Meta.

Sulmi

Gjatë sulmit të tij, Meta ka rikthyer debatin e disa muajve më parë, ku u fol se në Shqipëri do të ngrihej një impiant për përpunimin e plehrave shqiptare dhe ato të Italisë. "Dua të di përse tepelenasit bujarë dhe të mirë, që e mbajtën me vite të tëra me solidaritetin dhe me besën e tyre, edhe në kohën e burgut të Bënçës, janë detyruar t'ja ndërrojnë emrin. Mendoj se kjo bëhet se Nano nuk bëri asnjë gjë për t'i ndërruar faqen Tepelenës. Ai bëri mashtrime të paimagjinueshme për të marrë votën në qershor të vitit 2001. Kryeministri, në bashkëpunim me firma mafioze italiane, po përgatitej të sillte në Shqipëri të gjithë plehrat e Evropës dhe të Botës, në mënyrë që të pasurohen grupe mafioze brenda apo jashte vendit", tha Meta. Sipas tij, në bashkëpunim me këto firma, Kryeministri shkoi vetëm pak javë përpara zgjedhjeve të vitit 2001 për të inauguruar fillimin e punimeve të hidrocentralit të Kalivaçit, pa patur asnjë kontratë, asnjë faturë dhe asnjë garanci për ndërtimin e tij. "Mbas katër vitesh në Kalivaç, jo vetëm që hidrocentrali nuk u bë, por edhe guri që vuri Fatosi ka humbur, ndaj dhe e quajnë Nano Kalivaçi", tha Meta.

Ftesa

Meta ka ftuar elektoratin e Sarandës që të votojnë për kandidaturën e Hysit. Ndërsa për kandidaturën e Nanos tha se "ai sot nuk i gënjen dot tepelenasit e varfër, sepse tani janë më të varfër, meqenëse edhe Gramozi, mbas shpullës që i dha populli i Sarandës, bashkë me Adrianin, në tetor të vitit 2003, nuk vinte dot në Sarandë për të gënjyer për herë të tretë këtë popull, ndaj u këmbyen: njëri të gënjejë Sarandën dhe tjetri të gënjejë Tepelenën".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›